28 vite karrierë, mbi 700 ndeshje të luajtura, vetëm 1 kampionat i fituar me Romën, por sa shumë dashuri, lot e ndjenjë kishte për atë që cilësohet si Perandori i Romës, edhe pse një variant modern.
Francesco Totti i dha lamtumirën futbollit të luajtur me skuadrën e qytetit të tij, Romës, ku u lind dhe u rrit, deri në këtë moshë, ku tashmë e quan veten ‘burrë’. Mes lotëve e emocioneve, përpara 65 mijë tifozëve por edhe miliona sportdashësve nëpër botë, ndeshja e tij e fundit me Romën ishte një kujtim i cili do ngelet gjatë ne kujtesë, që edhe një tifoz 5-vjeçar mund ta përjetojë. I gjendur para zhvillimit të futbollit modern dhe miliona eurove që lëviznin kudo nëpër Europë, Totti nuk u tundua kurrë. Themelet e tij asnjëherë nuk u tundën, nga aty ku e kishte nisur gjithçka. Dashuria për qytetin, dhe për ngjyrat e ekipit të tij, triumfonin mbi çdo ofertë faraonike, që mund t’i kishte mundësuar para por edhe trofe me shumicë. Ju sjellim edhe letrën e tij tejet të ndjerë, në ndeshjen e fundit ku vishte fanellën e Romës së tij.
“Faleminderit, Romë.
Faleminderit nënës dhe babait, vëllait tim, të afërmve dhe miqve të mi.
Faleminderit gruas dhe tre fëmijëve të mi.
Doja ta nisja nga fundi, nga lamtumirat, sepse nuk e di nëse do jem në gjendje t’i lexoj këto rreshta.
Është e pamundur të përmbledhësh 28 vite në pak fjali.
Do doja ta kisha bërë me një këngë apo poezi, por nuk di të shkruaj.
Përgjatë këtyre viteve, jam përpjekur ta shpreh veten nëpërmjet këmbëve, gjë që ma ka bërë gjithçka më të lehtë që kur isha fëmijë.
Meqë ra fjala për fëmijërinë, e gjeni dot cila ishte lodra ime e preferuar? Sigurisht, topi i futbollit. Dhe ende është lodra e preferuar edhe sot.
Në një pikë të jetës, duhet të rritesh, këtë më kanë thënë dhe këtë ka vendosur koha.
Koha e mallkuar.
Në 17 Qershor 2001, të gjithë donim që koha të kalonte pak më shpejt.(Roma fitonte titullin kampion në Serie A atë ditë).
Nuk mund të prisnim arbitrin që t’i jepte fund ndeshjes.
Ende kam emocion kur e kujtoj atë moment.
Sot, koha më ka kapur nga shpatullat dhe më thotë:
Duhet të rritesh. Nga nesër, do jesh burrë. Hiqi ato tuta dhe këpucë sepse nga sot, je burrë. Nuk mund ta shijosh më aromën e barit, diellin në fytyrë teksa shkon drejt portës kundërshtare, adrenalinën që të konsumon, kënaqësinë e festimit.
Përgjatë muajve të fundit, e kam pyetur veten pse po zgjohem nga kjo ëndërr.
Përfytyroni sikur jeni fëmijë dhe po shikoni një ëndërr të bukur, dhe nëna ju zgjon të shkoni në shkollë. Ju doni të vazhdoni të ëndërroni, mundoheni të ktheheni përsëri tek ëndrra, por nuk mund ta bëni dot.
Këtë herë, nuk është ëndërr, por realitet. Dhe unë nuk mund të kthehem më tek kjo ëndërr.
Dua t’jua kushtoj këtë letër të gjithëve ju, të gjithë fëmijëve që më kanë mbështetur.
Fëmijëve të së djeshmes, që janë rritur e janë bërë prindër dhe fëmijëve të të sotmes, që ndoshta bërtasin ‘Tottigol’.
Do doja ta mendoja se për ju, karriera ime ka qenë si një përrallë.
Por tani ka marrë fund vërtetë.
Po e heq këtë fanellë për herën e fundit.
Do e palos, edhe pse ndoshta nuk jam gati të them ‘mjaft’ dhe ndoshta nuk do jem kurrë gati.
Më falni që nuk kam dhënë shumë intervista dhe nuk i kam qartësuar mendimet e mia, por nuk është e lehtë ta bësh këtë gjë.
Kam frikë. Nuk është e njëjta frikë që ndjen kur qëndron para portës, gati për të goditur një penallti. Këtë herë, nuk mund ta shoh të ardhmen pas vrimave të rrjetës.
Më lejoni të kem frikë.
Këtë herë, jam unë ai që kam nevojë për ju dhe për dashurinë që më keni treguar gjithmonë.
Me mbështetjen tuaj, do kem sukses në një faqe të re të aventurës sime të re.
Tani, është koha që të falenderoj të gjithë shokët e skuadrës, trajnerët, drejtuesit, presidentët dhe këdo që ka punuar krah meje kësaj kohe.
Është koha të falenderoj tifozët dhe Curva Sud, një dritë udhëzuese për të gjithë Romakët dhe Romanistët.
Të lindja Romak dhe Romanist është privilegj.
Të isha kapiteni i kësaj skuadre ishte një nder.
Ju jeni, dhe gjithmonë do jeni, jeta ime. Nuk do ju zbavis më me këmbët e mia, por zemra ime do jetë gjithmonë me ju.
Tani, do zbres shkallët dhe do futem tek dhomat e zhveshjes që më mirëpritën si fëmijë e tani që po largohem si burrë.
Jam krenar dhe i lumtur që ju kam dhënë 28 vite dashuri.
Ju dua të gjithëve!”