“Check-ups” falas, por jo për ata që mbushin moshën 65 e lart!

Sot në mëngjes, duke pirë kafenë me ca miq të mi mësova një gjë të re: ky PALO shtet nuk u siguron më “check-ups” falas qytetarëve që mbushin moshën 65 vjeç. Fillimisht, nuk u besova veshëve kur njëri nga miqtë e pohoi këtë. I thashë bashkëfolësit se një gjë e tillë nuk mund të ishte e saktë, pasi është antihumane, poshtëruese, fyese e diskriminuese, jo vetëm ndaj kësaj kategorie njerëzisht, por edhe ndaj gjithë popullsisë. Këta njerëz mbasi kanë punuar një jetë të tërë tani i “flakin” në pension me ca pagesa qesharake që s’u del për gjë tjetër, veçse për të paguar ujin dhe dritat. Dhe mbasi paguajnë ato, u mbetet të mbushin barkun me rrenat, mashtrimet, premtimet e politikanëve tanë sharlatanë, të të gjithë ngjyrave. Unë ngulja këmbë se ajo që tha miku im s’mund të ishte veçse një thashetheme, pasi një gjë e tillë ngjasonte me qëndrimin e Hitlerit ndaj foshnjave që lindnin me defekte. Edhe qëndrimi ndaj kësaj kategorie njerëzish që kanë mbushur 65 vjeç e lart ka po të njëjtën bazë logjike me atë të kohës së Hitlerit. Shqip, ky qëndrim përkthehet kështu: “zonjë a zotni, tani që mbushe 65 vjeç, shteti nuk kujdeset më për ty! Për shtetin tonë demokratik dhe human ju konsideroheni të vdekur. Të qënurit gjallë është një aksident! S’kemi aq para sa të shpenzojmë edhe për të vdekurit!!!” Me këto mendime në kokë, nxitoja që të arrija sa më parë në shtëpi. Sapo mbërrita, hapa kompjuterin dhe shkova drejt te faqja e KRYEMINISTRISË. Sapo faqja u hap, në krye të saj shkruhej me shkronja të mëdha:

Check-Up falas, hapi madhor drejt mbulimit universal në shëndetësi.

Më vinte t’i bërtisja që nga brenda shtëpisë atij mikut tim: Gënjeshtar! Gënjeshtar! Se ja ku është, që në krye e zeza mbi të bardhë: “Check-up falas!” Dhe vazhdova ta lëçitja gjithë kënaqësi atë faqe të Kryeministrisë, kur papritur ngeca te një fjali, si ajo qerrja që papritur i bie rrota mbi një gropë. Hops! Tërhoqa frenat! Ndalo, i thashë vetes, lexoje me kujdes. Dhe si ai filloristi, nuk lashë rrokje pa e lexuar dy-tre herë. Në përfundim, ja se ç’shkruhej aty: “Programi kombëtar i kontrollit bazë shëndetësor për të gjithë shqiptarët rezidentë, në grupmoshën 40–65 vjeç, fton 900 mijë shqiptarë, që një herë në vit të paraqiten në qendrën shëndetësore të vendbanimit dhe të bëjnë kontrollin bazë shëndetësor, pa pagesë, pavarësisht nëse janë apo jo, të siguruar për kujdes shëndetësor.”

Pra, “check-ups vetëm për grupmoshën 40-65! “Hasta la vista” ju 65-vjeçarë! Ky shtet human juve ju jep dy mundësi. Zgjedhja është e lirë, se jetojmë në një vend demokratik: 1. “Ose merrni rrugën për varreza, dhe këtë bëjeni sa më shpejt që të shkoni në një botë shumë më të mirë se sa ky ferr ku jetoni tani 2. Ose ndiqni mbrapa fëmijët tuaj kur arratisen nga ky vend. Cilëndo rrugë që të ndiqni, do t’ju bie shumë më mirë, se sa të jetoni në këtë mizerabilitet.”

Ndokush, mund të thotë se autori e ka nxirë një çikë si shumë, këtë “realitetin tonë bolsheviko-demokratik.” Ndoshta, por për ta kuptuar më mirë ç’ka lexuat deri tani, më lejoni ta mbyll me një ngjarje të zakonshme në ditët tona. Çdoherë që vij në Shqipëri kam dëshirë të pi kafe me një shokun tim, mësues gjimnazi të dy, ai madje, arriti të bëhej drejtor. Dy-tre vite të shkuara seç takoheshim 2-3 herë gjatë periudhës 4 mujore që unë qëndroj në Shqipëri. Por tani, rrallë e shoh, dhe pothuaj nuk pi fare kafe me të. Nganjëherë, mendoja se ndoshta nuk kishte dëshirë, paçka se kemi qenë shumë miq me njëri-tjetrin. Para ca ditësh e takova rastësisht aty para Vollgës, dhe i thashë: “S’ke ku të më ikësh tani! Hajde të pimë një kafe.” Ai nguroi pak, pastaj u përgjigj se duhej të ikte se kishte një punë. Mbasi ngulmova, ai, gati me lot në sy, shpërtheu: “Nuk vij, jo se nuk dua, por me vjen zor që ti të paguash përsëri! Kam pranuar një herë, dy herë etj., por s’mund të pranoj gjithnjë. Më vjen zor, se 18.000 lekë pension që marr në muaj, s’më dalin të jetoj 3-4 ditë, mbasi paguaj, ujin, dritat, telefonin, televizorin, etj.! Një jetë të tërë në punë, vazhdonte miku im, dhe vetëm150 dollarë pension në muaj!!! Në një kohë që çmimet janë sikur të jetosh përtej detit. E si mos të kem nostalgji, mall për kohën në periudhën e komunizmit? Atëhere dilje në pension dhe me pensionin ndihmoje edhe fëmijët që s’kishin dalë në jetë, ndërsa tani s’mban as veten tënde dot me bukë.” Mbeta si i ngrirë. S’dija ç’të thosha. i shtrëngova dorën pa e vështruar në sy, dhe eca rrugës me sytë që më mjegulloheshin nga lotët.

Pirro Dollani

http://illyriapress.com/check-ups-falas-por-jo-per-ata-qe-mbushin-moshen-65-e-lart/

me sa di ka kohe, gati 2 vjet qe eshte zgjeru grupmosha, eshte bere 35-70 vjec.
Jo cdo gje qe fluturon hahet, jo cdo gje qe thone miqte duhet ti besosh

Ka dhe nje llogjike, pasi kjo eshte grupmosha qe nga ku studimet nxjerrin qe kontrolli per risqe te semundjeve qe fillojne ne kete moshe sjell me se tepermi perfitime nga parandalimi, qe eshte dhe funksioni i tij me perkufizim.

Te lutem mos na sill tema te tilla te parendesishme se jemi shume te zene duke diskutuar per mustaqet e Celos qe njihen dhe si atletet e Rames.

Ja dhe Albani ta dha pergjigjen mos u beso miqve, pavaresisht se z. Dollani e ka bere perpara Albanit kete gje dhe e kishte konfirmuar nga faqja e Kryeministrise. I kujt eshte faji qe ndoshta faqja e Kryeministrise nuk eshte rifreskuar me informacionin e ri? Sigurisht qe e z. Dollanit dhe miqve te tij!

Albano, te themi qe u ndryshua titulli i shkrimit “Check-ups” falas, por jo për ata që mbushin moshën 65 e lart!" ne “Check-ups” falas, por jo për ata që mbushin moshën 70 e lart!". Cfare do te ndryshoje kjo pervec faktit pozitiv qe nje grup sh. i vogel (65-70) do te mund te perfitoje tashme? Po ata 70 e lart?

Po po te perfshinte te gjitha moshat nuk do quhet check up, o gjembo, do quhej qofte ke daja per te tere, nderkohe qe ajo ka nje qellim te caktuar qe ka per target group ate grupmoshe…
Sistemi yne ofron analiza per ata qe jane te sigurar falas, por edhe per te pasigurarit, me pagesa simbolike.
Ky eshte muhabet kot, po vari qillon se as per tu siguruar per informacionin nuk e ka marre mundimin pruresi.

Cfare kuptoni juve me check up?

Ky eshte muhabet kot, po vari qillon se as per tu siguruar per informacionin nuk e ka marre mundimin pruresi.

E lexove artikullin? Pjesen ku thote shkoi tek faqja e Kryeministrise dhe ta ka sjelle me germa te zeza.

Gjergjo,
Beji nje zile poliklinikes lokale e pyt per ata qe jane 70+. Si thu? Mos kane trajtim me perfshires se vetem check-up?
Nuk du ta bej si shkaba e te tregoj dhe une nje histori me komshi e kusherinj.

Kryeveper, per nga pershkrimi i temes ne fjale.