Frut i lejuar (Pjesë e dytë)

Në kthim përdorëm të njëjtën rrugë prej nga ku u ngjitëm; zbritëm monopatit tatëpjetë që përfundonte tek sheshi prej asfalti ku kishim lënë makinën. Pjergulla e rrushit ishte po aty, kacavjerrë nëpër kangjella, nuk kishte lojtur vendit; nga larg bistakët nuk dukeshin, nga afër ndiqnin lojën e hije dritës përforcuar nga hovi i erës. Ishim të lodhur e të uritur, kishim edhe etje. Tani në fund ndjehet lodhja e ngjitjes. Pa folur, futëm duart midis gjetheve, e merr rrush me grushta e ha si të babëzitur duke dihatur. Mbasi kaloi babëzia e parë, dhe frymarrja u lehtësua disi, tha akoma duke u mbllaçit:

-Na thuaj ndonjë gjë!

-Filozofike?- i thashë me ironi.

-E shof, t’paska ngel hatri.

-Për të treguar se nuk më ka ngel hatri, ja po bëj pak filozofi: ka thënë Marksi që filozofi bëhet vetëm mbasi mbushet barku.

-I fortë je për besë, e lidhe filozofinë me çfarë po bëjmë.

-Jo vetëm kaq, jam akoma më i fortë për besë për të lidhur gjëra që duken në pamje pa lidhje. Nëqoftëse të kujtohet muhabeti që po bënim këtu para se të ngjiteshim: dritën e perceptuar nga retina e lidha me ndjeshmërinë termike të lëkurës, pozicionin e kokrrës rrushit në dritë e lidha me shijen dhe dizajnin e saj, gjithashtu lidha syrin me gojën: han syri para se të hajë goja.

E pashë që e kisha tepruar, fytyra i shprehu dhimbje. I pezmatuar, nuk hante më rrush. Duhej ngushulluar.

-Shiko të gjej lidhjen e lidhjeve me besë a besë: kur dy vetë i ngjiten një maje, në zbritje janë shumë më të lidhur bashkë se sa ishin më parë në ngjitje.

I shkreptiu në sy një xixëllimë simpatie të thellë.

-Vazhdo ha rrush, është mënyrë shumë e mirë për të kompensuar kaloritë e humbura. Sheqernat janë substancat që shëndrrohen në kalori me shpejt se çdo të tjera. E ç’është më e rëndësishme këputja e një fruti drejpërdrejt nga pema ka një domethënie të thellë, ndoshta domethënien më të thellë ekzistuese … .

Ndërpreva menjëherë frazën, mbi kokën tonë, në ballkonin e katit të dytë të vilës një qen filloi të lehë si i tërbuar me kokën varur në drejtim tonë aq papritur sa instiktivisht u zbytha i trëmbur. Aq më tepër i kapur në faj se po hanim një frut në gardh të huaj, pra frut të ndaluar.

-S’ka problem, qeni bën kot, e tradhëton bishti që tund në shenjë gëzimi. Po na përshëndet. Ja dhe macja e vilës që bën njësoj duke u fërkuar në këmbët e mija me bishtin ngritur lart dhe përkulur hark si çels solfezhi - tha duke u përkulur, e pastaj vazhdoi duke përkëdhelur macen - shpirti shtëpisë u bë komplet, qeni dhe macja, përkatësisht mashkulli dhe femra na thonë: mirsardhët, hani pa frikë, rrushi është për ju.

-Më duket se i paskemi ndarë detyrat dhe kompetencat, unë botën bimore, ti botën shtazore.

-Le përgjysëm diçka të rëndësishme lidhur me botën bimore, ndërprerë nga bota shtazore.

-Sa shpejt e more hakun - u zgërdhiva unë.

-Hakmarrja i përket botës shtazore! - dyfish zgërdhmje përballë.

-Indiferenca statike i përket asaj bimore! - vazhdova i qetë, hesapet ishin larë - Ku e lamë?

Zgërdhirja shtazore u shfaq përsëri përkundruall.

-Po thoje që këputja e një fruti drejpërdrejt nga pema ka domethënien më të thellë ekzistuese.

-Po, por kjo ishte ideja, kurse unë humba fillin e shprehjes së idesë. Qeni biri i qenit! Anyway, po e them në mënyrë tjetër.
Mrekullia më e madhe që kam ndeshur në Oksident, zbuluar nga ne katunarët orientalë mbas viteve 90-të, nuk kanë qenë rëndom mrekullitë turistike me dimensione të stërmëdha, si psh Tour Eiffel, ose Cappella Sistina ose Notre Dame etj. Jo, ka qenë një gjë fare e thjeshtë, me dimensione fare të vogla: një pemë zerdelie mbushur me kokrra vjeshtuke të pjekura që kishin rënë në rrugë e nuk i prekte njeri. Gjëndja ishte pak a shumë si kjo tani: një rrugë fare e shkretë, nga dy anët shtëpi me oborr rrethuar nga kangjella, nuk pipëtinte njeri, as kalimtarë e as zot shtëpie, kanatat e dritareve mbyllur, mëngjez të djele. Në njërën prej shtëpive, një pemë zerdelie shtrinte degët përgjysëm mbi rrugë. Ishte vjeshtë, degët mbushur plot me kokrra si kurrë parë ndonjëherë, frutet e pjekur e rënë përtokë kishin mbuluar tokën. Nuk i kishte prekur njeri me dorë, por çudia më e madhe, madje do të thosha mrekullia më e madhe, më e madhështore se Cappella Sistina, ishte se degët që kapërxenin kangjellat, kishin shkarkuar frutet e tyre mbi trotuar duke e mbuluar krejt derisa nuk dukej më asfalti, por vetem një masë frutore verdhë-portokall-kafe, shkelur vende vende nga kalimtarët.
Tani duket si gjë normale mbas përsëritjes së vazhdueshme të së njëjtës situatë, por përfytyro se çfar mund të ndjejë një lindor - i sapo ardhur në Perëndim - që e ka kaluar gjithë fëmijrinë e tij duke vjedh me pafajsi fruta nëpër kopshtije në periferi të qytetit, ndjekur nga katunari i zemruar me hu në dorë. Si është e mundur që fruti aq shumë i dëshiruar tani dergjet në tokë i papërfillur nga njeri? Utopia e komunizmit e realizuar në 2 metra katror? Mrekullia vete! Lashë çdo punë dhe ndenja aty më këmbë të shihja reagimin e kalimtarëve ndaj mrekullisë. Në dy orë që munda të rezistoja, kaluan gjithsejt nja pesëmbëdhjetë vetë; mrekullia nuk i bënte asnjeriu përshtypje, indiferencë totale. Nuk u përkul as edhe një njeri për be që të merrte një frut prej toke, apo të zgjatej të këpuste një zerdeli në degët që vareshin mbi tretuar. Vetem një qen i një zotërie të veshur me sqimë, i mori erë një zerdelie përtokë, për t’i bëri urinën sipër më pas. Atëherë kuptova që mrekullia ishte gjithnjë, por fatkeqsisht mrekulli negative: njerzimi e ka humb fare ndjenjën e dhuratës!

Nga ballkoni i shtëpisë erdhi një gërvimë hapje grilash, një kollitje dhe një vështrim indiferent ardhur nga një fytyrë mahmur me pizhama.

-Ja dhe i zoti i shtëpisë, njerzimi që ka humbur ndjenjë e dhuratës. Ikim para se të dëgjojmë lehjen e njerzimit. E vazhdojmë muhabetin në makinë.


fund i pjesës së dytë


pjesën e mëparëshme e gjeni këtu