A keni ndonje shprehje tuajën origjinale?

Fenomeni bashkëkohor i mos bërjes fëmijë nuk është për egoizëm se fëmijët kushtojnë, e të tjera shpjegime që i jipet fenomenit në fjalë, i cili ka për shkak kryesor hallakatjen totale midis etër e bij me pasojë triumfin total të Komleksit të Edipit. Prindët, sidomos mbas vitit 68-të, kanë frikë të bëjnë kalamaj që do i urrejnë dhe përbuzur siç kanë urryer dhe përbuzur ata vetë prindët e tyre.

Atokohë mosbesimi total, me plot kuptimin e fjalës nuk mund t’i besoje edhe këmishës që ke vesh deri edhe brënda familjes, meqë nuk mund të jetohet dot pa pasur intimitet total me ndokënd, ndodhte shpesh që besimi i jipej shokut, tradhëtia e të cilit të kushtonte burgun. Pra shoqënia matej me jetë a vdekje, e mbi këtë bazë kalohej koha e lirë, zbavitja, i dor muhabeti, bashkëpunimi etj.

Me rrëzimin e diktaturës dhe ardhjen e shoqërisë së lirë koha kalohet shumë më mirë se dikur në shoqni, zbavitja është ku e ku më e madhe sepse kushtet materiale nga çdo pikpamje qëndrojnë shumë më lart, por fatkeqsisht mungon baza e dikurshme, intimiteti për t’iu kundërvënë terrorit shoqëror hipokrit. Mbas 89-tës ndodh kalimi epokal: nga shoqëri e intimitetit dhe impenjimit absolut për jetë a vdekje, tek shoqëri gazmore e picës dhe sufllaqes që nuk ka funksion dhe ambicje tjetër përveç kalimit të kohës së lirë, e më pas “ku t’kom pa”. Me fjalë të tjera lloji i shoqënisë pa impenjim midis adoleshentëve, ha ha e hi hi hi duke bo i dor muhabet gjithë ditën e lume, e në darkë gjithsekush në shtëpi të vet. Njerzit, sidomos ata që kanë provuar lezetin e sistemit të kaluar, tani ndjehen të vetmuar në intimitetin e tyre më të thellë; ndjehen më vetëm midis hi hi e ha ha ha pica e sufllaqe në shoqni, se sa të vetmuar në shtëpi të tyre.
Eshtë bërë për të pas zili shoqninë në bandat kriminale dhe terroriste.

Aforizmat janë si vitaminat, të domosdoshme dhe me shumë vlerë, por duhen kapërdirë të racionuara e me karar, sepse nuk mund të ushqehesh me vitamina sikur me buke.

Kur një katolik bën ateistin është me katolik se papa, sepse, njëherë humbur besimi, i mbetet vetëm katolikllëku si veshje pa personin brenda; dordolec në arë me një fjalë.
E njëjta gjë mund të thuhet për besimtarin e çfardo lloj feje tjetër dhe për shoqërinë moderne ateiste në përgjithsi që është shoqëri dordolece ku të gjitha energjitë harxhohen për të realizuar kontekstin pa Tekst që të trëmben sorrat.

Sinqeriteti është prerogativë e atyre që nuk tradhëtojnë.

(në seks ideja është më se e qartë)

Regjizori është figura më tiranike nga çdo figurë tjetër në komandë; asnjë ushtarak, udhëheqës fetar apo politik, drejtues ndërmarjeje, apo kushdo tjetër figurë komanduese që ka në dorë njerzit, jep urdhëra se çfarë duhet të ndjejnë mvartësit thellë në fund të shpirtit të tyre: si të buzëqeshin, si të qajnë, si të bëjnë seks, si të shtiren, si të bëjnë budallain, perversin etj.

Po shihja një film-interviste për jetën e Felinit, ku ai rrëfente se i ati dëshironte te bëhej mjek, ndërsa e ëma dëshironte të bëhej kardinal. Sigurisht Felini linte të nënkuptohej me ironi birnore se ishte bërë regjizor, pa i rënë fare në të që një film-maker onirik kaotik është produkt i natyrshëm i dy prindërve shollë gomari që shohin me interes konkret realen.
Pyetje:
-Çfar del nga mbledhja e doktorit me kardinalin?
Përgjigje:
-Filmi i modh onirik “8 1/2”!

1234567890

Intimiteti në shoqni ka natyre seksuale, njëri fillon të joshë tjetrin duke i treguar një intimitet ose sekret, dmth fillon të zhvishet, e tjetri i joshur ose i detyruar nga rregullat e lojës fillon e zhvishet edhe ai, dmth tregon edhe ai një sekret të vetin. E kështu nga intimiteti në intimitet, nga sekreti në sekret, dy shokët e ngushtë përfundojnë lakuriq në një ampleks (dëshmi për sekretin origjinal primordial). Por nuk mjaftohet me kaq, si rëndom në seks-makin, mbas ampleksit vjen pendimi, dhe më pas në mënyrë fatale vjen neveria, për veten dhe tjetrin: “ç’mu desh mu që u ngatrrova me kët!”, me përfundim aktin e tradhëtisë nëpërmjet ampleksit me shokun e radhës ku tregohet në intimitet se çfarë ka thënë në intimitet shoku i mëparshëm.
Sekreti i zbuluar lakuriq krijon shoqërinë njerzore.
Jo rastësisht, si në shoqëri ashtu edhe në seks, si katalizator fuqizues i intimitetit shërben alkooli.

Mania e diskutimit për politikë ka origjinë familjare; maniakët e muhabetit politik prejardhen nga familje ku në kuzhinë rreth sofrës diskutohet me pasion vetëm për politikë. Në përgjithsi mund të thuhet se njerzit janë të infektuar nga tifo e politikës në të njëjtën masë që janë të infektuara kuzhinat e shtëpive tyre përkatëse.
Përbindëshin më të llahtarshëm që kam ndeshur ndonjëherë ka qenë një kalama i fabrikuar atëbotë nga kompraçikosët në një kuzhinë të infektuar rëndë nga virusi i politikës që recitonte përmëndësh listën e antarëve të Byrosë Politike krahas detyrës tyre përkatëse, ndërkohë që vetë njihja vetëm emrat e Kryeministrit dhe Sekretarit të Parë.

E keqja është konstate historike, koranavirus është manifestimi i saj i radhës që do kalojë e do harrohet si shumë fatkeqsi të tjera, por e keqja do të vazhdojë të manifestohet në mënyra të reja që as nuk ja pret mendja njeriu. A ja priste mendja njeriu koronavirusin? As Bill Gate, që e parashikoi, thellë thellë nuk besonte që do të ndodhte ky qamet. E keqja merr gjithnje forma të reja në histori duke ruajtur të pandryshur esencën e saj.
Memoriali i kujtesës i brohoritur në postdemokraci që të mësohet prej historisë në mënyrë që të mos përsëritet, është pesë me hiç, nuk vlen një lek. Prej historisë nuk mësohet asgjë, përveç faktit që historia përsëritet si esencë që manifestohet konkretisht në konteste të ndryshme.

Politikani tamom është një fetar me sens të theksuar realiteti, të cilin e ka në proporcion të drejtë me sensin e theksuar të idealitetit.

Autori kontemporan :smiley: ka dy vdekje, njëra fizike kur e fusin në varr tek Vorri i Bomit, tjetra shpirtërore kur e fusin në antologji, mbas së cilës për autorin nuk ka më interes njeri, përveç se profesorët, kritikët dhe studentët.
Hapja e dosjeve kërkon të ringjallë së vdekurish fantazmën e autorit.

Na ishte i herë njoni tu nejtë menueshëm ul n’byth t’ullinit. Një qetër që po kalonte aty afër e pyti:

-Çar je tu bo ktu tina?

-Jom tu u menu, e tu prit.

-E çar po pret?

-Jom tu prit që mendimet e mija të bëhen opinione publike.

1 Like

Kurthi post-modern në të cilin “robt” qerthullohen vazhdimisht është rrethi vicioz: nuk qullosin gjë për shkak “vrasje ndërgjegje”, dhe anasjelltas “ndërgjegja i vret” sepse nuk arrijnë të qullosin gjë. Nga pikpamja psikologjike kjo përbën baltovinën postmoderne ku ka ngecur rrota e historisë.

Urrejtja e egër rëndom midis pjestarve të familjes dhe farefisnisë (parenti serpenti - thonë pepinot) dëshmon për një dashuri origjinale të parealizuar, e prandaj transformuar në urrejtje për të afërmin tënd, ose në faqen tjetër të medaljes: në dashuri qurraveci adoleshent në moshë pensioni me bolet të fishkura që varen si lavjerës midis shalëve të veshura me bluxhins.

-Kjo më duket pa logjikë - këlthiti Aqif-eu

-E megjithatë rrotullohet - u përgjegj Halil-eu.

Agjërimi i vërtetë duket vetëm mbas agjërimit.

Agjërimi i vërtetë duket vetëm mbas agjërimit, njësoj si lideri i vërtetë duket kur nuk bën më liderin, dmth kur nuk je më kurrkushi, je njeri pa rëndësi sociale.
Çdo pozitë sociale, kushdoqoftë ajo, edhe qënia i pari i shtetit, vlen për të përgjegjsuar dhe lartësuar shpirtërisht personin që e mban.

Të jesh i sinqertë përbën vlerë vetëm si mënyrë të thëni, psh si i kundërt i rrenacakut. E thënë si duhet thënë, vlerë është të jesh i vërtetë, sepse edhe një kriminel ose një kurvë janë të sinqertë kur vrasin ose kurvërohen, por nuk janë aspak të vërtetë në kuptimin origjinal të fjalës.