Himn për leximin

Chagall

HIMN PËR LEXIMIN

E dëgjon tani kudo, kur me sa duket u ka ardhur thika në kockë, faktin që e pohojnë të tërë se nuk lexohet.

Por ja ta zemë se do të ndodhë mrekullia dhe me urdhrin e peshkut do të ngrihen si një trup i vetëm ata një milion që nuk kanë zënë libër me dorë e do të na pyesin: »Ç’të lexojmë?«

Natyrisht dhe për fat të mirë nuk është se nuk kemi se ç’të lexojmë në shqip.

Vetëm se kur këtë çështjen e leximit e shtrojnë ata që e tregtojnë librin, ata që e blejnë dhe e shesin pra, ose edhe më thjesht: ti shkon në panair e do të blesh ca libra, pyetja bëhet vërtet paksa retorike.

Pata qenë para ca vitesh në një panair këtu e nga çdo vitrinë më kundronte i qeshur emblema e atij organizimi: Koelio.

Mirëpo a mund t’ia rekomandosh seriozisht dikujt këtë sharlatan për ta lexuar?

Apo Ken Folletin, Den Braunin, Ronda Bajronin etj.?

Të lexojmë për t’u zbavitur, për t’u kotur në plazh, të lexojmë për të lexuar pra? Apo thjesht për të vrarë kohën?

Më e rëndësishme se të lexuarit në vetvete - mund të flas vetëm për vete, sidoqoftë - është të dish se çfarë të lexosh. Kjo vjen pasi ke mësuar se si të lexosh.

Me veten time e kam zgjidhur njëfarësoj këtë punë, sidomos me autorët shqiptarë. E di pra se çfarë dua të lexoj. Dhe jo se çfarë duhet të lexoj. Ata që ndjek, që ua blej vetë librat, që i lexoj dhe e kam fajin vetë për këtë, janë ata që dua të lexoj.

Lexoj nga të gjallët tanë Kadarenë, Kongolin, Bashkim Shehun, Ervin Hatibin, Romeo Çollakun, Luljeta Lleshanakun, Aurel Plasarin, Ardian Vehbiun, Arben Dedjen - harrova kënd?

Jo gjithnjë më pëlqejnë e kjo është afërmendsh. Shpesh nuk e mendoj fare ashtu; sidoqoftë, përderisa i lexoj e kam fajin vetë. Përderisa vazhdoj t’i lexoj domethënë.

Shpesh grinden me njëri-tjetrin a me veten e tyre; grindem edhe unë me vete, po. Le të grindemi, nuk ka asgjë të keqe këtu, por si xhentëlmenë e jo si »të fortë«. Le të grindemi hijshëm pra, të grindemi »bukur«.

E ku ka më mirë se të hahemi për aksh libër, për këtë apo atë muzikë, për aksh shfaqje, për filozofi e për botëkuptime? Kështu e përfytyroj unë së paku luksin.

Ndoshta ka edhe shumë të tjerë atje përjashta që shkruajnë po aq mirë. Ashtu siç ka shumë vajza të bukura në këtë botë. Siç ka plot vende të bukura ku nuk kam qenë e nuk do të jem kurrë. Edhe me emrat që përmenda e solli rasti që u puqëm. Sepse fare mirë mund të isha përhumbur në ndonjë raft tjetër të ndonjë gjuhe tjetër, të ndonjë dege tjetër, të ndonjë arti tjetër, në bibliotekën e Babelit. Edhe kjo nuk do të kishte qenë ndonjë tragjedi, as për ta e as për mua.

Që pamjet dhe tingujt janë bërë inflacionare nuk duhet ndonjë aftësi e rrallë vëzhgimi për ta vënë re. E njëjta gjë vlen edhe për fjalën. Deflacionare do të ishte mbase përcaktim më i saktë.

Shprehja e njohur e Borhesit: “Nuk mburrem me atë që kam shkruar, por me atë që kam lexuar”, sot, nja tre dhjetëvjeçarë më tutje - e kjo nuk është asgjë historikisht, gjë që do të na çonte te përshpejtimi i zhvillimeve, te xhirimi i përshpejtuar pa rrip transmisioni - shprehja e njohur pra e Borhesit, më së paku për mua, duhej rithënë kështu: “Nuk mburrem me atë që kam lexuar, por me atë që nuk kam lexuar.”

Parë kështu, unë mburrem me atë që nuk kam parë e nuk shoh (filma të pafund serialë, liga të tëra futbolli, talk-shows të përmbrëmshme), mburrem me muzikën që nuk dëgjoj (oqeane të tërë me hip-hop, muzikë elektronike, muzikë eksperimentale, etj.), mburrem me ekspozita që nuk vizitoj (pavijone të tëra me art të sofistikuar e piktura dozash konservash, gjer dhe me jashtëqitje, performanca fort të vizituara artistë(e)sh që nuk bëjnë asgjë, etj.), mburrem me atë që nuk lexoj (e kotë të rreshtoj këtu pafundësinë e titujve të palexuar) e kështu me radhë.

Por edhe mburrje nuk është. Është luks.

Jetojmë në kohë paradoksale, kur të kundërtat fqinjërojnë më bukur me njëra-tjetrën se me të ngjashmet e tyre dhe oksimoronët kanë më shumë kuptim se kurrë.

Agjërimi bëhet kështu luks.

Të paturit të drejtë është bërë i bezdisshëm edhe ky, pasi e drejta ndodh vetëm në përpjestim me të zhdrejtën: duhet të ketë ndodhur një padrejtësi që të mundesh të kesh të drejtë: ka shumë që motivin për të gjalluar e marrin pikërisht nga ky drejtpeshim i vjetër sa njeriu. E megjithatë nuk dihet që padrejtësia të jetë rralluar ndopak në këtë botë, sa nga gjaku i martirëve të së drejtës, aq edhe nga ai i të të pafajshmëve, përkundrazi.

Gjithsekush me dy pare mend do ta ketë vënë re me kohë se bota ka ardhur në një gjendje qorrsokakëse, nga e cila është e vështirë të dilet, thuajse e pamundur, aq më tepër kur nuk ngjan të ketë qoftë edhe ndonjë energji a forcë shoqërore që do të ishte në gjendje ta bënte këtë dhe, për më tepër akoma, se të gjitha përpjekjet për ta ndryshuar botën kanë çuar më së shumti në përkeqësimin e saj. Kjo vlen natyrisht, më së pari, për teoritë e filozofitë që na e shpjegojnë botën e ca më shumë akoma për ato që mëtojnë ta ndryshojnë atë.

Në këtë pikë, ata pak miq që i ka gjithkush më ndërpresin për të më vënë në dukje se bota ka “ecur” - nënkupto: është bërë më e mirë - e nuk mund të pohohet seriozisht se ajo qenkësh përkeqësuar. Mirëpo nuk është se unë po doja të argumentoja pikërisht këtë. Po pohoja thjesht se ajo as nuk është bërë më e keqe qysh, ta zemë, nga koha e faraonëve, por as edhe më e mirë. Dhe kur themi “bota”, natyrisht që nënkuptojmë njeriun, për të mos rënë në klishenë e shumësit të përgjithësuar keq: njerëzimin. Pasi për njeriun mund të flitet në shumës veç në raste epidemish, katastrofash e statistikash, por asnjëherë pa gabuar kur bie fjala për tema të tilla efemere si e mira dhe e keqja. Nëse i shohim pra qytetërimet si gjendje të gjithëkohshme, të përsëritshme, ku ndryshimin nga e kaluara në të tashmen e bën vetëm zhvillimi i teknikës dhe shtimi i njohurive, atëherë të lind me të drejtë njëfarë skepticizmi praktik kundrejt tyre, ngase vërtet nuk ka asgjë të keqe të dish, ta zemë, se në Galaktikën e Andromedës ndodhet një vrimë e zezë supermasive, porse ky lloj konstatimi nuk është se të ndih me ndonjë të mirë të prekshme e të dukshme; ky fakt nuk është aspak i dobishëm për mirëqenien tënde ndjesore, përkundrazi. E po pastaj? - të feks vetiu në mendje, kur has në të tilla zbulime shkencore, të cilat, si për të ta shtuar edhe më dozën e dyshimit, hidhen rregullisht poshtë në çdo 50 vjet nga zbulime edhe më të reja, edhe më shkencore.

Në këtë kuptim, të jetosh pas Ajnshtajnit nuk është me patjetër fat e të kesh jetuar, bie fjala, në shekullin e 18-të e të mos kesh ditur asgjë për relativitetin, edhe kjo nuk paskësh qenë fatkeqësi. Dijenitë tona për botën nuk na ndihin më së shumti aspak për jetuar më mirë a më keq e as për t’u bërë më njerëzorë. Me këtë nuk po dua të them, natyrisht, se dijenitë shkencore nuk na “duhen” e aq më pak që ato i hyjnë në punë vetëm dreqit. Dua të them vetëm që, nëse gjallimi ynë këtupari ka ndonjë kuptim, të vetmet dijeni që mund të na duheshin drejtpërdrejt, të vetmet të vërteta që do të mund të na hynin në punë, do të ishin ato që do të hidhnin njëfarësoj dritë mbi këtë kuptim a absurditet qoftë.

Miqtë e lartpërmendur më ndërpresin sërish këtu e më vënë në dukje se të vërteta të tilla gjenden me shumicë në fetë e filozofitë e kësaj bote, madje në çdo këndvështrim të trashëguar të saj, gjer edhe te relativiteti i lartpërmendur. Fundja, nuk mungojnë të shprehen ata - edhe për gjëra, për të cilat nuk do të kishin pse të shpreheshin, pasi i dija edhe para se të ndodhte për të satën herë fjalëzimi prej tyre- personalitetet më të cituara, kur bëhet fjalë për urtësi jetësore apo të tilla çështje, janë pikërisht Ajnshtajnët me shokë.

E natyrisht që ata më keqkuptojnë përsëri, për fajin tim megjithatë, pasi gabimi elementar gjendet në arsyetimin tim e jo në atë të tyre - ose, më mirë, ajo çka unë po dua të shpreh është e një lloji të tillë, që jo vetëm i trembet fjalës, porse edhe nuk e përmban a priori këtë, fjalëzimin pra. Madje, çdo rrekje për ta veshur mëtimin tim me fjalë çon automatikisht në të kundërtën e vet, në keqkuptimin e pikërisht asaj që po përpiqesh të thuash dhe ky keqkuptim i ndodh më së pari folësit me vetveten, pasi vetja apo qenia , kjo substancë eterike, është vetiu përtej fjalëve, ajo është përtej njeriut, ajo është zonë paraverbale e për të nuk mund të thuhet asgjë. Keqkuptimi ndodh edhe në një rrafsh tjetër: te dijenia për vdekjen. Patjetër që edhe fëmijët e dinë se njeriu vdes e megjithatë është tjetër gjë të flasësh duke u nisur nga vetëdija se je vdekatar e tjetër gjë - tjetër gjë fare - të flasësh pa e vërtetësuar këtë vetëdije. Dhe vërtetësimi i kësaj nuk është medoemos proces intelektual e as imagjinativ, nuk është proces artistik a pjekuri, nuk është urtësi që të falet me moshë. Është tjetër gjë dhe, meqenëse ka të bëjë drejtpërsëdrejti me “veten” e “qenien” si të tillë, është edhe kjo tërësisht e pashprehshme.

Padyshim që ajo çka do të ishte më elementare për t’u njohur në këtë botë do të ishte vetja. Në të, rreth saj, përmbi të; për sa kohë ekzistojmë këtupari - e mbase edhe përtej - atë e kemi gjithnjë më pranë se çfarëdo tjetër. Në do të mund të njihnim vërtet diç’ në këtë jetë siç duhet, duhej të ishte ajo.

E megjithatë pikërisht ajo i shpëton çdo cilësimi, pikërisht ajo ka në të njëjtën kohë atributet e hiçit e të Perëndisë në një: është dhe s’është në të njëjtën kohë. Pse ky silogjizëm absurd: edhe “është”, edhe “s’është”? Sepse po e fjalëzojmë dhe, siç shënova, çdo rrekje për t’u shprehur me fjalë për diç’ që gjendet përtej fjalës, në mos përpara saj, përmban qysh në krye të herës të njëjtin gabim sistemik që gjendet edhe në shumë fjalë pa brendi të përcaktuar, si: »asgjë", zero, Zot, gjithçka, sa për të marrë dy shembuj të mirënjohur.

Për nga vetë natyra e saj fjala duhej të shenjonte diçka të kësaj bote, mirëpo në përskajimet e saj, të botës pra, mu si në skajet e boshteve në matematikë, fjala e simbolet shfaqin pamundësinë tonë për të shquar të panjohurën që na rrethon. “Vetja” (apo “vetvetja”) është njëra nga këto fjalë, jo medoemos pa subjekt, por nuk mund të thuhej gjithashtu që subjekti i saj “është” vërtet. Në hinduizëm, bie fjala, ajo merret si e mirëqenë, ndërsa në budizëm ajo përshkruhet si zbrazëti; i përmend këtu këto këndvështrime lindore thjesht pasi janë marrë më fort se fetë tradicionale perëndimore me kundrimin e soditjen e saj - ndërkohë po ia kursej lexuesit që më ka ndjekur deri këtu të gjithëkudondodhurën “Njih vetveten”.

E ku mund ta njoh veten pra më mirë se duke u parë në pasqyrë? Në pasqyrën tuaj, në gjuhën që flas, në atë që më thoni. Dhe në atë që shkruhet pra.

Ka ca pasqyra në përralla që të tregojnë diçka tjetër nga ajo çfarë je vërtet. Për të mirë e për të keq. Libri është si ato. E kotë të shënoj pra se si po dua ta shoh veten në të.

© Arb Elo

2 Likes