Endacaku që kërkon drejtësinë prej më tepër se 20 vitesh…

Avni Ago është 75 vjeçari me origjinë nga Tepelena i cili jetën e tij prej endacaku e ka ndërtuar në qytetin e Elbasanit prej më tepër se 50 vjetësh, i vetëm pa asnjë lloj mbështetje.

“Këto që më kanë ndodhur mua, si kanë ndodhur kujt në botë! Shteti mua më la në mëshirë të fatit, më rrënoi, më shkatarroi të tërin si individ…!”- kështu e nis rrëfimin e tij Avniu Ago 75 vjeçari që endet nëpër rrugicat e qytetit të Elbasanit i vetëm, pa familje, pa shtëpi dhe pa kurrfarë gjëje, i mbetur mes katër rrugësh fillikat.

Kushdo që ka kaluar pranë Komisariatit të Policisë në Elbasan, mbrëmjeve është ndeshur me Avniun i cili ka mbi 20 vjet që qëndron në rrugë pranë komisariatit të policisë me shpresën se një ditë, dikush do vërë dorën në zemër dhe ti ofrojë një ambjent të përshtatshëm ku të qëndrojë, dhe shpreson që drejtësia do vihet në vend edhe për të. Qëndrimi i tij në atë cep (7 metra nga dera e komosariatit) ka edhe një moto të cilin e shoqëron: “Meqë sistemi komunist më shkatërroi si njeri mua, tani policia, qeveria le të më gjejë strehim, e të zbardhin të vërtetën” - shprehet plot mllef Avniu.

Ai çdo ditë vërtitet nëpër rrugët e qytetit prej më shumë se 50-të vitesh me një grumbull gazetash në dorë, ku janë i vetmi burim financiar që ai ushqehet. Jeta e tij është e mbushur plot sprova, vuajtje e dhimbje të mëdha, pa patur qoftë një mbështetje apo dhe një ambjent të ngrohtë për të futur kokën.

Streha e tij nuk është komode, aspak e ngrohtë dhe jashtë normave jetësore. Ai jeton i shtrirë mbi copëza kartoni i mbështjellë me mbetje plastike, të cilat shpesh herë i përdor edhe si dyshek. Ndërsa mbulojë përdor gjithmonë një copë të vjetër plasmasi e cila e mbron nga shiu, vapa, i ftohti madje edhe ngricat të cilat në dimër i kalojnë shpesh herë disa gradë nën zero.

”Jam rritur jetim gjithë jetën time, pa nënë pa baba, pa asnjë të afërm. U rrita si mos më keq, pa asnjë përkrahje, qoftë shpirtërore, morale apo financiare. Fillova të punoj që i ri. Shisja gazeta, punë që e bëj dhe sot. Bëja çdo lloj pune, nuk bëja “naze” dhe si shpërblim u thoja njerëzve më jepni sa të doni. Isha pa shtëpi, pa asnjë strehë ku të fusja kokën.

Fillimisht arrita të strehohesha te spitali i Elbasanit. Flija në cepa, në dysheme, në korridore, ku të dilte, por të paktën nuk më lagte shiu dhe nuk rrija në të ftohtë. Mes shumë rrëpatjesh dhe punëve të ndershme që bëja doja të kurseja disa para, me to doja të blija një shtëpi(që se pata kurrë) ku të fus kokën, të ndihem dhe unë njeri. Por, ja ato para që fitoj smë dalin as për të ngrënë. Doja të krijoja familjen time, të kisha djem e vajza, mbesa e nipër ku shtëpia të mbushej plot dashuri që mua ka një jetë që më mungon…”

“Mirëpo teksa qëndroja te spitali, sistemi komunist i atëhershëm më dëboi nga ambjentet spitalore ku qëndroja, pasi aty lija një imazh të keq të spitalit tek pacientët, sipas tyre. Më flakën ashtu tutje sikur të isha një copë letër e rrudhosur, e jo më se kishin të bënin me një njeri jetim. Më lanë në mes katër rrugësh, i vetëm, pa shpresë, pa të ardhme. Më poshtëruan si njeri, më shembën gjithçka që kisha ngritur me djersë, më kthyen përsëri nga e para, në rrugë. Nuk shtyhet jeta në rrugë edhe qeni që është qen e do një kasolle ” - tregon Avniu plot vuajtje e i mbuluar nga rrudhat që duken fare qartë në fytyrën e tij të lodhur nga jeta.

Jeta e tij vazhdon të zvarritet rrugëve të këtij qyteti me varfërinë ekstreme që e ka pushtuar dhe mes frikës për të jetuar. Përballë tij, shumë kush tregohet indiferent. Media, shoqëria, shteti…
Teksa i përmend fjalën “shtet”, ai revoltohet dhe me një gjuhë të ashpër urrejtje shprehet : “Dua ti’a pres mishin me gërshërë atyre që më katandisën në këtë pikë, dhe nuk kam të ngopur. Këtu s’ka shtet! Vdiq me kohë! Ka ardhur koha ku qeverisin kriminelat, hajdutët.Doktorra, polica, gjykatës, prokurorë ,avokatë janë bërë një. Ata çdo ditë e më shumë e rrënojnë këtë vend. Mjerë ne, në dorë kujt kemi rënë.!”.

Teksa bisedoj me të për një kohë të gjatë, nuk mungojnë edhe kureshtarët të cilët shikojnë me bisht të syrit, e nuk mungojnë dhe ata persona të cilët na shoqërojnë me një buzëqeshje ironike, mospërfillëse, sikur duan të na përpijnë, apo dhe të na shkelin nën këmbë. Duket absurde se në çfarë nivelesh ka arritur egoizmi njerëzor.

”I shikon ti këta njerëz që kalojnë” – më thotë Avniu. “Askush sdo ti’a dijë se kush jam. Se çfarë kam. Me paragjykojnë, më injorojnë edhe pse nuk i kam kërkuar ndihmë. Ndoshta disa mund edhe të më quajnë të çmendur, por askush si di vuajtjet e mia, se pse unë jam këtu. Ta vendosin njëherë veten në vendin tim! Madje ka dhe nga ata që kur kalojnë më thonë ” He s’paske vdekur akoma?!” Sikur unë po ha bukën e tyre!. Gjithnjë në jetë doja të isha i ndershëm. Kisha bindjen time se me punë arrihet gjithçka, ashtu mendoja, pavarësisht që padrejtësia veproi mbi mua…”

Nuk nguroj ta pyes, nëse ka bërë ndonjëherë kërkese qeverisë për të patur një banesë sa për të futur kokën.
Ai përgjigjet shkurt duke thënë që nuk mund të kërkojë strehim prej hajdutëve, pasi prej tyre është në këtë gjendje të mjerueshme sot.

Pa hezitim me thotë se ligjet egzistojnë, por duhen njerëzit e duhur për ti zbatuar ato, ndërkohë ai ulet në karrigen e tij të lodhur dhe konsumon darkën. Ndryshe nga të tjerët ai nuk ha gjellë, por bukë thatë, nuk ulet në tavolinë por në pllakat e trotuarit. Nuk pi lëngje frutash por ujë të ndenjur. Ai sdi të bëjë asgjë tjetër, por mban kokën nga qielli dhe vetëm lutet.

Sa pranvera do kalojnë? Sa të ftohtë do bëjë? Sa shira do bien? Sa fjalë do ta vrasin Avniun? Por, ai do të qëndrojë po aty, çdo natë deri në fund të jetës së tij pranë policisësë Elbasanit, me shpresën se një ditë shteti, qeveria, politika, do të vendosin dorën në zemër e do ti ofrojnë një vendstrehim duke ia bërë jetesën më të lehtë. Ai shpreson shumë…dhe do të vazhdojë të shpresojë!

Olsjan Topalli

1 Like

Fabrikime! Nuk mund te kete njerez te tille rrugeve te qyteteve te popllit te nene Gonxhes.

1 Like

Plage te pa sherueshme te kapitalizmit ne bote ka me mijra si xha Avniu ai tha. " Shteti ka marr fund". edhe Avniu e mban mend qe atje ka patur shtet por tani “ka marr fund”.E ka fjalen per kohen e komunizmit. Por ja qe fajet te gjitha atij ja hedhin edhe *Avniu u ankua por ky shtet I sotem qenka me keq sepse eshte shtet hajdut ! Te lenka pa brek dhe te flesh ne kartona jashte si qen dhe askush te thote nje fjale te mire ose te jap nje dore dhe te ngre nga balta .

1 Like

E mbaj mend Avniun. Ka me shume se 20 vite rrugeve, por asnjehere nuk e kam marre vesh historine e tij. Eshte per te ardhur keq (per te mos thene turp) kur mendon qe qe femije jemi mesuar t’i kemi frike (apo. ndonje edhe t’i talle) lypesit, endacaket, te semuret. E mbaj mend qe ka pasur gjithmone nje pamje te eger e une vertete e kisha frike si femije. Ka qene faji i prinderve tane qe nuk na mesoi ndryshe.