Celularizma - intermedium.1

Te kaluaren e ke ne liber te Historise, te ardhmen ne filmin Futurama, vetem e tashmja te ka mbet ne dore o komentator me celular ne dore - koment celularoid

Çdo katastrofë në histori çliron forca telurike të pakontrollueshme që përmbysin me lavën e magmës të subkonshit kolektiv çfarë deri atëherë është shkruar, diskutuar, praktikuar, besuar, krijuar, intelektualizuar etj, përmbledhur të gjitha në një term të vetëm: gjithçka që është “kulturuar”.

Ky fenomen ka ndodhur tre herë mbas çdo katastrofe të shkaktuar nga tre Luftrat Botrore e shekullit të shkuar, gjithnjë në rritje si fuqi katastrofike, me kulm katastrofën e para dhe mbas Luftës së Ftohtë, të cilën shqiptarët, për fat të keq - por edhe për fat të mirë nëse ka vlerë njohëse eksperienca personale -, e provuan vetë në kurriz të ftohtën e thellë që djeg më tepër se e nxehta. Thënë më konkretisht: çfarë atëbotë ishte shkruar, pikturuar, teatralizuar, filmuar, politizuar, ekonomizuar, dmth “kulturuar”, përfundoi në kosh të plehërave, edhe literalisht. Mbaj mend si sot - kur edhe më matufët dhe më servilët e kuptuan më në fund që sistemi në fuqi kish marrë fund -, se si “librat e kuq” (reliket e shenjta në raftet e dollapeve standard të markës Kombinati i Drurit Misto Mame që zbukuronin çdo dhomë ndënjeje) fluturonin me farfuritje flatrash si zogj shtegtarë me trajektore nga ballkonet e pallateve, drejt e në kazan të plehërave. Kjo punë vazhdoi për një muaj rresht çdo natë, sepse në ditë të diellit akoma nuk ja mbante njeriu të bënte një aktivitet të tillë kaq dukshëm disident.

Një fat i tillë i “librave të kuq”, simbolizon klimën kulturore autodafe të mbas viteve 90-të, dhe ndryshe siç kujtohet dhe duket, nuk ishte një linçim publik i kryer vetëm nga vulgu folk që shfrytëzon çdo rast të shijojë orgjinë e shkatërrimit të çfarëdo ngrehine mbi nivelin e tij. Jo, në shumicën e rasteve ishin vetë autorët që mohonin veprën e tyre, tani nuk ju interesonte më si dikur glorifikimi i veprës së tyre, jo vetëm për famë, por edhe për të marrë rrogën. Tani ishvepra e tyre i turpëronte në sy të njerëzisë, dhe ç’është më e rëndë, në sy të ndërgjegjes së tyre. Prandaj filloi proçesi i justifikimit, me përfundim fshehjen e fajit dhe mohimit të veprës, dhe me fund logjik përfundimin e saj në plehra.

Të gjëndur në morsën e një katastrofe virusale me përmasa planetare pa shëmbull në histori, mbas 30 vjet debati demokratik të zhvilluar sa majtas djathtas midis të majtës dhe të djathtës politike për vlerën e trashëgimisë së epokës komuniste, është krejt legjitime të bëhet pyetja: a ka kuptim të vazhdohen të prodhohen e të riprodhohen të njëjtat debate që kishin legjitimitet para gjendjes së jashtëzakonshme virusale? Ose pyetur më saktë e më përgjithshëm, meqë katastrofa planetare përfshin edhe vende joishkomunistë: a ka kuptim të riprodhohen të njëjtat produkte kulturore që prodhoheshin në gjithë planetin para gjendjes së jashtëzakonshme virusale 2 muaj burg në shtëpinë tënde?

(Ritheksoj se nuk bëhet fjalë vetën për kontekstin shqiptar, i cili s’do mend që nuk ngre peshë fare në situatën katastrofike ndërkombëtare. I njëjti problem shtrohet njësoj psh edhe për Italinë me të kaluar fashiste. Akoma sot në Itali, mbas 80 vjetësh, pothuaj trefishi i viteve tonë post-komunistë, gjëndja e debati publik ngjan si dy pika ujë me albanezin; ndryshojnë vetëm niveli i edukatës (hipokrizi nëse mbetet vetëm nivel edukate) dhe termat: italian style “fashist”, “antifashist”, “post-fashist”, korespondojnë saktë me albanez style “komunist”, “antikomunist”, “post-komunist” etj).

Syri i njeriut arrin të dallojë diferencat e largësisë të objekteve ndaj tij deri në 500 metra larg, në kuptimin se objekte që ndodhen më tepër se 500 metra larg, syri i njeriut i percepton njësoj të projektuara në të njëjtin plan. Ky fenomen i detyrohet distancës “paralaksike” midis dy syve, e cila përbën arsyen e lodrës së fëmijrisë që mbyllet një sy dhe duke u hedhur vetëm me një këmbë, rreket të kapet një objekt 1 m larg. Eshtë gjithashtu edhe një prej arsyeve përse automatiku Kallaçnikov nuk bënte qitje direkte kundër objektesh të ndodhur më larg se 400 metra.

Fenomeni në fjalë mund të përdoret si metaforë për të treguar se edhe perceptimi i kohës është relativ njësoj si koha. Thënë ky relativitet, jo në kuptimin ajnshtajnian të kohë-hapsirës, por në kuptimin bergsonian: përveç kohë-hapsirës fizike, ekziston edhe kohë-hapsira psikologjike (me këtë teze bergsoniane ka bërë karrierë edhe Prusti duke keqkuptuar mesazhin origjinal). Shpjeguar duke reduktuar banalisht: kohë-hapsira matet objektivisht mekanikisht me njësi kohore (sekonda, minuta, orë etj) dhe njësi metrike përkatësisht, por matet edhe subjektivisht shpirtërisht. Psh: kur pritet një shok a mik që vonon të vijë, nuk kalon koha për qamet, një orë të duket një vit, ndërsa në një festim anasjelltas, kalon rrufeshëm. Po njësoj mund të shpjegohet hapsira si relative nga pikpamja psikologjike: ka shtëpi dhe dhoma me dimensione metrike të mëdha, e megjithatë brënda tyre të merret fryma sepse sendet nuk janë vendosur me shije në vëndin e duhur, por janë hedhur kuturu, e hapsira e madhe duket e ngushtë si birucë burgu. Çuditërisht duket edhe e pisët, edhe po qe se e sapo larë.

Kuptuar mirë sa më sipër, e më pas transplatuar në problemin e shqyrtuar, edhe koha historike ka dy lloj perceptimesh njësoj legjitime: koha kalendarike dhe koha psikologjike, ose me saktë koha parapsikologjike. Thënë më konkretisht: mbas zamallahisë postkomuniste 30 vjeçare dhe katastrofës virusale foshnjë 3 muajshe, i bie që epoka komuniste të jetë larg në kohë 500 metra, pikërisht aty ku syri nuk i dallon më distancat midis objekteve. Eshtë e pamundur që një person normal jo i zanatit si historian të ketë emocione reale në kohë-hapsirë me larg se 500 metra. Vetëm një historian ekspert, duke qorruar sytë mbi libra mbas studimesh pa fund, mund të arrijë të krijojë kontekstin e një epoke të shkuar historike, dhe nga kjo vuajtje mund të bjerë në trans e të takojë për së gjalli kufoma historike, e tu thotë: Qe palla Pirro i Epirit, a ma ke pa gjo Aleksandrin e Modh?. Për këtë shërbim publik eksperti merr rrogën. Një njeri i zakonshëm jo ekspert jeton përditshmërinë, dhe mirë bën se edhe jeta i bindet Principit Ekonomik (në kuptimin që nuk duhet të harxhojë energji më kot pa kompensim, ndryshe nuk ka rendiment në rastin më të mirë, dhe në rastin më të keq: sëmuret nga trutë dhe fiziku).

Kanë kaluar vetëm pak muaj e megjithatë duket si problem i kohës së Nuhut dhe pa pikë kuptimi fjala vjen revolta publike më e fundit: Rama po na prish kompensatat e ngrehinës të Teatrit Kombëtar, bashkangjitur edhe shpresën komike se prej kësaj revolte do të lindej një Lëvizje intelektuale shpëtimtare për vëndin. Mbas pamjeve tragjikomike të vazhdushme live në TV të kryeministrit që diskuton on line për misterin e vdekjes dhe sakralitetin e shtetit ligjor - në zyrë para kompiuterit ose me miletin në rrugë -, teatri grek, Eskil e Aristofan bashkë, duken si teatër kukllash për kalamaj.

E çfar vlerë ka tani leximi i përsijateve filozofike të Karl Scmmitt dhe Benjamin lidhur me shpalljen e “gjëndjes së jashtëzakonshme” (për këtë temë kam shkruar këtu), kur kryeministri Conte qau me lot të hidhur live në TV duke thënë me pak a shumë (citoj me kujtesë):

Unë jam me zanat jurist me besim të plotë në idealin demokratik, e një zot e di sa më ka dhëmbur kur dhashë urdhërin të shpallej gjëndja e jashtëzakonshme e luftës që të dërgohej ushtria për të shtetrrethuar dy zona me rrezik infektimi.

Karl Scmmitt dhe Benjamin kanë përsijatur rreth një teme absurde si intelektuale ex cathedra, kryeministri Conte qau duke e provuar të njëjtin absurd të Sovranit në lëkurë si politikan kryeministër. U kry bacë!

E për ta mbyllur me të qeshur në këtë kohë të qarash me oi, produkti më napoletan i Napolit si ilaritet i gjeniut që po ngazëllen gjithë Italinë është diskursi i De Luca (governatorit i Campania, i mbiquajtur Sherifi), shëmbull më i shkëlqyer që realiteti qëndron shumë më lart artistikisht se fiction. Çdo ditë Sherifi furnizon mediat me fjalën e tij në TV provinciale. Në komentet jutubore poshtë videove të humoristit Crozza që e imiton, si rëndom e kërkon humori, duke e shpënë në skajet më të papërfytyrueshme diskursin e De Luca, gjen vazhdimisht komente drejtuar artistit humorist: Lerë këtë punë, shko në shtëpi se Sherifi e bën më mirë imitimin e vetvetes!


Ore se për pak harrova, a di gjë njeri nëse do të mblidhen pleqtë e Stokolmit për të caktuar se cili do jetë sivjet fituesi i çmimit Nobël per letërsi?


pjesën e mëparëshme e gjeni këtu

Do te mblidhen ,dhe si ngahera edhe kte vit nuk do ja japin Kadarese. Sepse jam dakort me ate shprehjen-slogan qe thuhet lart e poshte per te:
" Kadare eshte nje Shkrimtar I madh , por nuk eshte kurre nje Shqiptar I madh " A thua vetem per nje detaj kaq te Vogel mos e Marr kte cmim gjigand ? …

Tani e ka vdek nona qe Kadare eshte 500 metra larg radiacionit elektromanjetik te celularit tend “o komentator me celular ne dore:laughing:, por eshte ne diskutim mbledhja e pleqeve te Suedise sepse akoma nuk dihet sa kilometra larg do shkoje kataklizmoja e virusit. Per te mos fol se ne as nuk i kemi idene se çfar kryeveprash arti po prodhohen ne fshehtesi nga artiste te rinj. Eshte rregull ne histori te artit qe ne kohe kataklizmash krijohen vepra arti cilesore qe krijojne epoke, sepse eshte frika e vdekjes qe krijon vepren artistike. Psh disa konsiderojne fillese te romanit modern romanin “Dekameroni”, i cili rrefen ne intredakshen se disa te rinj u mblodhen bashke ne nje vile larg qyteterimit per t’i shpetuar koleres qe atehere po bente kerdine ne Evrope. Per te mposhtur friken e vdekjes nga kolera, kta filluan t’i tregonin njeri tjetrit tregime porno (pra eros-thanatos i gjithmon gjendur), te cilat i pelqejne kaq shume Pjer Paolo Pasolinit saqe beri filmin e modh “Dekameroni” (eros), por edhe te kundertine e tij, filmin akoma me t’modh “Ungjilli sipas Mateut” (thanatos).

Me keto qe na shofin syte e na degjojne veshet ne keto kohe kolere, prit kur te dale artisti me i modh ne bote qe drejton filmin me te modh ne bote me titullin “Ungjilli sipas Marlonit”.:slightly_smiling_face:

Ktu ke filmin e Pasolinit (me i modhi katokomunist, erosthanatos, pra me i modhi intelektual) qe e ai e quante me t’modhin film nga te gjithe filmat qe kishte bere. Per mu eshte me i modhi per muzike-kenge-titrat e fillimit te filmit, dhe ne fund te kenges (kryeveper fare) ke thelbin e nje interviste qe i ka bere nje gazetar i modh (Edgard Snow) shokut Mao (po ta perkthej meqe eshte sllavisht):

Edgard Snow:
-Per ku shkon njerzimi?

shoku Mao:
-Boh!