FIAT LUX - pjesë e tretë (Manierizmi)

Mikealxhelo ishte njeri i madh, por nuk ja thoshte vizatimit - El Greko

Dëshmi tjetër akoma më e fuqishme se filmi Arka Ruse e Sokurovit që arti postmodern është parodi e artit të së kaluarës (shenjë e Fundit të Historisë, Fundit të Kohëve në versionin fetar), është filmi episodik Ricotta (1969) i Pasolinit, njëri nga katër episodet e filmit RoGoPag. Mënjëanë faktin që tërë filmi është parodi e Pasionit të Kryqzimit (pavarsisht se Pasolini këtë nuk e pranon, por si katokomunisti më i madh italin dhe ndoshta në botë, ngatërrohet me këmbët e vete, “të tjera bën, e të tjera thua, që të bësh të çmendur mua …”), filmi episodik në fjalë është edhe parodi e rrymës se Manierizmit, i cili për vete, siç do ja mundoj të tregoj, ishte parodi e artit të mëparshëm të Rilindjes italiane. Për herë të parë në historinë e filmit Pasolini ka realizuar tek Ricotta dy tableau vivant të dy tabllove të famshme manieriste të Pontormo dhe Rosso Fiorentino. Tablotë titullohen Deposizione sepse paraqesin çastet e depozitimit të Jezuit nga kryqi prej dishepujve dhe grave që i rrinin përqark në të gjallë të tij. Jo pa qëllim le tableau vivant janë të vetmet pjesë me ngjyra të episodit të zhvilluar në bardhë e zi.

Depozitim i Rosso Fiorentino

unnamed (3)

le tableau vivant përkatëse e Pazolinit

Depozitim i Pontormos

70aa6c186ab04409f400d10963660fba

le tableau vivant përkatëse e Pazolinit

Manierizmi është periudhë e veçantë e artit të shekullit të gjashtëmbëdhjetë, e cila pasoi tatëpjetën e artit klasik pas apogjeut të arritur nga mjeshtrit Michelanxhelo, Rafaeli, Leonardo. Pasardhësit nuk mund të tejkalonin përsosmërinë gjeniale, forcën krijuese, aftësinë teknike dhe nivelin e paarritshëm nga çdo pikpamje të mjeshtërve klasikë, por edhe sikur të mundnin, nuk u lejohej sepse mjeshtrit ishin kanonizuar, ose akademizuar siç thuhet në bashkëkohësi. Pra, artistët e brezave që pasojnë, nuk u mbetej rrugë tjetër përveç se t’i imitonin mjeshtrit, ose të rrebeloheshin, çfar në fakt bënë.

Çfar ndodh në art, ndodh edhe në shoqërinë e kohës. Niveli i paarritshëm e gjenive të rilindas ishte pasqyrim i entuziazmit fillestar të Rilindjes si epokë e re çlirimtare për njeriun që deri atëhere ishte i ndrydhur nga paradigma mesjetare që vendoste Zotin në qendër të Universit. Rilindja kreu një ndryshim paradigmatik, çfronësoi Zotin dhe vendosi njeriun në vend të Tij gjë që çliroi forcat e Progresit që akoma përjetojmë, të karakterizuar nga zhvillime të përshpejtuara vrullshëm dhe krejt të pa pakontrollueshme, e për pasojë tepër të frikshme siç u pa më pas mbas entuziazmit të parë. Mbasi u shëmb vizioni mesjetar ptolemeik që konsideronte Tokën si qëndër të gjithësisë - gjë që garantonte qëndrueshmërinë e truallit nën këmbët e njerzve - vizioni kopernikian, duke treguar se Toka është një rruzull çfardo në univers i sulur vrullshëm drejt hapsirave të panjohura kozmike, krijoi ankthin tipik të njeriut modern, që për më tepër kish humbur besimin ngushëllimtar në qënien e Zotit dhe në realitetin e hapsirave “të botës tjetër”. Asgjësimi i unitetit të gjithësisë - garantuar më parë prej qenies së Zotit - i hapi kanatash dyert e kaosit, pasigurisë dhe ankthit kozmik të individit, tashmë çfarë ishte dhënë, realizuar dhe trashëguar mund të zhdukej në çast pa lënë gjurmë. Peridha e quajtur Manierizëm paraqet këtë ankth kozmik si periudhë krize e vlerave të peridhës Rilindase, e cila çfarë mbolli, korri.

Si gjithnjë çfarë ndihet së brëndëshme, ndodh edhe së jashtmi, peridha manieriste përkon saktë me një periudhë tejet të turbullt nga pikpamja fetare, politike dhe ekonomike për Italinë dhe Evropën. Në Firence - atdheu i grupit të “eksentrikëve” Pontormo dhe Fiorentino ku zanafilloi Manierizmi - kthimi i Medici-ve shënoi fundin e Republikës, pushtimi i Romës nga katunarët gjermanë, turbullirat e Reformës luteriane. Me një fjalë tërë sistemi i sigurive të humanizmit, harmonia dhe racionalizmi klasik, u shkatërruan njëra pas tjetrës, dhe tërë Italia dhe Evropa vlonin nga konflikte të armatosura absurdë dhe pa kuptim si rëndom përgjatë kohës së Reformës protestante dhe Kundëreformës katolike në vazhdim e sipër. Kjo situatë troditje totale e kishte një kuptim: mbas ahengut helen të Rilindjes që çliroi ndërgjegjet nga mundimet fetare të Mesjetës, Reforma dhe kundërReforma rikthyen mundimet e ankthit moral fetar nga frika e mëkatit, ferrit etj. (bash në këtë kohë lindi me të vërtetë Inkuizicioni dhe filloi formimi i kombeve në Evropë). Kjo kohë është më e turbullta, më kriminale dhe më e vuajtura e historisë Evropës, dhe ta do mendja që edhe arti i kësaj epoke, Manierizmi, ta reflektojë plotësisht këtë epokë duke ju kundërvënë artit rilindas nga çdo pikpamje. Harmonia e artit rilindas, proporcioni gjeometrik i formave, ngjyrat natyrale, perspektiva drejtvizore (paraqitja e hapsirës), përmasat reale të trupit njerzor u braktisën krejtësisht prej artistëve manieristë.

Në pikturën manieriste shpesh figurat paraqiten të zhvendosura nga qendra e veprës, pra thyhet kanuni i qendërsisë dhe jerarkisë klasike; përmasat anatomike e trupit të njeriut nuk ndiqen më, vihet re gjigantizmi stërmadh dhe disartikulimi i formave, zgjatja e figurave në kufi me karikaturën. Drita përdoret për të theksuar shprehjet dhe lëvizjet, figurat kanë një bukuri të ftohtë dhe sensuale në të njëjtën kohë. Vështrimet dhe shprehjet janë herë intensive dhe të dhimbshme, herë jo të pranishme dhe metafizike, jo të kësaj bote. Mungesa e imazheve perspektive të peizazheve ose arkitekturave krijon një ndjenjë boshi metafizik, i cili theksohet më tepër ngaqë figurat njerëzore duken eksentrike sepse nuk vendosen në plane të përcaktuara në mënyrë rigoroze sipas rregullave pikturës natyraliste dhe realiste të Rilindjes.

Palët e rrobave pikturohen me hollësi dhe evidencohen deri në bezdi, ngjyrat e sfondeve janë aq shumë të panatyrshme sa i japin tërë veprës një ajër artificial dhe eksentrik, por megjithkëtë tepër të rafinuar. Ngjyrat kalojnë nga tone natyrale dhe reale në tone fantastike; ato janë krejt në disonancë dhe të panatyrshme njësoj si perspektiva, e cila, nëse e pranishme, shpesh paraqitet e shtrembëruar dhe disproporcionale. Në këtë mënyrë, artisti manerist krijon një realitet virtual ose sureal shumë tërheqës, si me thënë ekzotik, pikërisht se nuk ka më asnjë lidhje me mjedisin hapsinor në të cilin jetojmë dhe që jemi mësuar ta njohim.

Manerizmi duke qenë kritikë ndaj ekuilibrit formal të traditës së Rilindjes, të objektivitetit realist dhe natyralist, është afirmimi i parë i një vetëdije subjektive, domethënë e vetëdijës moderne. Kjo shpjegon përse - mbasi konsiderohet prej tre shekujsh (prej Koncilit të Trentos që rikanonizoi artin) si art bosh, formalist, i korruptuar dhe dekadent - rivlersohet vetëm në shekullin e shkuar me shfaqjen e lëvizjeve moderniste në art. Deri atëhere Pontormo dhe Rosso Fiorentino, si edhe kolegët e tjerë manieriste, ishin fare të harruar mbas vdekjes ose të lënë mënjëanë, vdekur pakallur, në magazinën e mykur të historisë.

Të gjitha këto dhe disa të tjera të këtij lloji do t’i rishihni të trajtuara konkretisht në pjesën e ardhëshmë të shkrimit ku do të analizoj dy Depozicione-t e Pontormo dhe Rosso Fiorentino, si vepra të para dhe shumë përfaqsuese të manierizmit. Për të kuptuar ndryshimin midis Rilindjes dhe Manierizmit, jap si kapar dy shembuj tipikë:

Afresku Shkolla e Athinës e Rafaelit, përfaqsuese e pikturës dhe ideologjisë së Rilindjes:

la-scuola-di-atene-raffaello-sanzio

Vizioni i shën Gjonit i El Grekos, i cili u harrua mbas vdekjes, dhe u rizbulua nga postimpresionistët.

300px-The_Vision_of_Saint_John_MET_DT1052

pjesën e mëparëshme e gjeni këtu

1 Like

Pikturen me siper Vizioni i shen Gjonit te El Grekos ka kopju mçeftas Pikaso per te pikturuar te sterfamshme Les demoiselles d’Avignon qe konsiderohet vepra e pare kubiste qe ka revolucionarizuar imazhin duke thyer komplet kanunet e meparshme realiste:

Fakti se Vizioni i shen Gjonit te El Grekos, ku pershkruhet profecia e Apokalipsit, Pikaso e ka trasformuar ne Les demoiselles d’Avignon ku paraqiten disa prostituta tè bordellos se Avinjonit, eshte shume tregues per epoken moderne te Marlonit qe perjetojme.