-Po të them, e përsëris prapë, që nuk është çështje shijesh personale, por është një shpjegim objektiv, është një e vërtetë e pranuar në përgjithsi, përveçse është mjaft evidente si e vërtetë.
-Edhe unë po të përsëris se disputandum e gustibus-eve nuk është pa lidhje me të vërtetën objektive. Vetëm se nëse bëhet fjalë për shijen e akullores, por nganjëherë edhe shija e llapës flet për të vërteta objektive të pranuara nga të gjithë. Eshtë çështje ekspozimi, si i lidh gjërat, ose me saktë sa arrin të tregosh që gjërat janë të lidhura, sepse personalja është e lidhur me “të gjithë”.
-Ti nuk e humb asnjëherë rastin për të bërë filosofira për gjëra të thjeshta dhe praktike.
-As ti nuk e humb asnjeherë rastin të quash filosofira gjëra që në fakt janë më se evidente, vetëm se kanë difektin që nuk janë të pranuara nga të gjithë, nuk janë filosofira si bëjnë gjithë të tjerët.
Tani një minut pushim, shiko erdhi Lili, pa tjetër ka një problem.
-Më falni se ju ndërpreva muhabetin, por kjo e verdhë këtu që ke prurë nuk shkon me të verdhën që kam.
-Mos u bëj merak, ka rrezik është vazhdim i të njëjtit muhabet, ke ardhë si me porosi.
E di që nuk të vete për mbarë, ma tregoi Emi këtë të verdhë limon acide, por unë nuk kam diçka të ngjashme si tonalitet, kam vetëm këtë të verdhë të ngrohtë, s’kam tjetër. Por nuk është e thënë, mund të shkojë edhe kështu, si disonancë e qëllimtë; art modern.
-Pse ndonjë tjetër nuk mund të shkojë? Kjo jeshilja e zbardhylët për shëmbull, ose kjo …
-Shiko vetë se ç’mund të gjesh, De gustibus et coloribus non est disputandum thotë latini dhe ky disputandum-i që po disputandohej me mua para se të vije ti.
Unë provova sa andej këndej në paletë, e më në fund i dhash karar nga nisa: e verdhë e ngrohtë që bën çift me të verdhën e ftohtë. I martova pra, e ngrohta me të ftohtën bënë seks.
-Nuk është nevoja të bësh ironi!
-Atëherë është nevoja të përsëris për të satën herë, që është problem shijesh personale, çdonjëri ka shijen e vet. Por kjo nuk do të thotë se çdonjëri nuk është i kushtëzuar në zgjedhjet e veta. Ka objektivitet dmth.
-E di, e di, tani e kam më se të qartë që shijet mund të diskutohen dhe të gjykohen objektivisht, që zgjedhja e ngjyrës nuk është e rastit, që ngjyra lidhet me karakterin e personit, varna (*) në sanskritisht do të thotë njëkohësisht “ngjyrë”, “karakter” dhe “kastë”, ndarja e kastave në Indi është ndarje racash me ngjyra të ndryshme, çdo person ka një “ngjyrë” ose aurea të tijën në fytyrë, e këtë “ngjyrë” zgjedh padashur përherë, e kështu me radhë, jepi se ja ke ngenë … . Po shkoj të shihem në pasqyrë.
-Ej Lili, o e verdhë acide në ikje e sipër, tani je tu bo ti ironi! Prit se ke lënë pa thënë më të rëndësishmen: prandaj urrehen njerzit dhe racat midis tyre se kanë ngjyra të ndryshme, dmth karaktere te ndryshme.
-Mër trap çfar ju thu grave n’orar t’punës? Prap filosofi hë!
-Ik ër mushu se nuk merr vesh ti se si rregullohen femnat!
(pjesë nga Ditari i një fuksi )
(*) varna