Frut i lejuar (Pjesë e parë)

E ndali makinën tek një shesh (i thënçin) i shkretë prej asfalti para një shtëpie dykatëshe që në katin e parë të saj kishte një bar-kafe, tashmë mbyllur prej kohësh, në prak të portës i kishin mbirë barishtet. Deri këtu mund të arrihej me makinë, më tutje fillonte ngjitja drejt majës duke ndjekur monopatin.

-Më duket se këtu nuk lejohet parkimi - i thashë duke treguar një tabelë të ndryshkur sinjalesh rrugorë që nuk dallohej mirë se ç’ishte.

-Vari hejbet, unë këtu ndaloj gjithmonë kur vij të ngjitem, e asnjë nuk është ankuar deri më sot. Nuk e sheh që kafeneja është mbyllur ka do kohë e nuk ndalon më njeri kësaj nahije?

-Çfar kohe! Bën ftohtë e fryn erë, por drita është kaq e fortë e ka kaq shumë shkëlqim, sa ndihet vetëm fresk shëndetmirë!

-E ç’lidhje ka drita me të ndjerit fresk, ngrohtë apo ftohtë, apo futja katunit si gjithnjë me filozofira kot!?

-Po të jesh nga katuni i Gëtes, mund edhe t’ja fusësh pa asnjë problem me filozofira kot, futja kot se del plot në katunin e t’modhit Gëte. Ja psh shiko pjergullën zvarritëse tek kangjellat: megjithse vjeshtë e vonë paska akoma rrush me erë, rrush i egër katuni. Bistakët e rrushit që ndodhen në dritë kanë shumë më pak kokrra të hapërndara një këtu e një atje në vetmi, ndërsa ato në hije, mçef mbas gjetheve, janë tamam bistakë si formë dhe si sasi kokrrash shumë më tepër, kapicë njëra mbi tjetrën. Eshtë saktë raporti midis cilësi dhe sasi: provo kokrrat e vetmuara të vileve në dritë sa të ëmbëla dhe sa të shijëshme janë! E sheh që edhe si ngjyrë dhe si dizajn janë ndryshe nga ato në hije, të cilat vijnë të zbërdhylta? Këto të dritës janë të marrsha të keqen, i han më parë syri se goja. “Han syri” themi ne katunarët shqiptarë.

-Ore vërtet qënkan shum më të mira këto në dritë. Po ngrënë kështu pa larë nuk përbën rrezik ilaçi i dizifektimit?

-Hë bravo! Tani, mbasi i mbushe bulçitë plot e përplot me rrush me erë, arrite ta kapësh idenë filozofike futja kot që ekziston lidhje midis pozicionit të kokrrës në dritë dhe shijes e dizajnit të saj, dhe se han syri para se të hajë goja. Bëj edhe një sforco tjetër, e mbase e kap edhe idenë filozofike futja akoma më kot që ekziston lidhje midis lodrës së dritës në retinë dhe të ndjerit ftohtë, fresk apo ngrohtë në trup.
Hiç mos ki frikë nga sulfati i bakrit, rrushi me erë nuk dizifektohet sepse nuk kultivohet, nuk është bimë shtëpijake e zbutur, rritet i egër në natyrë. Mund ta gjesh edhe kacavjerrur në ndonje ferrë rastësisht, mbirë aty ku ka dhi katunari, ndërmjet të tjerash mbeturina ushqimi, edhe fara rrushi të patretura mirë. Ky zbulim përbënte një nga gëzimet më të mëdha të kohës së fëmijrisë. Ndoshta ja kalonte si gëzim vetëm zbulimi i pirgut me vezë fshehur në bar në mes shkurreve nga ndonje klloçkë harame që pillte vezë jasht furrikut. Zbulim i idesë platonike të rrumbullaksisë, zbulesë e harmonisë kozmike.

fund i pjesës së parë

osht njoni qe quhet brexit qe ka thon:

pour la France, l’Europe c’est une idée, pour l’Allemagne, l’Europe c’est un espoir, pour l’Angleterre ce n’est que de l’intérêt.

i modh vallaj osht!