1
Ka njerëz që kanë vuajtur jo pak në jetë, megjithatë kanë bërë të vuajnë të tjerët shumë më tepër.
2
Kulmi i inteligjencës është të dish të bësh edhe idiotin kur e do puna.
3
Teoritë e Komplotit janë produkt e shpresës së kotë (hë për hë) që bota mund të kontrollohet. Është mizore t’ja heqësh këtë shpresë njeriut.
4
Sa me tepër shtyhet drejt rrënjëve, aq me tepër kapet për degësh.
Sa më tepër shtyhet drejt qendrës, aq me tepër vrapon këmbëlehtë drejt periferisë.
5
Servilizmi rri me arrogancën si përulësia me krenarinë.
6
Kulmi i absurditetit të botës është se Nënë Tereza ndjehet fajtore për krimet e botës, ndërsa një serial killer ndjehet i pafajshëm si foshnjë e sapolindur.
7
Ankohen “ah, e njëjta histori gjithmonë!" sepse historia (individuale dhe njerzore), nëse nuk përmbushet, detyrimisht përsëritet derisa të pëmbushet.
8
Proçesi i harresë-kujtesës është gjithnjë i interesuar, kujtohet diçka që intereson si “interesante”, dhe harrohet si jo interesante diçka tjetër që nuk leverdis.
9
Jashtë shtetit komshiu nuk të di as emrin, ndërsa dikur brënda shtetit komshiu dinte më tepër se ty për dosjen tënde.
10
Prostituta e paguar për të shitur trupin është zanati më i vjetër në botë; intelektuali i paguar për të shitur mëndtë është zanati më i ri në botë.
11
Tjetrin e kupton vërtet vetëm kur je më i lumtur se ai.
12
Inteligjenti është një budalla në mes dinakësh.
13
Shprehja “kjo është shkencore” ka zëvendësuar shprehjen e herëshme “është e shkruar në Bibël”.
14
Kur njeriu prodhon objekte materiale, humanizon materien.
15
Nuk zbukurohet duke e stolisur me lule, por duke e bërë vetë lule.
16
Kush nuk kap atë botë, humbet edhe këtë botë.
17
Në atë botë nuk gjejmë gjë tjetër përveç çfarë çojmë atje nga kjo botë.
18
Historia providenciale është Teksti i shkruar jashtë hapsirës dhe kohës, konteksti është historia e shkruar në hapsirë-kohën e librave të shkollës.
19
Të qenurit kundër çdo lloj ideologjie është ideologji më vete që luan kukamçefti e fshehur mbas vetvetes.
20
Shprehja “vlera e një vepre arti është ose zero ose infinit” është e barazvlefshme me "zero dhe infiniti janë dy madhësi të papërfytyrueshme dhe të papranueshme nga mendja e njeriut”.