Zbriti shkallët e WC publike nëntokësore që ndodhej mbrapa Komitetit Ekzekutiv, dhe në çdo shkallë që zbriste drita mpakej dhe shtohej era amoniakale e urinës që të shponte hundët, shoqëruar me erën kutërbuese të eskrementit të shtaxhionuar në vite që kishte nginjur deri edhe muret. “Ptuh, çfar ere!” tha me përçmim duke shfryrë me neveri flegrat e hundës. I dha një monedhë 2 lekëshe jevgës plakë veshur me xhub muratori blu të zbardhylët, që mospërfillëse i hodhi një kanoçe ujë majolikës allaturka së përdorur nga të tjerë më parë. Mbylli derën, zbërtheu pantallonat, u ul galiç dhe i skuqur në fytyrë nga sforcimi duke rënkuar me gulçime: “ëh-ëh-ëh”, filloi të shtërngonte muskujt e barkut dhe të ngambrapës me ritëm alternativ derisa ja arriti qëllimit: filloi të jashtëqiste duke nxjerrë currilin e urinës pak sekonda më parë si paralajmëruese për ardhjen e magmës ngjitëse nga thellësitë e rropullive. Megjith imazhin e mjerë që e rrethonte, tamam një birucë burgu ku çdo gjë kishte ngjyrë kafe-verdhane si spirrë dizanterie, deri edhe drita e lëshuar nga një poç i varur në tavan rrezatonte të njëjtën ngjyrë, shijoi çlirimin primordial të jashtëqitjes me dimensione kozmike, shoqëruar me aromën e mutit, që i dukej tepër e këndëshme si parfum perëndie sepse ishte muti i tij, nuk ishte i të tjerëve që qelbej erë.
Duke ngjitur shkallët për të dalë në dritë mbi tokë në ajër të pastërt, i lehtësuar shpirtërisht sepse i çliruar nga nevoja fiziologjike, mendoi me trishtim se saktë e njëjta gjë ndodh me mendimet tona krahasuar me të tjerëve, dhe menjëherë në vazhdim mendoi se në një moment të tillë liberator Sartëri duhet të ketë marrë zbulesën gjigande që përkufizon shkëlqyeshëm shoqërinë individualiste të Oksidentit: Dhjes, pra jam.
(nga Ditar i një fuksi)