Festa e fitores

Të dashur qytetarë të Kosovës, Të dashur aktivistë e anëtarë të VETËVENDOSJE!-s, të dashur mbështetës nga Shqipëria, nga shqiptarët e Maqedonisë, Malit të Zi, Preshevës, Bujanocit e Medvegjës, e nga e gjithë bota. Sot janë bërë 12 vjet të Lëvizjes sonë, 18 vjet nga çlirimi i Kosovës dhe tash po e festojmë fitoren e VETËVENDOSJE!-s. Urime kjo festë e demokracisë. Urime të gjithë njerëzve të vendit tonë që shfrytëzuan mundësinë politike, që ushtruan të drejtën demokratike dhe që kryen obligimin qytetar. Urime të gjithëve! Ju falemnderit përzemërsisht të gjithë qytetarëve të Republikës që na votuan duke shprehur vullnetin e tyre për ndryshime dhe ju falemnderit të gjithë vullnetarëve të Lëvizjes që punuan për qytetarët e për ndryshimin e domosdoshëm. Ne kemi fituar, por fitorja është e juaja. Kanë fituar qytetarët, ka fituar guximi mbi frikën, ka fituar shpresa mbi dëshpërimin, ka fituar dashuria mbi indiferencën. Edhe guximi, edhe shpresa, edhe dashuria kanë fituar me zemër e janë fituar me zemër. Me zemër na presin edhe shumë fitore të reja. Njëri koalicion me 16 parti e tjetri me 6 a 7 parti janë tkurrur shumë krahasuar me zgjedhjet e vitit 2014. Lëvizja VETËVENDOSJE! është tash partia e parë në Kosovë, partia më e madhe në Kosovë. Lëvizja jonë është rritur shumë, më shumë se dyfish. VETËVENDOSJE! është rritur mbi 120% krahasuar me qershorin e vitit 2014. Ndryshimi dhe fitorja e kanë një emër, një datë dhe një numër: emri është VETËVENDOSJE!, data është 11 qershori kurse numri, … numri nuk është më 35 por 120%. Po, pra, 120%! Me këto zgjedhje u vërtetua se qytetarët i dhanë të drejtë protestave e demonstratave popullore si dhe rezistencës opozitare në Kuvendin e Republikës. Njëkohësisht, u vërtetua se qytetarët i dhanë të drejtë orientimit për shtet të së drejtës, për shtet zhvillimor dhe për shtet social, ata i dhanë përkrahje idesë për thellim e zgjerim të partneritetit me ShBA-të, Gjermaninë dhe me NATO-n e BE-në në përgjithësi. Nga këtu unë dua t’ua bëj me dije qytetarëve se kam marrë mesazhin e tyre dhe se unë i siguroj që do t’i mbajmë premtimet nga 40 prioritetet e Republikës. Po ashtu, ju siguroj që do t’i bashkoj energjitë pozitive për t’i arritur synimet tona. Partitë e tjera në fushatën zgjedhore kanë premtuar ndryshime pozitive. Qytetarët u treguan të gjithëve se subjekti i ndryshimeve pozitive është Lëvizja VETËVENDOSJE!. Prandaj, në përputhje me premtimet e tyre, ato duhet ta përkrahin atë që e përkrahu populli, atë që e do populli si bartëse të ndryshimit pozitiv. Ne i ftojmë të tjerët për ndryshime pozitive. Ne asnjëherë nuk do të mbajmë inat ndaj askujt dhe as nuk do t’i revanshohemi ndokujt pavarësisht se çfarë akuzash a çfarë të pavërtetash kanë thënë për neve. Ne duam t’i bashkojmë qytetarët për progres. I falenderoj posaçërisht kryetarin e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Visar Ymerin, dhe, kryetarin e kryeqytetit, Shpend Ahmeti, si dhe 110 kandidatët e Lëvizjes për Kuvendin e Republikës një pjesë e mirë e të cilëve do të bëhen deputetë, për fushatën e shkëlqyeshme, por edhe për punën jo vetëm në ditët e fundit, por edhe në javët, muajt e gjithë këto vite së bashku. Tash, me mendje e me shpresë, me zemër e me besë, do të ecim përpara për të korrur fitore të reja në ditët, javët, muajt e vitet në vijim. Ju duam secilin. Ju dua të gjithëve.

Albin Kurti, fjalim i mbajtur pas konfirmimit se VV ishte partia me e mbeshtetur ne Kosove.

3 Likes

e ndjej qe lavdia e neperkembur e Kosovareve nga injoranca tash e sa kohe qe i kishte ngulfatur ,ngadal fillon te rilind . I njoh kapacitetin dhe intelektin qe posedon ai popull , dhe dij qe dhe bota do ti a kishte lakmi intelektualet e saj ,
Me mbet peng qe shume miq e dashamir qe njoh ,publikishte nuk mund ti pergezoj per sakrificen ,mundin ,dijen ,durimin qe kane shkrire qe Kosoves te filloj ti kthehet dinjiteti , por nuk do isha vetevetja nese anoj ne nje drejtim politik pasi parim mbaj , eshte populli im ,kundershtar ndjeje vetem armikun .