Apokalipsi i përditshëm i apopleksikëve - pjesa e pestë (qa e qesh Hopper djali)

b4d028d9d685f88a085b423e0888f914.jpg!Large

Personazhi i Pierrot (klouni freng) shfaqet në veprën e Hopper në dy mënyra shumë domethënëse dhe në dy momente tepër të veçantë të jetës tij. Eshtë fjala për dy tabllo të Hopper të quajtura Soir bleu (Mbrëmje blu, 1914) dhe Two comedians (Dy komedianë, 1965). E para është një vepër pariziane, në kuptimin që u pikturua menjëherë mbas qëndrimit të fundit të Hopper në Francë dhe u ekspozua në ekspozitën e parë personale të piktorit; nuk pati sukses publik dhe kritika nuk e vlerësoi. Mbas Soir bleu Hopper ndryshon mjaft dukshëm imazhet e veprave dhe figurën e tij si krijues: nga piktor parizian u bë piktori amerikan si sot njihet botërisht. Pra kjo pikturë i jep fund periudhës pariziane të formimit si artist nëpërmjet një paraqitje skenike pariziane ku në qëndër është figura e klounit.

Kjo vepër, si të tjerat e fazes artistike franceze të Hopper, është shumë e ndikuar nga periudha që kaloi në Francë. Në fakt, Soir bleu dëshmon rrënjët artistike dhe kulturore të autorit, dashurinë e tij për impresionistët francezë, gjithashtu dhe për poetët simbolistë (titulli i pikturës i referohet një vjershe të Rembosë) dhe jetën e lokaleve parizianë. Në të njëjtën kohë dëshmon shpërfilljen e autorit për avangardat artistike pariziane, Hopper jetoi në Paris në vitet e para të shekullit të kaluar, gjatë të ashtuquajturës belle èpoque, por mbeti krejt indiferent për praninë pariziane të disa piktorëve modernë nga më të rëndësishmit e shekullit XX. Siç thashë më lart, në ekspozitën e parë personale të Hopper, vepra në fjalë nuk u pëlqye as nga kritika (“shumë evropiane dhe me stil shumë të vjetër”) e as prej publikut amerikan, e prandaj Hopper e hoqi nga qarkullimi dhe e fshehu në studio, ku u gjet vetëm pas vdekjes së tij.

Kuadri në fjalë tregon klientë të ndryshëm: një punëtor, një oficer marine, një artist bohem, një çift borgjez, një prostitutë në këmbë në gjueti të klientit (e vetmja që sheh drejt spektatorit të kuadrit si klient potencial) të shpërndarë rastësisht në tavolinat e një lokali që duket sikur presin diçka ose dikë. Pra nëse skena dhe mizaskena është franceze ose evropiane, personazhet tashmë janë krejt hopperianë. Tablloja dëshmon një thyrje me të kaluarën dhe parapregatitjen e një fazë tjetër krijuese, alias kalimin nga Evropa në Amerike, nga evropiane në amerikane, nga njëra vetmi e ngushtë, në tjetrën vetmi të gjërë.

Në qendër të imazhit ndodhet klouni (Pierrot) që i imponohet vëmendjes së vëzhguesit sikur të ishte një vrime e zezë (në të vërtetë vrimë e bardhë). Sigurisht jo rastësisht Hopper thekson figurën e klonunit, aq sa të mbizotërojë mbi personazhet e tjerë. Fizionomia e Pierrot, paraqitur në maskën e tij tragjike, është tejet shqetësues, gati kriminale, në një kohë kur recitimi i tij është pezulluar përkohësisht, meqë shihet që rri ulur në lokal. Cili do të jetë në të vërtetë klouni misterioz dhe çfarë reciton?

121946569

Two comedians (Dy komedianë) është një prej veprave të fundit të Hopper, konsideruar nga shumë kritikë si testamenti i tij shpirtëror dhe artistik, lënë pasardhësve pas vdekjes, lamtumira që piktori lë duke u paraqitur në skenë bashkë me gruan e tij Jo (Josephine) për herë të fundit. Të dy janë veshur si Pierrot.

Besoj se tani që alfa lidhet me omegën, tisi i misterit nis e ftillohet. Të dyja veprat dëshmojnë vizionin hopperian për shoqërinë njerzore si një skenë teatri në të cilën të gjithë luajnë pjesën të veshur me maskë (vizion tipik pirandelian). Piktura Soir bleu si simbol i recitimit të ndërprerë, i pritjes së diçkaje që mund të ndodhë dhe nuk ndodh, lidhet me Two comedians si përshëndetje simbolike në mbyllje të recitimit, e lamtumirës së dy aktorëve që përshëndesin publikun para se të mbyllet skena e të zhyten përfundimisht në errësirën e hiçit. Vepra e dytë shpjegon edhe misterin e së parës, klouni francezo-amerikan i Soir bleu është vetë autori, i paraqitur në veprën e dytë si Pierrot përkrah me gruan e tij Jo, e cila mban maskën e trishtuar të Pierrette. Në veprën e parë Hopper reciton i vetëm të njëjtin tekst skenari që në të dytën e reciton bashkë me bashkëshorten e tij. Kloun i vetëm, kloun bashkë me gruan e tij.

Dy komedianet janë njëkohësisht edhe dy tragjikët, sepse tërë vepra e Hopper është tragjike dhe tërë bashkëjetesa me Jo është po aq tragjike. Hopper dhe Jo janë mishërimi i gjallë i fjalës së urtë: e pamundur dy artistë në të njëjtën familje. Josephine Verstille Nivison sakrifikoi karrierën e saj premtuese si piktore për të shoqin, të cilin e ndoqi, e mbështeti dhe i qëndroi besnike për më shumë se dyzet vjet, madje ishte ajo që e nxorri nga errësira e mospërfilljes në dritën e skenës publike, e më pas mbante kontaktet zyrtare si sekretare, sepse, për shkak karakterit prej inatçiu introvers dhe depresiv të Hopper, ishte krejt e pamundur të merreshe vesh me të, përveç se nuk ishte i zoti të qulloste asgjë të hajrit në praktikë. Por as për këtë Hopper nuk i ishte mirnjohës, madje pikërisht për këtë arsye (“u bo bytha e femrës të jetë më superiore se e mashkullit”), e trajtonte gruan e tij në mënyrë brutale dhe mizore. Grindjet midis tyre ishin, jo të përditëshme, por të përminutëshme; i përplasnin fytyrës me ulërima njëri tjetrit gjëra aq skandaloze, sa të pranishmit mbeteshin të lebetitur dhe me mendjen top se të nesërmen ata me siguri do të divorcoheshin. Josephine thoshte se Hopper mezi priste që ajo të zgjohej herët në mëngjez dhe të shprehte ndonjë opinion, për ta kundështuar e gjetur pretekst për sherr.
Shpirti i një epoke mund të përmblidhet fare mirë në një anekdotë si e fundit më sipër, ku nuk di ç’të bësh më parë: të qeshësh, apo të qash.

pjesën e mëparëshme e gjeni këtu

1 Like

image

kjo o nji llullë