Arti dhe ari

editorial i pa firmosur i të përmuajshmes Il giornale dell’arte, nëntor 2008


Etika e estetikës

A mund të krahasohet “sistemi” i artit me “sistemin” e financës që u zgërlaq e u katandis more ku je?

Veprat (e diskutueshme) të artit bashkohor, a ngjajnë si dy pika ujë me prodhimet “helmuese” të financës, “derivatëve” famëkeqë?

Po operatorët e botës së artit, a nuk janë e njëjta race e “kriminelëve me dopiopet” të financës, krijues matrapazë prodhimesh “artificialë”?

Bie menjëherë sy se - lënë mënjëanë ngjashmëritë morfologjike - edhe metoda e argumentet e praktikuara prej këtyre për të shitur mallrat e tyre pa vlerë, duken jo pak të ngjashme me ato që janë në përdorim në tregun e artit.

Ndërkohë që bota përballet me krizën më të keqe që mbahet mend ndonjëherë, çdonjeri do të donte të dinte se cilat do të jenë pasojat negative jo vetëm mbi pronën e tij, por edhe mbi burimet e të ardhurave më konvencionale dhe më të besueshme, e në veçanti mbi të ashtuquajturën ekonomi reale, dmth mbi aktivitetet prodhuese të të mirave reale. Njerzit e artit pyesin veten: sa dhe kur cunami financiar do të shkatërrojë edhe ishullin e tyre të lumtur, mikrobotën e tyre të quajtur nga shumë pikpamje vëndi utopik i bollëkut, i cili çuditërisht, për boshllëkun dhe kotësinë, të kujton atë idiotsi absolute që është “ishulli i të famëshmve” (reality show isola dei famosi).

Për të kuptuar duhet filluar prej domethënies së dukurisë. Shpjegimi më i thjeshtëzuar i katastrofës është si pason: janë shpenzuar shifra kolosale për të blerë “prodhime” të sajuara, të paqena dhe pavlerë nga personë të shtyrë për ta bërë këtë prej shpresës dhe premtimit që vlera e tyre do të shtohej. Fuçia e barutit shpërtheu sepse pjesa më e madhe e parasë të shpenzuar kësisoj ishte marrë borxh. Befas, borxhdhënës dhe borxhmarrës u gjëndën pa kurrgjë në xhep. Kush ka blerë vepra arti në këto vite, si do t’i vejë halli tani? Me një fjalë veprat e artit, ndryshe nga prodhimet finaciare që janë thjeshtë copa letre, e kanë pra një vlerë? Ato të paktën e kanë një qenësi të tyren: janë përbërë prej kanavacës, telajos dhe përbërësave të ndryshëm. Janë fabrikuar (si ta thuash?) për kënaqësi. Në dukje janë pëlqyer. A do të pëlqehen akoma?

Në këtë verifikim (shqetsues) të ngjashmërive në përpjekje për të përftuar një parashikim të arsyeshëm për të ardhmen e afërt, një mungesë dhe një ngjashmëri spikatin dukshëm mbi të tjerat:

Mungesa e madhe është kompetenca: e operatorëve, e blerësve, dhe së fundi e kontrolluesve. Nëse këto tre kategori do të ishin kompetente, hataja do të ishte shmangur. “Mashtrimi” i madh do të ishte shmangur sepse do të ishte demaskuar menjëherë. Ekziston në fushë të artit kjo kompetence? Le ta themi hapur: blersit (dhe shitësit e pa sajuar të orës së fundit) e kanë këtë kulture të nevojshme? Apo është ndjekur moda, fjala gojë mbas goje, fama me të dëgjuar? “Vlera” jerm dhe dehëse e markës firmato dhe asgjë tjetër? A ka verifikuar njeri?

Ngjashmëria është se përcaktues i zakonshëm i gjithçkaje është besimi. Besimi në këshillën e “ekspertëve”, në vlersimin e tyre, në pagabueshmërinë e vlersimit, në qendrushmërinë e palëkundur të bankave, në seriozitetin e bankierëve, në parashikimet e padyshimta të ekonomistëve të njohur. Pyetja pra është: a mund të besojmë tek operatorët dhe “ekspertët” e artit? Dy elementë duhet të interesojnë blerësin e matur të veprave të artit që harxhon shifra të fryra: siguria e vlerës “artistike” dhe besueshmëria e vlerës koleksioniste (stima e vlersimit të tregut). Fakti është që, saktë si në finance, të dyja vlersimet prejardhen nga të njëjtët operatorë. Kush shet kontrollon ekspertin që “kontrollon” (vërtet?) kush shet dhe këshillon kush blen.

Ja përse, në fushë të finances, thuhet se jetojmë një krizë “etike”. Por në fushë të artit është “estetika” në lojë. Eshtë e konceptueshme një etikë e estetikës? Etika. Dikur e quanin ndershmëri. Ndershmëria mund të gabojë. Por nuk mashtron.

FUND

-------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------

Ky artikull dëshmon shkëlqyeshëm dhe thjeshtë ekzistencën e lidhjeve thelbësore, komplementare dhe kompromentuese midis artit dhe ekonomisë, veprës artistike dhe veprës ekonomike (mallit), vlerës artistike dhe vlerës monetare, vlerës artistike dhe mbivlerës të kapitalit etj.
Me shumë marifet redaksional, menjëherë poshtë artikullit është faqosur një lajm tepër domethënës, në dukje pa kurrfarë lidhje me temën:

Këshilli themelues i Museion (muzeu i artit modern dhe bashkohor të Bolcanos) në 27 tetor ka pushuar “në vend” drejtoreshën Corinne Diserens. Vendimi është motivuar nga “situata e vështirë finaciare e përcaktuar nga shpenzimet e mëdha të përdorura pa autorizimin e organeve kolegjiale të Museion dhe pa mbështetjen e nevojshme financiare”. Nuk ka asnjë lidhje, sipas vendimit të muzeut, me polemikat për ekspozimin e Bretkoca e kryqzuar të Martin Kippenberger në Museion deri në 21 shtator në ekspozitën përuruese Vështrim periferik dhe trup kolektiv. Drejtori i ri do të emërohet “sa më shpejt që të jetë e mundur”.

Për të kuptuar arsyen e këtij lajmi të ndarë prej artikullit vetëm nga një vijë e trashë, duhet ditur se instalacioni artistik Bretkosa e kryqzuar e Martin Kippenberger (varur në ballë të hyrjes në Museion) paraqet një bretkosë në pozën e shpëtimtarit në kryq, 1 metër e lartë, ngjyrë jeshile kërcitëse e pështirë, llapën nxjerrë jashtë prej ngërçit, në njërën putër të gozhduar mban një krikëll birre dhe në tjetrën një vezë (simbole përkatësisht të besimtarisë hipokrite dhe ezoterizmit). Çmimi i veprës është 30 milion euro. Kjo vepër arti shkaktoi (në shtator të vitit 2008) një reagim të ashpër prej partisë së djathtë Alleanza Nazionale dhe opinionit publik katolik.

Më tej në përshkrimin e një ngjarje tjetër artistike paralele që i dëshmon saktë shenjat e kohës. Pikërisht në të njëjtat ditë që bënte vaki hataja e falimentimit të superbankës Lehman Brothers (sponsor i pothuaj të gjithave iniciativave te ndërmarra nga shoqata Adaa, Art Dealers Association of America), gazetat lajmëronin suksesin e jashtëzakonshëm të ankandit të organizuar (15-16 shtator) nga artisti performance Damien Hirst, i cili mbasi u bë kurator i ekspozitave të të tjerëve dhe më pas edhe të vetes, kuturisi t’i shiste veprat e tij drejtpërdrejt publikut, pa ndërmjetsinë e galerive që zakonisht përlajnë 40-60% të të ardhurave nga shitjet. Fitimi i ankandit në fjalë kapërceu edhe parashikimet më optimiste të specialistëve: në mbyllje të ankandit arka kyçte brenda shifrën e rrumbullak 112 milion stërlina. Në lidhje me hallin e artikullit tonë, ja vlen të përmendet që Hirst theu një rekord të ankandit të artit bashkohor duke shitur për 13 milionë euro instalacionin me titull Viçi i artë: një buall prej vërteti, i ruajtur në formalinë, me brirë dhe thundra prej ari safi 18 karat, mbyllur në një akuarium prej qelqi mbi një bazament prej mermeri Carrara të latuar në stil klasik (398 x 350 x 167 cm).

Shtuar mbi samar që ankandi ishte konceptuar në vetvete si një lloj performance dhe happening (dmth arti i vërtetë bëhej ironikisht nëpërmjet aktit të shit-blerjes së veprës së artit), nuk duhet shumë mend për të kuptuar se bëhet fjalë bash për viçin e artë biblik (simbol i adhurimit të parasë që shkëmben adhurimin ndaj Zotit), për më tepër kësaj radhe konstruktuar dhe adhuruar edhe prej vetë Moisiut modern si kapobande e idhujtarisë së rreme. E akoma për më tepër, kapobanda është krejt i vetedijshëm se çfar po bën, madje provokon duke bërë parodi me aktin që ka hedhur themelet e shoqërisë perëndimore (Dekalogu), dhe te planetit mbarë, të ndikuar rëndë prej Perëndimit në epokën moderne, me fillesë epokën koloniale.

Nuk është rastësi që pikërisht në çastin kur arti vë në dyshim me tallje themelet e shoqërisë njerzore, kriza e mbivlerës finaciare, e shkaktuar me njëjtë logjikë si të krizës së mbivlerës artistike, vë në dyshim ekzistencën e kësaj shoqërie. Nuk është rastësi, por është dëshmi safi që efekti i artit nuk ka të krahasuar me të tjera veprimtari kulturore (me përjashtim të ekonomisë, biznesit).

Në çdo shkrim studimor për Hirst përmendet rëndom se ai është trashëgimtar i denjë i veprës së Andy Warhol, dhe ky i fundit është trashëgimtar i denjë i Duchamp, autorit të ready made ose istalacionit të parë në historinë e artit. Në jetën dhe veprimtarinë e Warhol bën mù ndërlidhja art-ekonomi: ai studjoi pikturë dhe design në Carnegie Insitute of Technology, vizatoi këpucë, punoi si grafist reklamash, zbukurues vetrinash, sipërmarrës krijimi masiv, zbulues dhe mecenat talentesh artistikë, shpikës prirjesh të reja artistike, stilist dhe organizues aktivitetesh mondane, regjizor dhe prodhues filmash avangard, menazher grupesh rock, e sa e sa të tjera akoma. Ky artist total shembullor - konsideruar rëndom eksponenti kryesor i Pop Art - vuri në jetë një mënyrë të re për të konceptuar krijimin artistik të krahasueshëm me mbarëvajtjen e një ndërmarrje që prodhon në seri, mekanizimit, shpersonalizimit të idesë origjinale prej lloj-lloj asistentësh, me fjalë të tjera zbatoi në art shpikjen fordiste të “montimit zinxhir” (tipike amerikane). Ai krijoi një lloj ofiçine pune kolektive - jo rastësisht pagëzuar me emrin Factory (ndërmarje) - ku kryhej trasformimi i artistit, nga romantik që krijon nën frymzimin individual, në manaxher që organizon dhe drejton një komunitet prodhues. Ja çfarë shkruan në autobiografinë e tij me titull Filozofia e Andy Warhol:

Dëshiroj të jem një Business-Man i artit ose një artist i Business. Të jesh i zoti në biznes është forma më magjepëse e artit. (…) të bësh para është një lloj arti, të punosh është një lloj arti, të bësh biznes të hajrit është mënyra më e mirë e të bërit art. (…) arti i biznesit qëndron një shkallë më lart se Arti.

Me gojë të tij pohon (në autobiografinë në fjalë) se kur i binte udha pranë ndonjë kishe, futej brënda për të lutur Zotin që të fitonte sa më tepër para.

1 Like

xixe, hëm, hëm
e pastrova gryken qe me mjes!

1 Like

xixe që thu ti, bankieri Oppenheim, mbasi e bleu pikturën Trëndafilat e Bardhë të Van Gogut (që në të gjallë të tij nuk arriti të shesë asnjë pikturë), e soditi për dy orë rresht dhe pastaj u paraqit në seancën në të cilën përlau shumicën e aksioneve të Bankës Kombëtare.

Këtë pikturë Oppenheim e kish vendosur në një dhomë krejt bosh ku nuk kishte gjë tjetër përveç saj, dmth dhomën e përdorte si altar adhurimi religjioz. Herë pas here hynte në këtë dhomë ku kalonte orë të tëra në gjëndje transi, pastaj shkonte të punonte, dmth të bënte para me thasë.