Kitshi dhe kallpi (Pjesë I)

Pra, një lule, një rozmarinë
apo zambak, gjallë a vdek, e vlen
një glasë zogu marin?

Arthur Rimbaud, Ajo çfarë i thuhet poetit lidhur me lulet

… format estetike janë vërtet më ekonomiket - Tatlin, Arti në teknologji.

1) Për atë qiell e për këtë dhe

Fjalët që përshkruajnë koncepte abstrakte, përveç se u vishen kuptime të ndryshme prej njerzve të kulturës - shpesh përdorur me një kuptim pothuajse personal -, marrin kuptime të ndryshme në epoka dhe vende të ndryshme. Një e tillë që farfurin në gjithfarlloj kuptimesh është edhe fjala kamaleon “kitsch” (në shqip zakonisht përdorur në kuptimin frëng si art banal), dhe shkrimi që po lexoni përpiqet ta bëjë zap duke i treguar vëndin që i takon pranë fjalës “kallp”, ose sipas terminologjisë së mekanikës klasike duke i hequr një shkallë lirie si rëndom lidhjet bipolare, në të cilat polet japin e marrin kuptimet me njëri tjetrin, pasqyrojnë kuptimet e njëri tjetrit, dhe madje pasurohen nga kuptimet e njëri tjetrit si sistem yjesh të dyfishtë yin-yang (rasti më tipik: bipolariteti mashkull-femër, ekuivalent me qiell-tokë). Në rastin në fjalë të bipolaritetit kitsch-kallp, kallpi - fjalë me kuptim të përcaktuar (metal pa vlerë veshur me ar safi) - merr papërcaktueshmëri nga kitschi dhe nga ana tjetër i jep atij përcaktueshmëri dhe konkretësi.

Qielli, i konsideruar pa raport me konkretësinë e tokës, mbetet në hava si një koncept i rremë kitsch pa kuptim (vetkuptohet edhe anasjelltas, kur toka konsiderohet pa raport me qiellin, mbetet koncept kallp), sepse çfarë i jep kuptim dhe qendrushmëri një peisazhi është vija problematike e horizontit, në të njëjtën kohë ndarëse dhe bashkuese. Po njësoj arti, konsideruar një veprimtari hyjnore qiellore që vështirë t’i gjëndet shoku në tokë, shndërrohet automatikisht në një veprimtari të rremë që prodhon vepra kitsch, dhe bëhet i vërtetë kur i gjëndet shoku - ose më saktë bashkëshortja - tek ekonomia, e cila, konsideruar pa lidhje me artin e në hesap të vet, prodhon vetëm mall kallp.

Vetëm në raport me diçka që e trashedenton ekonomia mund të ketë një kuptim, dhe vetëm në raport me diçka që e zotëron mund të bëhet jetësore një estetikë. Fitimi me kalimin e kohës bëhet i pazoti të mbarësojë deri edhe punët e veta, dhe shija me kalimin e kohës nuk di as të dallojë të bukurën nga e shëmtuara - Elemire Zolla, Dalje prej botës.

Bëmat e mynxyrshme të artit kitsch dhe mallit kallp, më mirë se kushdo tjetër i njihte Broch, i cili, përveshi mëngët në zanatin e letrave mbas një përvoje pune të gjatë si industrialist. Në esenë e tij Poezia dhe njohja shkruan:

Art pour art dhe business for business janë dy degë të të njëjtës pemë

dhe se kërkesa e artistit për bukuri është ekuivalente dhe komplementare me kërkesën e afaristit për pasuri. Në disa ese të Broch, që trajtojnë problemin e kitsch, tregohet se kitsch nuk është vetëm vepra e artit, por është edhe qëndrimi (sjellja) i personit, madje arrihet në përfundimin që ekziston edhe qëndrimi kitsch, i cili është sjellja dhe qëndrimi i Antikrishtit dora vetë. I ndërgjegjshëm për situatën fundore të artit (ose Fundin e Artit) në romanin modern - dhe si hebre i ndjekur këmba këmbës prej nazistëve, pra më se i ndërgjegjshëm edhe për ardhjen e Fundit të Botës - e gjithë vepra e Broh është një stërmundim për të shpëtuar artin, artistin dhe botën duke e vënë “estetikën nën kontrollin e etikes”. Si përfundim meqë problemi i kitschit u lidhkërka me qëndrimin antikrisht në Fundin e Botës (Apokalips), mendja ta do që t’ia niset shpjegimit të konceptit të kitschit që prej krijimit të njeriut në Fillesë të Botës (Zanafillë).


fund i pjesës parë

1 Like