Diskutime te lira - Gusht 2020

                                L E T Ë R                                 shkurt- 1995                                       
            DREJTUAR AMBASADORIT AMERIKAN 

I nderuar zoti ambasador, nuk do të doja t’ju shkruaja, sikur disa ngjarje brenda së cilës ndodhen njerzit, ndjenjat e psikologjia e tyre, relatat ndërmjet tyre, ekonomia e tyre, dashuria e armiqësia e tyre, desidenca e tyre, presidenca e qeveria e tyre – të mos ndodhnin të jetoheshin nga këta njerëz, në formën më të ashpër, më zhgënjyese e më turpëruese të diktuara jo nga qeveria (mediokre) dhe presidenti kukull, por nga përplasja e heshtur e dipllomatike ndërmjet Amerikës dhe Europës Perëndimore. Përplasje e cila zgjidhet shumë shpejt (edhe në pak kohë) ndërmjet dy “kampeve”, Amerikës dhe Europës Perëndimore, për tregun dhe prodhimet e njëra-tjetrës, por që nuk zgjidhet shumë lehtë kur është fjala për vende të treat të pazhvilluara mirë teknologjikisht, të cilët shërbejnë si “koloni” apo “ekonomi ndihmëse”, të njërit apo tjetrit kamp.
Le të nisim nga fillimi, që ta kuptoni se jo vetëm që jeni të humbur, por dhe pse jeni të humbur këtu në Shqipëri. Dihet që qysh nga koha e Gjergj Kastriotit, si opinioni zyrtar (i kapedanëve) dhe opinioni i popullit të thjeshtë, anonte drejt Europës, me përjashtim të pak individëve. Me kalimin e kohës, shqiptarët të shokuar nga dhuna e pashembullt e osmanllinjve, dukej (50 % e shqiptarve afërsisht) se anonin nga lindja, por që me Rilindjen dukej se e gjetën vetveten, nga ku po përgatitej terreni për shkëputjen nga Perandoria Otomane. Pavarsia e vendit e gjeti opinionin drejt Europës dhe drejt Amerikës së largët, të pannjohur për disa krahina të vendit, sigurisht dhe përsëri një pjesëz të vogël drejt lindjes. Fuqitë e mëdha Europiane Perëndimore dihet që ia punuan me të pabesë Shqipërisë, duke mos patur dhe aq shumë interesa në truallin e prapambetur shqiptar, gjë që ndikoi (dalngadalë) në formimin e një opinioni dashamirës ndaj vendit tuaj, Amerikës, opinion i cili u dhunua nga sistemi diktatorial i E.Hoxhës. Sikundër në pushtimin otoman kundër Shqipërisë, ku u fut dhunshëm opinioni për Lindjen, për Perandorinë Otomane, po kështu u fut opinioni për Rusinë, për bolshevizmin, me një ndryshim, se e para u krye në mënyrën më të ashpër, e me armë, ndërsa e dyta në një formë më tërheqëse, ku parësore ishin librat, demagogjia, arti. Si në të gjithë botën, opinioni zyrtar është fiktiv, sot është nesër nuk është, pavarsisht se në dukjen e parë është përcaktuese apo primare. Por jo. Vendimtare – mendoj unë – është opinioni poshtë në popull, ajo që zien më shumë dhe përcakton afrimin e popujve. E në këtë kontekst, në popull po përgatitej – krahas opinionit drejt Europës Perëndimore – një opinion drejt Amerikës; i brishtë në dukje të parë, por i fortë, i pastër në brëndësinë e tij, pjesëz e të cilës kam qenë dhe unë, ku do të shtoja – dje me krenari e sot me turp - se kam qenë balli apo pararoja e këtij opinioni për të cilën jo vetëm u torturova si fizikisht dhe shpirtërisht, por sakrifikova – si jetën (energjitë) dhe mendjen – pa e kuptuar edhe sot e kësaj dite përse luftova për këto ideale, kur shoh se ju putheni, bisedoni, kontaktoni e kënaqeni me ata që na luftonin e torturonin neve, me ata që e shanin Amerikën dhe opinionin dashamirës ndaj saj. Ky zhgënjim, i nderuar zoti ambassador, nuk ka të bëjë vetëm me mua, apo me pasuesit e mi, shokët e mi, por ka të bëjë me mbarë popullin shqiptar, me një tragjedi shpirtërore, me një humbje të vlerave – nëse keni pasur apo keni – amerikane, në sytë e këtij populli të vuajtur shumë gjatë. Pragmatizmi juaj i pështirë, e i pa llogaritur mirë, nuk u jep shanse për të parë se kush ishin bartësit dhe forcuesit e opinionit dashamirës ndaj Amerikës. Kush janë tani e kush do të jenë. Them bartësit dhe forcuesit dhe jo krijuesit, sepse krijimi i opinionit drejt Amerikës formohet më shumë nga faktorë të jashtëm se sa nga ne – megjithë dashurinë e madhe që kemi pasur ne ndaj Amerikës. Pra, lindjen dhe vdekjen e këtij opinioni, besoj se e kuptuat me kaq sa kam shkruar nga fillimi e deri këtu, i nderuari zoti Ambasador.
Duke qënë se s’ka asnjë bazë më, që ju të qëndroni këtu në Shqipëri, do t’jua sugjeroja i nderuar z.Ambasador që ju, bashkë me gjithë oficerët, agjentët, pseudospecialistët, të largoheni nga Shqipëria sa më shpejt, e jo të mbështeteni mbas figurave të korruptuara e të urryera të kombit shqiptar. Ata që jua hapën portat juve, nesër do të përgjigjen për këto veprime të papërgjegjshme. Shqipëria do të mund të jetojë e qetë, vetëm duke larguar politikën Amerikane e njerzit e saj jo vetëm nga Shqipëria por nga mbarë Ballkani. Iluzionet që kam pasur unë, shokët e mi, ata që përfaqësonin opinionin dashamirës ndaj Amerikës, tani janë larguar, e mendja e çdo shqiptari e sheh më të qartë gjëndjen, dhe e ka kuptuar se pa Amerikën, se pa këshillat e FMN-së e Bankës Botërore, e se pa këshilltarët tuaj, se pa Sali Berishën e kompani, shqiptarët do të ishin më mirë e nuk do të ishin në gjëndjen që janë sot.
Për ne ka qënë një dhëmbje shumë e madhe, kur pamë se Amerika e amerikanët nuk ishin ashtu siç i kishim ëndërruar, nuk ishin ata që kishim kujtuar, e kjo dashuri e madhe po shuhej vazhdimisht sa herë ne shihnim se veprimet tuaja bashkërendonin me ata që s’ju kishte rënë ndërmend ndonjëherë për juve, përkundrazi, si shërbëtore të sistemit diktatorial që ju shante pa pushim juve, i shërbenin me zell asaj propaganda antiamerikane, së cilës ne i kishim kundërvënë gjoksin e mendjen tonë.
Minuset, që po pësoni ju këtu, si dhe në arenën ndërkombëtare, për çudinë tonë dhe tuajën bashkë, përkojnë me parashikimet e diktatorit E.Hoxha me klikën e tij, e kjo gjë, si për ironi të historisë, apo si diçka e përcaktuar dhe e përllogaritur nga sigurimi i E.Hoxhës dhe i R.Alisë e bishtave të tjerë, që duke qënë në krye të vendit, të zbatojnë skenarin e tyre, kjo gjë ngelet si detyrë për ju z.Ambasador t’a thoni.
E më e keqja është se ju nuk doni të analizoni fitoret dhe humbjet e menjëhershme këtu në Shqipëri. Ju nuk u morët me ata që kishin vite që luftonin të hapej një dritare apo një portë për Amerikën, që ishin torturuar, denigruar, poshtëruar e tallur për opinionin proamerikan, për dashurinë e simpatinë ndaj Amerikës, jo. Juve u morët direkt me ata kameleonë, të cilët karrierizmi i kamufluar i tyre i vuri në krye të Shtëpisë sonë, ku rastësia i vuri t’ju hapnin portën, si domosdoshmëri e krijuar nga rrethanat që përmendëm më lart dhe e mbartur nga ne, një domosdoshmëri që sipas idealit tonë, nuk parakuptonte partneritet, por lidhje miqësie të përjetshme në mes të dy popujve tanë, një dashuri që do të fillonte nga respekti e që do të forcohej nga dita në ditë. Por për juve këto gjëra janë anakronike, jashtë mode, ju e keni mikun me minuta, me orë. Dashuria për ju, parakupton partneritet, në mëngjez me njërin dhe në darkë me tjetrin. Për juve nuk ka rëndësi kush e gatuan gjellën, por kush jua sjell pjatën. Për juve nuk ka rëndësi kush e ndërtoi shtëpinë, por kush jua dorzoj çelsat. Pikërisht se nuk doni tia dini nga këto apo vërtet nuk jua pret radakja, juve jeni të destinuar të dështoni. Me kot mundohet Amerika të mbushë atë boshllëk që vetë e krijoi – për arsyet që ajo vetë i di – tani. Kjo punë i nderuar z.Ambasador, ka pesuar një çarje të rëndë që zor të mendoni t’ia ngjisni (riparoni) e ta forconi. Vetëm neve që na është dhimbsur në shpirt hendeku që u krijua nga ju, e dimë se ç’recetë duhet për riparimin e saj. Kjo gjë do të kërkonte një ilaç (nëse do të shpreheshim në gjuhën mjeksore) shumë – shumë të fortë që do të bënte një ngordhje të mikrobeve, nga të dyja anët e plasaritjes, për të mbuluar atë boshllëk që ka krijuar e çara. Por a do të mundni ju ta bëni këtë? Nëse po, po jua them se: Mos i bëni punët vetëm siç jeni mësuar t’i bëni se do të dështoni, sikundër as me ata që hoqën në darkë cipën e kuqe e veshën blunë në mëngjez, përndryshe dështimi jo vetëm që do të jetë i plotë, por do të vihet në dyshim pozita dhe e ardhmja e Amerikës dhe në vendet e tjera të Ballkanit, konturet e së cilës shihen qartë qysh tani, se flasin në favor të Eurpës Perëndimore.