Një avion spiun amerikan u përplas me një avion kinez i cili po e ndiqte. Ekuipazhi mbijetoi por mbeti në territor kinez dhe u deshën 11 ditë për t’i nxjerrë që andej. - Kjo ishte sprova më e vështirë për administratën e George W Bushit në 100 ditët e para, në vitin 2000, dhe po të shihje si dukeshin gjërat atëherë nuk do mund të kishe asnjë ide mbi trashëgiminë e presidencës së Bushit, e cila u shenjua nga 11 Shtatori e më pas luftrat në Afganistan dhe Irak. E njëjta gjë mund të thuhet për shumë presidentë të tjerë, 100 ditët e para janë një matës i mangët pasi ngjarjet marrin drejtime të papritura.
Megjithatë, 100 Ditët e para, një matës i përdorur fillimisht nga presidenti FDR, kanë një farë vlere, në atë që na japin një shije të stilit, aftësive dhe prioriteteve që një administratë ka. Presidenti Trump në këto 100 ditë u përball me pushtetin absolut dhe përgjegjësitë e jashtëzakonshme që të ngarkon kjo punë dhe kjo përballje natyrisht tregon jo pak mbi të.
“I kërkoj popullit amerikan të ëndërrojnë ëndërra të mëdha. Ai që po vjen është plan-veprimi im 100 ditor për ta bërë Amerikën të madhe sërish. Kjo është një kontratë mes Donald J. Trump dhe votuesit amerikan dhe fillon me sjelljen e ndershmërisë, llogaridhënies dhe ndryshimit në Uashington DC.” - këto ishin fjalët e kandidatit Trump ndërsa prezantonte “Kontratën me votuesin amerikan”, tetorin e vitit të kaluar.
Njëra nga vështirësitë e parashikuara që dallon këto 100 ditë janë lidhjet e tij të dobta me Partinë Republikane dhe mungesa e përvojës në administratë. Trump ka hasur probleme me mbështetjen e republikanëve në kongres dhe ka demonstruar se nuk i njeh mirë levat dhe butonat e pushtetit. “Askush s’e dinte që shëndetësia ishte kaq e komplikuar,” - tha Presidenti në një rast, por ka shumë njerëz që thonë se e dinin.
Megjithatë votuesit e Trump janë treguar mirëkuptues ndaj ti deri më tani. Në një sondazh të publikuar të hënën 96% e atyre që votuan për Trump në nëntor thoshin se do ta votonin sërish. Vonesat me murin, pamundësia për të zëvendësuar Obamacare dhe dështimi me kufizimet e udhëtimeve nuk i kanë tutur mbështetësit e Presidentit. Disa dorëheqje në administratën e re dhe hetimet mbi rolin e Rusisë në fushatën presidenciale nuk kanë ndryshuar mendjen e shumë njerëzve. Shtëpia e Bardhë përpiloi një Memo me 14 faqe për të përmbledhur sukseset e deritanishme.
Stili i tij i komunikimit ka qënë shumë interesant këto 100 ditë, me furinë e twitteve të herëpasherëshme dhe marrëdhënien delikate (për të përdorur një fjalë delikate) me mediat. Kjo formë e pafiltruar komunikimi është shumë efikase dhe presidenti ka arritur t’i bëjë të gjithë çorap. A është kjo një strategji e mirëmenduar apo thjesht komunikim sporadik i lirë nga ana Trump, ka pak rëndësi. Po funksionin për ta mbajtur Presidentin gjithmonë në vëmendje, edhe pse ka “armiqësi” midis tij dhe mediave tradicionale, sidomos ato liberale.
Më shqetësuese mund të konsiderohen qëndrimet dhe veprimet e tij lidhur me ndikimin mbi mjedisin. Trump e konsideron qymyrin të pastër dhe, rregullat të dëmshme. Megjithëse ai nuk i tërhoqi Shtetet e Bashkuara nga Akordi i Parisit, po i tërheq nga roli i liderit botëror në frenimin e ndryshimeve klimatike, që është një çështje shumë e rëndësishme për miliona votues amerikanë.