Kurzfilmfestival Hamburg-2017 zu ende

Një shanc i ri për Viagrën duket se po nis edhe për festivalet e filmit të shkurtër në Gjermani, (disa këta dhe të zhanreve të ndryshëm), -po ti bashkohemi e ta zhvillojmë më tej një idè filmi të shkurtër, që u shfaq dhe po vazhdon të shfaqet në festivalin e filmit të shkurtër në Hamburg, një film prej tre minutash ky, ku ezaurohet fakti i rënies së shikuesve nga viti në vit tek këto festivale dhe, për këtë punë, sugjerohet më shumë dashuri, më shumë seks, më shumë fëmijë nga shikuesit e deritanishëm të filmit të shkurtër. Një idè shakatore kjo e filmit Hilf mit-sei dabei, por … shakaja gjysma e të vërtetës, thotë fjala e urtë. Dhe s’kishte si të ndodhte ndryshe edhe në një nga festivalet gati më të mëdha të këtij lloj filmi, atij të Hamburgut, i cili mbyll nesër (12.06.2017) siparin e tij të radhës.
Mbi përmbajtjen dhe cilësinë e filmave do të thoja se ndryshimi me vitin e kaluar është i vogël, (në rreth 25 vjet që e ndjek këtë festival, dalloj se ndryshimet nga viti në vit janë të vogla, ato dallohen më tepër nga dekada në dekadë). Këtë vit dalloi pak më shumë tema e ambientit, pra ndotja e brigjeve detare, e ajrit, tokës, e lumenjve, etj… Si për t’mos iu larguar kësaj teme, edhe shumë filma të tjerë të përzgjedhur për këtë festival dallonin për pamje të bukura natyre, disa biles edhe të përpunuar në kompjuter, si për tu kujtuar shikuesve kopshtin e Edenit, apo planetë të tjerë të pashkelur akoma nga këmba e njeriut. Filmat artistikë kishin gjithashtu rënie në numër.
Nga tre filmat e ardhur nga Shqipëria dhe ato tre të ardhur nga Kosova nuk ishte përzgjedhur asnjë prej tyre për tu shfaqur në festival! Megjithatë, edhe këto filma mund të shihen nga të akredituarit, (film-bërësit, film-organizuesit, si dhe të ftuarit dhe ndihmësit), në një sallë me monitorë dhe kompjutër. Unë i pashë të gjashtë filmat dhe, për disa prej tyre, më erdhi keq që nuk ishin përzgjedhur, pasi, si përmbajtja ideore, ashtu dhe ana regjizoriale, ishin mjaft të arrira, biles të pakrahasueshme me shumë e shumë filma të tjerë të shfaqur në festival. Duket se fenomeni i përzgjedhjes, e jo vetëm për filmat shqiptarë, por edhe të shumë vendeve të tjera, përveç cilësive filmike, ka brenda edhe disa klishe gjeo-sociale. Kështu p.sh., vjet ishte zgjedhur një film dokumentar nga Kosova, mbi largimin e qytetarve me autobuzë drejt vendeve perëndimore, një film ky pa ndonjë cilësi të dallueshme regjizoriale, (përfshi dhe atë skenike aty). Duket se përzgjedhja kishte të bënte thjesht me anën sociale të problemit, për ti dhënë qytetarit perëndimor vetëm atë skenë/ide që ai pret gjithmonë nga këto vende të botës së tretë. Ndërsa një film i sivjetshëm kosovar 22 minutësh, (Home), film mjaft i realizuar nga ana skenike dhe regjizoriale, është lënë prapa skene! Pse? Duket, sepse tema që ai trajton nuk i përgjigjet asaj klisheje të para-vendosur për këtë provincë europiane!
Një shtëpi kosovare, me djem të martuar e me fëmijë, por edhe me një bijë të pamartuar, e që nuk i mbushet mëndja të martohet! Kjo sjell rezultatin e pakomodshëm për ‘të, atë të largimit nga shtëpia, pse të mos themi, atë të dëbimit me detyrim. Ligji juridik asaj i garanton një pjesë të trashëgimisë, por rregulli tradicional jo. Përpjekja e saj është si me mullinjtë e erës. Nuk ka ku të shkojë. E, as tek e dashura e saj, një grua tjetër me fëmijë të vogël, të cilës sapo i është kthyer burri nga emigracioni. Kuptueshëm! Në një vend konservator si Kosova, atë do ta quajnë lesbike, pse jo dhe më keq! Mbetet në fund në mes të shinave (të jetës), me mendimin (detyrimin) të largohet nga shtëpia-atdhe.
Ja, ky film që e përshkova shpejt dhe thatë i tejkalon klishetë e përzgjedhjes! Ndoshta mund të kish patur disa përqind më shumë shance, nëse skenaristi dhe regjizori do ta kishin përfunduar filmin me vrasje ose vetvrasje, apo nëse në aktin e vetvrasjes mbrrinte në momentin e fundit një i njohur perëndimor që e shpëton! Por dhe filmi 12 minutësh, “Përjetsisht fëmijë”, të linte mbresë me subjektin e tij. Një baba, të cilit nuk i del shpirti pa u takuar me djalin e tij të vdekur shumë vite më parë, prej të cilit don të kërkojë falje për (ndo)një keqtrajtim që i ka bërë, goditje me shpullë! Ndërsa filmi i tretë prej 25 minuësh (Takimi) është me humor dhe, nëse shikuesi nuk e di më parë se nga vjen filmi, ai mund ta marri atë edhe për film italian, rumun, polak, etj… Pra, të tre filmat kosovarë të këtij viti janë mjaft realistë, si dhe të realizuar bukur, por larg asaj klisheje që ndikon në përzgjedhjen e tyre në një festival perëndimor. Jam i mendimit që skenaristët dhe regjizorët kosovarë duhet të vazhdojnë në këtë rrugë, pa u merakosur për përzgjedhjen ose jo të filmave të tyre nëpër festivale të ndryshëm!
Nga të tre filmat e ardhur nga Shqipëria, i treti ishte një dokumentar (Qyteti i mureve) mbi jetën e disa grupeve grafiti në Tiranë, 22 minuta. Film tërheqës, i realizuar, dhe i po atij niveli të filmave të tjerë me këtë temë nga vende të tjera. Filmi i dytë (Pa tru është qielli) ishte artistik, 13 minuta, dhe me narrativë të fshehur –nëse më lejohet ta trajtoj kështu zhvillimin e tij. Disa banorë që protestojnë kundër zhurmës së një fushe tenisi. Një gazetar-banues aty, të cilit nuk i bën dhe aq përshtypje protesta. Shoqja e tij lart në banesë, të cilës i bie në vaskë një top tenisi, pasi ka thyer më parë xhamin e banjos. Në kërkimin e topit nga sportisti, ky i fundit njeh tek e zonja e shtëpisë këngtaren e njohur, XY. Admirim, pak bisedë e qetë, një pllakë disku me këngën e saj, që shoqëron ndjenjat e saj dhe mbylljen e filmit.
Filmi i parë, (sa do ti shkonte kjo fjalë, “i parë”, këtij filmi, Bon Apetit, 17 min.), ishte diçka jashtë përshkrimit me fjalë. Të tregosh këtë film, zëre se ke treguar një mit të lashtësisë, një nga ato më të hidhurit, më tragjikët! Ifgjenia në Aulidë, përshembull, do ti afrohej historisë moderne të këtij filmi. Nga ana ndjesore të paktën. Sepse subjektet/ historitë ndryshojnë.
Një njeri i vetëm, të cilit i serviret në një restorant tërësisht të veçantë, me vetëm një tavolinë e një karrike), një nga menytë më ekstravagante, (sepse fjala “të tmerrshme” nuk shkon në një meny restoranti), një zemër, e më pas një gjysëm koke njeriu, ku ai ha (mbllaçit gati me mllef) trurin! Ca më pas na del se ky është presidenti i vendit, kuptohet, në një vend demokratik, ndoshta perëndimor, … unë nuk kuptova gjë nga i gjithë ky abstraksion, (pasi për realitet, vështirë të bëhet fjalë)! Filmi është gjenial në vetvete, por çdokush që do ta shikojë do ta vlerësojë tërësisht ndryshe, … ose mjaft lart, ose mjaft poshtë! Filmi i tejkalon mitollogjitë greke në simbolikën e tij! Ndoshta ai do të mbetet i pakuptueshëm, ose ndoshta i padëshirueshëm për një pjesë të publikut. Por ai të mbetet gjatë në kujtesë, nëse e ke parë me sy! Më mirë që nuk është zgjedhur në festival, sepse ky film duhet trajtuar si film internacional dhe jo shqiptar, ndryshe sjell keqkuptime!
Mirupafshim deri në festivalin tjetër! E djelë, 11.06.2017