TË VRASËSH GJYSHIN
Ruajtja a jo e teatrit nuk është çështje arkitektësh; ajo është çështje qytetare.
Madje diskutimi në këtë formë e zhvendos vëmendjen nga ajo që po ndodh realisht: vjedhja e pronës publike (truallit) për qëllime korruptive.
Truket që përdoren në këtë fushatë janë si të natyrës profesionale, të cilat publiku i paspecializuar nuk para i kupton dhe nuk ka as pse, si të natyrës mediatike, e jo së fundmi të asaj patetike.
Po i marr me radhë:
Truku profesional nis me »projektin« për teatrin e ri.
Derimë tani shihen në media vetëm vizualizime (renderime) të objektit e një skicë për vëllimet e objektit të ri, punë këto që mund t’i kryejë edhe një student arkitekture me një program vizualizimi 3D për një javë, të themi.
Por ky nuk është ky thelbi: truku këtu konsiston në gjymtimin që ka ndodhur pa nisur ende projekti. Trualli është ndarë qysh më parë dhe i vetmi kusht për të planifikuar »teatrin e ri« ka qenë ngjeshja sa më e mundur e tij në pjesën e përparme të truallit, për të gllabëruar sa më shumë të jetë e mundur nga ky.
Me të ndodhur kjo është e kotë të vazhdohet të flitet për objektin e ri dhe arkitekturën e këtij, aq më tepër kur bëhet fjalë për kartolina me ngjyra ku mungojnë (qëllimisht) hijet kërcënuese të kullave 20 a më shumë kate ngjitur me të.
Tha Ministrja Kumbaro e Kulturës për teatrin, mes të tjerash:
(…) në vlerësimin e Institutit të Ndërtimit, të bërë në fillim të këtij viti, theksohet se: Përtej ARKITEKTURËS, QË ËSHTË JASHTË TË GJITHA NORMAVE, përtej strukturës, që bën të pavlefshme çdo ndërhyrje (…)
Natyrisht që fjalia që kam shenjuar me shkronja të mëdha është një broçkull e padëgjuar dhe tregon më së pari injorancën e kujt është shprehur kësisoj për arkitekturën si të tillë.
Në njëfarë mënyre ajo ngërthen edhe problematikën e prishjes a jo të teatrit, një dilemë e shtruar dhe kjo së prapthi, pasi ajo duhej të ishte: ruajtjes a jo të tij.
Të thuash se arkitektura qenkësh jashtë normave është si të thuash se një roman qenkësh jashtë normave; kësaj i thonë jo vetëm të mos thuash asgjë, por të flasësh kodra pas bregut.
Ashtu si letërsia, bie fjala, është art i fjalës, arkitektura është art i ndërtimit ose: art i organizimit të hapësirës. Dhe jo vetëm kaq, natyrisht. Ndaj ajo nuk ka se si të ketë NORMA.
Mirëpo nëse i qasesh kaq jangllësh kësaj teme qysh pa nisur akoma argumentimin, gjithçka vjen më pas do të jetë pa lidhje.
Dhe ashtu është: Kumbaro ngatërron muret perimetrale prej pupuliti me arkitekturën, ngatërron strukturën me konstruksionin e me radhë, për të dalë natyrisht te kostot që qenkëshin shumëfish më të larta, nëse objekti do të ruhej.
Edhe ky një budallallëk me okë, pasi për të folur për kostot e një objekti të ri më së pari duhen bërë publike planet e këtij e kjo nuk bëhet me vizualizime nga perspektiva e zogjve.
Ka fort të ngjarë që shpenzimet për objektin e ri t’i kalojnë njëzetfish a më shumë kostot për ruajtjen e të vjetrit. Me gjasë në llogaritjet diabolike të kësaj natyre përfshihen edhe kostot e truallit, e kjo pastaj jepet si argument, si diçka e dhënë, si fakt.
Por natyrisht që çdo arkitekt e di se këto të dhëna janë të manipulueshme lehtë; mjafton të shihen për këtë tejkalimet e vazhdueshme të buxhetit fillestar nga “yjet” e arkitekturës botërore për ta kuptuar këtë.
Filarmonia e re në Hamburg, sa për të marrë një shembull, kushtoi 11,24 herë më shumë se 77 milionë eurot, që ishte shuma e planifikuar.
Sidoqoftë, Kumbaro ngatërron objektin me subjektin e këtij dhe ky i fundit nuk gjendet as në mure, as në bazamente e as në shifra.
Për ta thjeshtuar disi bisedën për miqtë që nuk janë të fushës, po marr një shembull vulgar: kemi një sëpatë të vjetër që ka qenë e prindërve në shtëpi e tehu i saj nuk pret më mirë, apo bishti i është krisur.
Nëse i ndërrojmë bishtin sëpatës me një të ri, ia mprehim tehun, e përdorim kështu për disa breza, pastaj në një kohë tjetër, i blejmë një teh të ri, ngrihet pyetja: a është kjo po ajo sëpatë e vjetër?
…
Ndërsa truku mediatik ndodh kur profesionistët e një fushe tjetër, të aktrimit, fjala vjen, binden nga argumentat që sillen nga një tjetër profesion, të cilin nuk kanë se si e pse ta kuptojnë, ndërkohë që specialistët e ndërtimit të qeverisë nisin e flasin për të tjera fusha, si arkitektura apo kultura, fjala vjen.
Nuk mund të mungojë këtu patetika e rëndomtë, nganjëherë morbide, e tabloidëve tanë dhe vetëm e tyre, parë që medie serioze mungojnë ose numërohen me gishta, e llojit:
Kadri Roshi ëndërronte për një teatër të ri… Aktori i madh Robert Ndrenika tha: ju bëj të ditur se nuk jam Jezu Krishti, bile as Barabai … apo: Luftar Paja për teatrin, etj.
Për fat të keq kësaj patetike nuk i shpëtojnë as kundërshtarët e prishjes së teatrit: Lulzim Basha kërcënon arkitektin si persona non grata në mëmëdheun nga i cili po largohen përditë me mijëra, një arkitekt garanton me jetën e tij, një aktor bën thirrje për luftë se e ka patur të jatin oficer e të tilla emocione të panevojshme për audiencën.
E megjithatë: Argumentimi i atyre që duan të shembin teatrin - nënkupto: duan të zhvasin truallin e tij për arsye përfitimi - mund të krahasohej fare mirë me:
Vrasjen e gjyshit për të lindur një fëmijë.
Një teatër i ri mund të ndërtohej kudo: mirëpo ç’lidhje ka kjo me ruajtjen e të vjetrit?
Pse duhen vënë përkundër ngritja e një objekti të ri dhe shembja e një tjetri të vjetër?
Pse duhet vrarë gjyshi pra, për të lindur një nip?
Këtë vetëm Rilindja e di. Dhe mafia e ndërtimeve.