Pjese nga Intervista e 1995 (VQ)
" …-Gjatë vitit 1991-92-93-94 e tani 95, këtu në Tiranë, kanë ardhur e vazhdojnë të vijnë nga zona të ndryshme të Shqipërisë fshatarë e qytetarë të ndryshëm, sidomos nga zonat veriore të Shqipërisë.
-Është e vërtetë që rendi kapitalist privat, i gjeti njerëzit e këtyre zonave pa asnjë të ardhur e pa asnjë përkrahje nga shteti. E duke qenë se shumë njerëz ngelën pa asnjë përkrahje sociale, si rrugë shpëtimi panë zbritjen drejt zonave të begata të Shqipërisë, ku pjesa dërrmuese u ngulën në rrethinat e Tiranës e të Durrësit. Të tjerët, një pjesë e vogël, në rrethet më poshtë. Ky shtet pis, shteti i Sali Berishës, duke mos qenë në gjendje t’i ndihmonte t’u krijonte kushte të jetonin si njerëz atje ku ishin, bëri sikur i ndihmoi që i lejoi të vinin në Shqipërinë e Mesme. Në fakt ishte toleranca e njerëzve të Tiranës, Durrësit e popullit të këtyre zonave, që bëri të mundur qëndrimin e veriorëve në këto zona, dhe jo P.D. e Sali Berishës. E këtë gjë e thonë vetë të ardhurit e këtyre zonave. Ky shtet, kjo qeveri, po të ishte e zonja, të ngrinte pallate për këta njerëz, me aksion po të qe nevoja, ku të fusnin orë pune këta që kërkonin të sistemoheshin. Kanë ardhur miliona dollarë ndihma, pse nuk u investuan në problemin e strehimit. Aq territor sa zënë 2-3 familje me shtëpi përdhese me oborr, zë një pallat me 30 familje, për të mos thënë 40-50 familje, po të ngrihet mbi 5 kate pallati. Po të bësh një llogaritje të thjeshtë, një pallat me 30 hyrje (2+1 kuzhinë), me nga 30 milion (të vjetra) për hyrje i thonë 900 milion lekë, për të mos thënë më lirë, po të fusin orë pune (pa pagesë) të interesuarit për strehim. Megjithatë ne po vëmë maksimumin, 1 milion dollarë për pallat. 100 pallate = 100 milion dollarë, ku strehohen 3 mijë familje, që i thonë 15-20 mijë banorë. 300 milion $ ku strehohen afro 10.000 familje, ose afro 50 mijë frymë. Ja ku u zgjidh problemi i të ardhurve. Pse të mos investonte ky shtet pis, në ndërtimin e pallateve. Mirë lekë që s’jep nga xhepi i vet kjo qeveri idiote, po pse pengon që ato dollarë ndihma që vijnë të mos shkojnë të ndërtohet një kompleks pallatesh në Kodër – Kamëz, në Bathore, në Sauk, në rrethinat e Durrësit. S’po mirret vesh ku shkojnë këto ndihma. Sikur 500 pallate të ndërtonte kjo qeveri për vitet 1993-94, me ndihmat që vijnë, jo vetëm që do të zbuste strehimin, jo vetëm që s’do të zihen tokat, siç janë zënë tani me baraka si ne Somali, po do të bënte që të vilte të ardhura nga fabrikat e çimentos, tullave, hekurit, apo nga eksportimi i tyre. Se 500 pallate për 1-2 vjet s’janë gjë e pakët. Edhe sikur me afat shlyerje 1-10 vjet, t’jua jepte të pastrehëve, do të krijonte precedent që për 1994-95 të ndërtonte 500 pallate të tjera, gjë që do të thotë dhe 15 mijë familje të tjera për t’u strehuar. Nga 5 veta për familje (mesataren) t’u vësh, i thonë 75 mijë veta të strehuar. Nga 92 deri më tani 95 duhet të strehoheshin 150 mijë frymë. Biles të ngrinin pallate dhe në zonat verilindore. Shqiptari po të ketë një hyrje, një apartament, fillon e jeton si njeri, nuk e mban mendjen të ngritur, obobo ku të fus kokën, si t’ja bëj, ku të vjedh, ku të mashtroj…"