Kriptogrami

Diku, mes kordinatash të pa rëndësishme gjendet një qytezë, banorët e të cilës shpenzojnë shumë diell. Shpesh ndjehen të zalisur. Pastaj nuk e shikojnë më veten si qytetarë, përveç se tek kuponi i ushqimeve. Qyteza ka shtrirjen e zakonshme në formën e çekanit, një rrugë për së gjati dhe një tjetër më e ngushtë për së gjeri. Në rrugën për së gjati shëtisin të rinjtë, që kanë hap të plotë dhe i çon në fund e i kthen disa herë të pa lodhur. Kurse në atë të shkurtrën çapiten të moshuarit. Gjithçka që diskutohet apo shtrohet si ide nga të rinjtë mbi rrugën e gjatë, deshifrohet e stërhollohet me gjithfarë mënyrash nga të moshuarit mbi rrugën e shkurtër. Bisedat u përmbahen rregullave socialiste ndaj dhe qyteza tregon e pjekur. Fillimisht të gjithë mësojnë format për të shpjeguar rrufeshëm atë çka ndodh apo do të ndodhë përreth. Kështu vlen të komentohet gjithçka. Prej të moshuarve kjo shpjegohet si preokupim, të rinjtë e quajnë kotësi. Në këto kushte ata nuk mund të flirtojnë a të bëjnë lodra dashurie. Ndryshe gojët e qytezarëve nuk do mbyllen. Aty shikojnë pjerrët dhe të divorcuarit me gjendje civile. Shpesh është komentuar dhe shkaku, i cili shpesh përkon me problemet seksuale. Sepse një popull më keq se çdo tjetër, lëndohet prej mos trashëgimisë. Këto hollësira jo pak herë kanë sjellë dhe fërkime mes banorëve, po kjo është dhe e veçanta e qytezës, ta dinë çdo gjë dhe ta kuvendojnë së bashku.

Krejt ndryshe ndodh në qytetin e madh. Njerëzit humbasin mes rrëmujës. Ngacmimet apo dashuritë e ndaluara shpesh ngelen në derë të pikëpyetjes, teksa në qytezën e tyre dihet dhe nëmuri i pordhave që shtie në gjumin e drekës, plaku i madh Safet. Kaq transparencë e jetës në qytezë është e papranueshme, këmbëngulën të rinjtë, shto këtu edhe dilemën për shëtitoren e cila deri në orën gjashtë është veç një rrugë e zakonshme. Metamorfoza e saj vetëm për dy orë në shëtitore, u shton frikën për humbje të reja. Ashtu ata nuk arrijnë as të tregojnë këpucët e lyera me bojën-graso ushtarake, apo këmishën e vetme polyestër të qepur pas trupit me porosi.

Por vitet kalojnë dhe shëtitorja e tyre tek tuk po krijon disa gropëza si furriqe. Askush nuk ankohet, veç u shmangen duke i dribluar si në lojën me topin prej llastiku. Në këtë pikë halli i qytezarëve nuk ndryshon nga ai i qytetarëve, ngaqë edhe në shëtitoren e tyre janë krijuar tashmë gropat amorfe, madje më të mëdha, më të thella e rrjedhimisht më troshitëse. Kudo atdheu po shijohet njëlloj. Dhe pikërisht kur gjithë shëtitoret u bënë të pa përshtatshme për këmbësorët, nga deti fryu një erë me shi. Të rinjtë i çoi larg në dhera të huaja, kurse të moshuarve u ngatërroi kodet, që diskutimet e tyre të zhbëhen ngadalë. Kështu, vdekjen e plakut të madh Safet nuk do ta mësonte askush, po të mos dëgjohej vaji i plakës së vet, që i mblodhi pleqtë në oborrin e shtëpisë. Të fshihnin zhbërjen e parakohshme, ata ia nisën kodprishur bisedës së rastit. Kjo u duk qartë kur papritur kujtuan në drekëmortje pordhët e të ndjerit.

“Para se të mbyllte syrin, i ndërpreu fare ato… të uruara!”-tha dikush me çehre të vrarë. Tjetri plotësoi; “Pamundësia të çlirohesh prej gazrave sjell gjëmën. Normaliteti i organizmit të njeriut, pasqyrohet tek zorra e trashë!”
“Gabim fole, or lal, shëndeti pasqyrohet tek zemra!”-kundërshtoi një tjetër me bindje. “Tek dhëmbët!”-pasoi dikush. Aty u kapën si dikur kur humbte ekipi i pashtruar i qytezës. Për njëmend harruan se ishin mbledhur në ksodhën e të ndjerit Safet.

“Ua, ç’na thoni, po kjo dihet prej shekujsh!”-vazhdoi një tjetër. “Na e bën të njohur kënga e moçme me vlera kombëtare, kushtuar një plake qore e quajtur shkurt; Xhixho.” Para këtij fakti disa stepën, ndërsa ai që solli debatin deri aty, zuri “be” për kokë të djemve që i kish në Itali, se kënga qe kënduar gjashtëqind e kusur vite më parë. Stërgjyshat e mi janë hedhur valle me këtë këngë!-shtoi ai dhe të mbështeste teorinë e vet, nisi të recitonte:
E zeza, moj xhixho qorre,
Të madhe pordhë që hodhe,
Të madhe sa një kasolle,
Të mos kishe pjerdhur, ngordhe.
Mbas këtyre vargjeve askush nuk kundërshtoi. Por ai që u detyrua të sillte këtë fakt kaq të pazakontë të shpëtimit nga vdekja, për një çast u ndje keq. Dyshoi mos përgojohej ngaqë historinë e xhixho qorres e përmendi mes ksodhës. Më nuk e zgjati. Fundja kujt i prishej puna u bindën apo jo të tjerët!? Këto zjarre e sjellën tymin mbrapa, mendoi i frikësuar.

Prej këtij fakti vdekja e plakut Safet ngeli si një ditë e shënuar t’u kujtonte çdo çast, se jeta zgjatet prej po…e. Ndaj dhe pyetja e parë për pleqtë që zinin krevatin qe; “I preu pordhët?!” Përgjigja. “Ka disa ditë, por ndihmohet prej kapsulave mov që i dërguan të bijtë nga jashtë!”

“T’i lërë kokrrat mov e siel, e të shtojë gazrat, i thoni!”-këshillonte tjetri serioz dhe pa hyrë ende në oborrin e vet lëshonte pordhë të tregonte se ruante shëndet të mirë. “Ashtu, shyqyr!”-përgëzonte veten dhe shtrihej për gjumin e drekës.

Vërtet, madhështia e pordhës në atë qytezë, arriti ta zbehë dhe merakun e vjetër për kode e sinjale të veçantë. Të gjithë nisën të besojnë tek varianti i ri… Po se mos u kish ngelë shpresë tjetër thuaj. Të vetëm mbi dhe, braktisur nga Zot e qeveri, kërruseshin përditë e më tepër, thua nuk ishin ngopur me aromën e baltës. Kështu, në atë përhumbje dëshira për jetën i bëri të vihen në një garë të vërtetë pordhësh, që qyteza të jetonte ringjalljen. Përc-përcet e shpeshta pleqërore e poshtëronin vdekjen sy për sy, me shpjegimin e thjeshtë laik; “Duam të rrojmë!”

Kjo mbajti disa kohë, derisa xha Rizai i Gurajve mbas një pordhe të zorshme nuk dajandisi dot. Vdiq papritur mëngjesin tjetër. Pak ditë më parë i pat ardhur nga të bijtë një letër e zhubravitur, e verdhëlleme, në të cilën i shkruanin të mos shtrëngohej për tu çliruar, por të pinte kapsulat e verdha që shoqëronin letrën. Plaku, për hatër të këngës së lashtë nuk i mbajti vesh dhe kapsulat i mbetën në sirtar.

Kur e morën vesh të bijtë ishte vonë. Dërguan një letër tjetër ku bashkë me sqarimet se nuk mund të gjendeshin në varrimin e të atit për mungesë dokumentesh, i shkruanin të ëmës kapsulat e verdhëlleme mund t’ia falte kujtdo. Plaka në fillim u tërhoq por më mbas në rrugën e shkurtër përhapi fjalën e lume se për shpirt të plakut, falte tërë kapsulat e jashtme që i mbetën në sirtar.

“Moj, Kadie, a bëjnë për zemër? -e pyeti i pari komshiu që këtu e pak kohë, nuk kish mundësi të çlirohej prej gazrave. Dukej ashiqare se vdekja e priste krahëhapur.

“Nuk di o Estref, por derisa janë të verdha, diç bëjnë!” –iu përgjigj plaka dhe ai i pranoi. Vërtet, një ditë i gjori pordhi fort dhe sihariqi shkoi në çdo portë. Qysh prej asaj dite pleqtë gjurmonin gjithandej për kapsula të mbetura. “Edhe në mos bëfshin për veshka a mëlçi, shërojnë zemrën a mushkrinë!”-pëshpëritnin entuziastë tek çapiteshin mbi rrugën e shkurtër. Madje edhe kur dikujt nuk i ish sosur vaji i kandiles, por luftonte me vdekjen me thonj e po…ë, rrëqethej kur mësonte para shtëpisë së tij prisnin pleqtë që porsa të dëgjonin kujën, të mësynin me dorën e djathtë në zemër duke e avitur bisedën rreth kapsulave që do mbeteshin. “Ti shohim çfarë janë, aspirina apo morfina?-pyesnin pleqërisht tërë marifet. Teksa çështja po shkonte të ligjërohej, çuditërisht mësuan se dikush prej pleqve la amanet pas ikjes së tij, kapsulat që i dërguan bijtë e dashur t’ia vinin me vete në varr.

Edhe kjo nuk ish dëgjuar. Në varr mund të vendosej ndonjë shishe raki, cigare apo tespihet, por jo kininat. Se do i duhej dhe ora me zile pastaj t’i kujtonte vaktin. Ndaj dëshira e tij u anashkalua. Pas vdekjes vendosën të pasmit. Kjo u dha shpresë pleqve që vazhdonin të gjurmonin për ilaçe të mbetura. Dhe nuk ishte aspak lajthitje, derisa kjo punë mori trajtat e bujës, shkoi larg, jashtë kufijve, aty nga ku u dërgoheshin kapsulat shumëngjyrëshe.

Bijtë e larguar të qytezës, pasi u njohën me ngutjen e pleqve të mbetur, vendosën t’u përgjigjen po me një letër të shkruar shkurt, që mbërriti në atdhe dorë pas dore. Letra ish lagur, njollosur e grirë nga udha e largët, gjë që i lodhi disa ditë pleqtë, derisa më në fund e deshifruan. “O ple…q të pe…rë…ndisë je…ta zgj…et prej por…ave…, atë…he…rë kur jet…a të do!. Shpë…to…ni lëku…rën tu…aj… !” shkruante në për të letra. Pleqtë e lodhur për kësaj ane pëshpëritnin të gëzuar me njëri tjetrin, “E zgjidhëm kriptogramin, ndryshe qyteza do të vuante dhe një makth më tepër…!”

m dhrami 2009

A e kuptova mire une kte me apo si pergjumesh …kush p… gezon shendet te plote ?

tregim i bukur :laughing: humoristik