Kamerat e fshehta, produkti më i shitur online
Dyqantaxi.com, shitësi më i madh online në Shqipëri, ka konfirmuar për Peshkun se kamerat e fshehta kanë qënë produkti më i porositur gjatë javës përpara zgjedhjeve parlamentare. Mikrokamerat, e maskuara në ora dore apo çelësa makine fals duket se janë përdorur për të provuar se për kë është votuar. “Në zgjedhjet vendore 2015 një klient nga një qytet i Shqipërisë erdhi në Tiranë dhe bleu gjithë stokun e kamerave të fshehta që dispononim për shitje.” - na thonë burime brenda kompanisë.
PS forcë e parë në Skrapar
Këto janë rezultatet e KQZ-së për Skraparin: PS 7429 vota; LSI 5739 vota dhe PD 1248 vota. Nga perceptimi i përgjithshëm do kisha vënë bast se LSI merrte dyfishin e votave të PS-së në Skrapar, por do kisha humbur. Partia Socialiste ka arritur të mbledhë 1690 vota më shumë, atje n Çorovodën e bukur, mes maleve dhe halleve, siç shkuhej tek peshku dikur.
OSBE dhe Ambasada amerikane flasin për zgjedhjet
“Politizimi i vazhdueshëm i organeve dhe institucioneve të lidhura me zgjedhjet, akuzat e gjera për blerjen e votave, dhe presioni ndaj zgjedhësve ulën besimin e publikut në procesin zgjedhor” - tha Roberto Battelli, Koordinator i Posaçëm dhe udhëheqës i misionit të vëzhguesve afatshkurtër të OSBE-së, në deklaratën e përbashkët të vëzhguesve ndërkombëtarë. “Praktikat e të kaluarës u përsëritën, veçanërisht shqetësimet për frikësime dhe presione ndaj votuesve, duke krijuar një atomosferë negative." Edhe amerikanët kanë bërë disa kritika, por e konsiderojnë të vlefshëm dhe real rezultatin e përgjithshëm “Edhe pse disa nga shkeljet zgjedhore të dëshmuara ishin serioze dhe duhen adresuar, ato nuk ishin aq të përhapura sa të ndryshonin rezultatin e përgjithshëm të zgjedhjeve” - thuhet në deklaratën e Ambasadës amerikane.
LSI do bëjë opozitë të fortë, thotë Vasili
"LSI do jetë në vijën e parë kundër bandës nacional- socialiste të Rilindjes”, deklaroi sot kryetari i LSI-së, Petrit Vasili në nj deklarat gjatë së cilës ai akuzoi “bandat e Rilindjes” për vjedhje votash sëbashku me “policinë e drogës”. LSI, sipas numërimeve të deritanishme ka fituar rreth 200.000 vota dhe 19 deputetë në Kuvendin e Shqipërisë.
Bojaxhi, Blushi, dhe shumë të tjerë nuk hyjnë dot në Kuvend
Gjergj Bojaxhi, Ben Blushi, zonja Hafizi, zonja Doda, Arben Ristani, Gert Bogdani, Preç Zogaj, Fitim Zekthi e të tjerë njerëz të njohur që garonin për një vend në Kuvendin e Shqipërisë nuk ia dolën. Rezultati ka lënë jashtë edhe Ministren e Novacionit znj. Milena Harito nga ana e socialistëve por humbjet më të mëdha i ka pësuar PD dhe partitë e vogla të cilat reduktojnë apo humbasin fare edhe vendet që kishin deri tani. Megjithatë, do të ketë edhe rishtarë në Kuvendin e ri, Salinjani dhe Balliu i ri (të dy do bëhen deputetë tashmë) kanë qenë në shënjestër të të pakënaqurve nga listat e PD.