Heqja e Shpresës

Copëz nga romani “Fëmijët e mesnatës” të autorit Salman Rushdie, botuar nga Botim Dudaj (2015). Përktheu Ilir Baçi.

… Jo, po talleni me mua, mjaft, mos bëni shaka. Përse, nga mbiu gjithë ky humor në pëshpëritjet e kaluara vesh më vesh? Jo, mos më dënoni, pa prova dhe pa të drejtë kundërshtimi — mos më torturoni me përshëndetjet e hareshme teksa ju mbyllin një e nga një nëpër qeli. A është vendi dhe koha këtu për selame, namaskare, e si je me shëndet? Fëmijë, a nuk e kuptoni se mund të na bëjnë gjithçka, gjithçka — jo, si mund ta thoni këtë, ç’doni të thoni me çfarë mund të na bëjnë? Ja ku po jua them, miq, vargonjtë dhëmbin kur t’i vendosin tek kyçi i këmbës; qytat e pushkëve lënë mavijosje në ballë. Çfarë mund të na bëjnë? Ju fusin në vrimë të bythës tela me korrent, fëmijë; dhe jo vetëm kaq, ka edhe varje nga këmbët, dhe qiriu — ah, drita e pakët romantike e qiriut! — nuk është aq i mirë kur ta afrojnë të ndezur tek lëkura! Mjaft tani, boll me këtë miqësi, a nuk paskeni frikë! A nuk dashkeni të më shkelmoni të më shkelni të më dërrmoni sa të më bëni copë e çikë? Ç’janë këto kujtime që pëshpëritni pa pushim, ky mall për zënkat e vjetra, për luftën mes ideve dhe sendeve, përse më torturoni me qetësinë tuaj, me normalitetin, me fuqinë tuaj për të qëndruar mbi hallet? Sinqerisht jua them, më keni befasuar, fëmijë: si ka mundësi, ju, në moshën njëzetenëntëvjeçare, të qëndroni ulur e të flirtoni me pëshpëritje drejtuar njëri-tjetrit brenda qelive tuaja? Ta marrë djalli, nuk jemi mbledhur për qejf këtu!

Fëmijë, fëmijë, më vjen keq. E pranoj hapur se nuk kam qenë vetvetja këto kohë. Kam qenë budë, kam qenë fantazmë brenda një koshi dhe shpëtimtar i ardhshëm i kombit …

E pabesueshme, fëmijë: ne, që nuk flisnim dot pesë minuta pa u zënë: ne, që si fëmijë grindeshim ziheshim përçaheshim nuk besoheshim ndaheshim, befas jemi bashkë, të bashkuar, si një trup i vetëm! O ironi që të lë gojëhapur: Vejusha, duke na sjellë këtu për të na thyer, në fakt na ka bashkuar! O paranojë mendjemadhe e tiranëve … sepse çfarë mund të na bëjnë tani që jemi të gjithë në të njëjtën anë, pa rivalitete gjuhësore, pa paragjykime fetare: tekefundit, tani i kemi mbushur njëzetenëntë vjeç, nuk duhet t’ju quaj më fëmijë … ! Po, këtu kemi optimizëm, si një sëmundje: një ditë asaj do t’i duhet të na lërë të lirë dhe atëherë, dhe atëherë, prisni se do ta shihni, mbase duhet të krijojmë, nuk e di, një parti politike të re, po, Partinë e Mesnatës, e ç’shans ka politika përpara njerëzve që mund të shumëfishojnë peshqit dhe t’i kthejnë metalet bazë në flori? Fëmijë, diçka po lind këtu, në këtë orë të zezë të robërisë sonë; le të bëjnë më të keqen Vejushat; uniteti na jep fuqi! Fëmijë: fitorja është e jona!

Tepër e dhimbshme. Optimizmi që rritet si lule mbi një pirg bajgash: më dhemb kur e kujtoj. Mjaft: nuk më kujtohen të tjerat. – Jo! – Jo, shumë mirë, më kujtohen… Çfarë është më keq se vargonjtë dhe qirinjtë e ndezur mbi lëkurë? Çfarë ia kalon shkuljes së thonjve dhe lënies pa ngrënë? Ju zbuloj shakanë më të hollë, më të sofistikuar të Vejushës: nuk na torturoi, por na dha shpresë. … Dhe tani, shumë shpejt, do të më duhet të përshkruaj se si na e preu me gërshërë.

Ektomia (ma merr mendja, vjen nga greqishtja): heqje përmes prerjes. Së cilës shkenca mjekësore i shton një sërë parashtesash: apendektomia tonsilektomia mastektomia tubektomia vazektomia testektomia histerektomia. Selimi do të donte t’i dhuronte edhe një fjalë tjetër, falas, pa pagesë dhe kundrejt asgjëje, këtij katalogu heqjesh. Por është një term që tamam-tamam i përket historisë, paçka se në mes na futet shkenca mjekësore:
Sperektomia: heqja e shpresës.

1 Like

shume e bukur kjo pjese blend. rrofsh

1 Like