Haruki Murakami- Lajmëtari Jazzit

Nuk e kam pasur kurrë qëllim që të bëhesha shkrimtar – të paktën jo deri sa u bëra 29 vjeç. Kjo është e vërteta.
Lexoja shumë që kur isha i vogël, dhe përfshihesha aq shumë në botën e romaneve dhe novelave që lexoja saqë do tregohesha gënjeshtar po të thoja se nuk jam ndjerë sikur isha unë që po i shkruaja. Por kurrë nuk kam menduar se kisha talent për të shkruajtur. Në adoleshencë pelqeja shkrimtare si Dostojevski, Kafka dhe Balzaku dhe nuk e imagjinoja dot se mund të shkruaja diçka, e cila të krahasohej me çfarë ata kishin shkruar. Për rrjedhojë, në moshë të re, hoqa dorë nga çdo mundësi për të shkruar. Dëshiroja të vazhdoja të lexoja libra për hobby, e kështu vendosa të kërkoj ndonjë mënyre tjetër për të jetuar.
Fusha profesionale me të cilën vendosa te merresha ishte muzika. Punova shumë, kurseva para, shumicën ua mora borxh miqve dhe njerëzve të afërt dhe sapo lashë universitetin hapa një lokal të vogël Jazz-i ne Tokyo. Shërbenim kafe gjatë ditës dhe pije të ndryshme në darkë. Shërbenim edhe gjëra të thjeshta për të ngrënë. Gjatë gjithë kohës vinim muzikë të regjistruar ndërsa në fundjavë ftonim të luanin live muzikantë të rinj jazz-i. E gjithë kjo zgjati për shtatë vjet. Pse? Për një arsye të thjeshtë: kjo më jepte mundësinë të dëgjoja muzikë Jazz nga mëngjesi deri në mbrëmje.
Takimin tim të parë me Jazz-in e kam pasur në vitin 1964, kur isha 15 vjeç. Art Backley dhe Jazz Messengers në Janar të atij viti jepnin një shfaqje në Kobe dhe mua më bënë dhuratë një biletë. Kjo ishte vërtetë hera e parë që dëgjova Jazz dhe që nga ky çast mbeta i magjepsur prej tij. Isha si i shushatur. Grupi ishte i mrekullueshëm: Wayne Shorter-i në saks tenor, Freddie Hubbard-i në trombë, Curtis Fuller-i në trombonë dhe Art Blakey-i me stilin e tij solid dhe fantazioz në bateri. Mendoj se ky është një nga grupet më të mira të historisë së Jazz-it. Nuk kisha dëgjuar kurrë muzikë më magjepsëse dhe ndjehesha i tëri si i pushtuar prej saj.
Para një viti pata një drekë në Boston me pianistin panamian të muzikës jazz Danilo Perez dhe kur i tregova këtë histori ai nxori celularin dhe më pyeti, “ A do t’i flasësh Wayne-it, Haruki? “,
“ Sigurisht ” iu përgjigja duke kërkuar fjalët. Ndërkohë ai i telefonoi Wayne Shorter-it në Florida dhe ma kaloi mua. Thelbi i asaj çfarë i thashë ishte se nuk kisha dëgjuar kurrë muzikë më mahnitëse, as më parë dhe as më pas. Jeta është kaq e çuditshme, nuk e di kurrë se ç’do të ndodhë. Në këtë kohë isha 42 vjeç, duke shkruar novella, jetoja në Boston dhe flisja me Ëayne Shorter-in në celular. Nuk e kisha imagjinuar kurrë që të ndodhte diçka e tillë.
Kur bëra 29 vjeç, krejt papritur dhe pa menduar, pata një ndjesi sikur doja të shkruaja një novelë – dhe mund t’ia dilja mbanë. Sigurisht, nuk mund të shkruaja diçka e cila të krahasohej me veprën e Dostojevskit apo Balzakut, por i thashë vetes se kjo nuk ishte e rëndësishme. Nuk duhej të bëhesha një gjigand i letërsisë. Për më tepër nuk ia kisha idenë se si shkruhej një novelë dhe as mbi çfarë mund të shkruaja. Nuk kisha absolutisht asnjë lloj eksperience dhe asnjë stil të para përgatitur në dispozicion. Nuk njihja askënd që të më mësonte si të shkruaja dhe nuk kisha as miq me të cilët të flisja mbi letërsinë. Mendimi i vetëm që kisha në ato çaste ishte se sa e mrekullueshme do kishte qenë sikur të mund të shkruaja ashtu siç luaj në instrumenta.
Kur isha fëmijë luaja në piano, lexoja muzikë mjaftueshem sa për të luajtur një melodi të thjesht, por nuk zotëroja teknikën e nevojshme për t’u bërë muzikant profesionist.
Në brendësi të kokës sime shpesh kisha ndjesinë, në formë mendimi, sikur muzika ime vërdallisej rreth e përqark në formë vorbulle si një valë deti e lartë dhe e dendur. Pyesja veten nëse do të ishte e mundur ta shndërroja këtë muzike në shkrim. Në këtë mënyre lindi stili im.
Ashtu si në muzikë dhe në të shkruar gjëja më e rëndësishme është ritmi. Stilit tënd i nevojitet një ritëm i mirë, natyror dhe constant, ndryshe njerëzit nuk të lexojnë më . Unë e mësova rëndësinë e ritmit prej muzikës – kryesisht prej muzikës Jazz. Pas ritmit vjen melodia – e cila, në letërsi, do të thotë vendosja e duhur e fjalëve në mënyre të atillë që të përputhen me ritmin. Nëse mënyra se si fjalet përputhen me ritmin është e butë (smooth) dhe e këndshme, atëhere nuk të nevojitet tjetër gjë. Tjetër element i rëndësishem është harmonia – tingujt e brendshëm, të përjetshëm që mbështesin fjalët. Më pas vjen elementi që më pëlqen më tepër: improvizimi i lirë (free improvisation). Kështu, përmes disa kanaleve të veçanta, historia buron lirshëm nga brendësia . E vetmja gjë që duhet të bëj është t’i bashkangjitem rrjedhës. Më në fund vjen dhe ajo që mund ta quajmë pjesa më e rëndësishme: lartësimi i eksperiencës tënde pas mbarimit të veprës – mbarimit të performancës, dhe ndjesia së ia ke dalë mbanë me sukses të arrish në një hapësirë të re dhe kuptimplotë. E nëse gjithçka shkon mirë, këtë ndjesi lartësimi duhet ta ndash me lexuesit e tu (audiencen tënde). Ky është kulmimi i mrekullueshëm i cili nuk mund të arrihet në asnjë mënyre tjetër.
Praktikisht çdo gjë që di mbi të shkruajturit, e kam mësuar nga muzika. Mund të tingëllojë paradoksale e thënë në këtë mënyrë por sikur të mos kisha qenë kaq i obsesionuar nga muzika mund të mos isha bërë shkrimtar. Edhe tani, gati 30 vjet me vonë, vazhdoj të mësoj shumë mbi të shkruajturit duke dëgjuar muzikë të mirë. Stili im është thellësisht i influencuar nga ripërsëritja e riff-eve të shkujdesura të Charlie Parker-it, ashtu dhe nga rrjedhshmëria elegante e prozës së F.Scott Fitzgerald-it. Ndërkohë vazhdoj të marr si model letrar cilësinë e vazhdimësisë së vetëpërtëritjes që mbart muzika e Miles Davis-it.
Një nga pianistët e mi jazz më të preferuar i të gjitha kohërave është Thelonious Monk. Një here, kur dikush e pyeti se si arrinte të nxirrte tinguj aq të veçantë, Monk-u u ul në piano dhe tha: “Nuk mund të ketë asnjë notë të re. Kur hedh sytë mbi tastierë, vëren se të gjitha notat gjenden aty tashmë. Por nëse e ke fjalën thjesht për një notë atëhere ajo do të tingëllojë ndryshe. Duhet të zgjedhësh notat të cilat vërtet kërkon ! “
I risjell shpesh në mendje këto fjalë ndërsa jam duke shkruajtur dhe i them vetes, “ Është e vërtetë. Nuk ka fjalë të reja. Detyra jonë është t’u japim kuptime të reja dhe ngjyrime të veçanta fjalëve të zakonshme.” Një mendim i tillë më duket bindes. Kjo do të thotë se përpara nesh shtrihen hapësira të pafundme dhe të panjohura, territore pjellore që presin të kultivohen prej nesh.

Shqipëroi Alfred Bushi

(Ese e Haruki Murakamit mbi marrëdhënien mes muzikës dhe letërsisë. Publikuar tek New York Times, më 8 Korrik 2007)

4 Likes

Ashtu si në muzikë dhe në të shkruar gjëja më e rëndësishme është ritmi.

ah kadoshi, me paska vjedh idene!

S’ka thene ndonje gje te re , ritmi eshte shoqeruesi kryesor i jetes se cdo gjeje ne Toke.

Ta ka vjedhur njerezimi , ka mijera vite :stuck_out_tongue:

Thon qe kush di me kercy mir
Din me i bo ene sene t’tjera mir
Kush nuk din me krcy
Shum sene s’din me i kry

Fjolla Morina, urtesia e popllit

1 Like

Kusherire e NN kjo?

FTani me bete kurioz te shoh per kete Murakamin. Sa per jazzin, kam qene nga ata qe nuk e duroja dot para shume vitesh, sepse me dukej pak i pastrukturuar, nje grup muzikantesh qe mblidheshin bashke e luanin c’t’ju donte bytha, so t’ua donte bytha. Pastaj gradualisht fillova te mesohem me te dhe ta kuptoj, tani e preferoj ndaj zhanreve te tjere. Improvizimi eshte cfare e ben te bukur.

She’s just sayin…rhythm is a dancer, it’s a soul companion, you can feel it everywhere…

Aman, vec me hard rock and metal mos u afeksiono…eshte muzika me e vdekshme qe ekziston, me e kufizuara ne kohe…sidomos tani qe jemi ne 2017.