Antonioni … për gjatë një këqyerje në vënd në Uzbekistan për një film që më pas nuk u bë, deshi tu dhurojë tre pleqëve myslimanë një fotografi ku kishin dalë. Më plaku, mbasi i hodhi një sy të shpejtë imazhit, ja ktheu përsëri regjizorit duke thënë: “Përse duhet ndalur koha?” Mbetëm plot habi e pa zë për t’iu përgjigjur këtij mospranimi të jashtëzakonshëm - Tonino Guerra
Krijimi ekziston si ekulibër alternativ ndiz e fik fap-fup në çdo çast: fap digjet në Pavazhdushmëri e fup shuhet në Vazhdushmëri - i Modhi
Figura e pikturave të Seurat, krijuar nga një mizëri e panumurt pikash me ngjyra të pastra (kryesisht ngjyra primare: blu, verdhë, kuq) të hedhura një për një në mënyrë të studjuar, është rezultat i efektit përmbledhës i ngjyrave primare në retinën e syrit, i cili ka veti që ngjyra të ndryshme t’i perceptojë në një të vetme (përzjerje aditive). Parë nga larg kuadri i bërë me “melange optique” (përzjerje optike) shkëlqen më tepër se kuadrit me ngjyra të llaçkavitura dhe me një aureolë që i mungon këtij të fundit. Veprat jashtëzakonisht novatore të Seraut, i cili arrin të ngrijë kohë-hapsirën njësoj si ikonat ortodokse (Van Gog e quajti “piktor i vërtetë i avangardës”), kanë edhe vlerë si të thuash shkencore ose më saktë teknologjike, sepse McLuhan e konsideron Seraut pararendës të televizionit dhe kompiuterit (pikat e tabllove të tij i dallon me një lupë tek ekrani i kompiuterit, alias pixel-ët: mori pikëzash me ngjyrat primare blu, jeshil, kuq). Në fakt patenta e shpikjes u takon autorëve të mozaikëve bizantinë, të cilët bëjnë spektatorin pjesmarrës në paraqitjen e zbulesës fetare në mënyrë të dyfishtë nëpërmjet dy metodave: “perspektiva e përmbysur” dhe “përzjerja aditive”, për të mos thënë që patenta i takon besimtarëve zurvanikë iranianë të cilët besonin - para Gëtes dhe Solovjovit - që “materia është dritë e degraduar”. Së fundi stafetën bizantine e ka marrë regjizori bashkohës Sokurov që ikonizon skajshëm vizionin ikonik dhe artistik të mjeshtrit të tij të adhuruar, Tarkovskit. Prodhimet e tij filmike janë quajtur “ikona kinematografike” që, në imitim të “perspektivës së përmbysur” të ikonës, përmbysin perspektivën tradicionale të iluzionit të thellësisë brënda imazhit duke i hedhur në sy spektatorit në plan të parë thellësitë ndjesore të ndjellura po prej imazhit.
Por vepra e tij “Arka ruse” (2002), një metaforë e historisë ruse deri në ardhjen e komunizmit me skenë Muzeun e Ermitazhit, është një ikonë e bërë me teknologji moderne që tejkalon dyfish fuqinë shprehëse të mediumit të filmit dhe mediumit të ikonës së së lashtë prej druri, dhe njëkohësisht i sintetizon këto mediume. Filmi në fjalë është i pashëmbëllt në historinë e kinematografisë si realizim pa asnjë ndërprerje dhe pa montim: për 1 orë e gjysëm ndiqet një plan sekuence i vetëm, unik, real dhe i pandërprerë. Mbas një jete të tërë prit e ngjit celuloid “ciak” e çuk, Surikov vendos të rrëfejë ngjarje në kohë reale në një film që ka për protagonist një kamera dixhitale të ndërtuar posaçërisht për këtë rast. Një herë e ndezur kamera në fjalë vihet në lëvizje tërë organizmi stërmadh i prodhimit (4500 vetë) që s’mund të ndalet kurrsesi; mbas “ciak”-ut të fillimit, trupës nuk i lejohet asnjë gabim, sepse filmimi paraprak shkon i tëri për dhjamë qeni, s’ka montim më pas në studio. Me “Arka Ruse” Sokurov hedh në erë konceptin e sinemasë - bazuar mbi operacionin e montimit - bashkë me konceptin e regjizorit (autorit) që, i strukur në thellësi të pikës së ikjes (synimit) së perspektivës lineare të krijimit, qep e shkep skenat ngambrapa skenës së kohës reale.
Eksperimenti i Sokurovit nuk është sidokudo, kapërxen filmin dhe artin, riprodhon një muhabet të vjetër sa bota, dialektikën midis idesë së Vazhdimësisë (filmimin pa ndërpreje) dhe Pavazhdimsisë (montazhit). Gjithë historia e kulturës njerzimit rropatet midis Law of Continuity (lex continuitatis i kontit Buffon dhe Leibnicit - “nature never makes leaps”, natura non facit saltus e latinëve), me një fjalë aspektit evolucionar ose Evolucionit; dhe Law of Discontinuity, pavazhdueshmeria e “teorisë së bashkësive” të Kantorit, natyra diskrete e materies zbuluar nga mekanika kuantike, zhvillimi me hope, Revolucioni me një fjalë.
Që prej kohë që nuk mbahen mënd (mbahen mend vetëm rropatjet e grekëve të lashtë për të gjetur nëse Akili e kap apo nuk e kap breshkën, e monton apo nuk e monton filmin), këto dy idevizione përleshen me njera tjetrën në bejlegun metafizik (dhe jo vetem), dhe herë fiton njëra e herë tjetra, njësoj si bejlegun politik ku nuk i duket fundi trokëllimës elektorale majtë dhe djathtë, monto-çmonto shtetin çdo 4-5 vjet, vrapo o Akil aqilehti se për ta kap ke breshkën.
Sekreti i ndërtimit të botës gjëndet i koncentruar tek natyra ambige e dritës: vale apo thërmijë? Pra intelektuali i shquar e ka justifikimin e dyfytyrsisë sepse dhe drita na u sillka njësoj në mënyrë ambige hipokrite: në disa raste manifeston natyre valore, dhe në rastet të tjera manifeston natyrë thërmijore (korpuskolare). Pra ambiguiteti providencial “të bëhet dritë”: “Vazhdimsi apo Pavazhdimsi?” “Evolucion apo Revolucion?”, reduktohet në planin politik: “për çin të votoj kësaj radhe?” dhe planin e ekzistencës së përditëshme: “si t’ja bojm, t’i bijmë knej apo anej?”. Ose dilema e vërtetë ekzistenciale: “Si t’ja boj se si shumë numra o tu m’bo ajo?”