Letër e bardhë nga... populli

Shënime për romanin “Le të Ulërijmë” të Jose Saramagos

Agim Baçi

Një votim me letër të bardhë. Pastaj edhe një tjetër… Tetëdhjetë e tre për qind kanë votuar “pa fjalë” në një votim të përsëritur. Ata që kanë dorëzuar fletën e bardhë janë shtuar nga votimi i parë tek i dyti. Kaq mjafton që pushteti të mos ketë më qetësinë të përballet me qytetarët e tij. Jose Saramago përmes rrëfimit “Le të ulërijmë”, ka ngritur hipotezën e revoltës moderne, të një kundërshtimi pa fjalë – pikërisht në shekullin kur fjalshmëria ka marrë dhenë. Qytetarët vendosin të protestojnë, ndërkohë që politikanët nuk duan ta besojnë këtë refuzim. Diku armiku duhet të jetë Diku armiku ka mundur të gjejë këtë “armë” që tashmë kërkon përballjen, zgjidhjen. Politikanët nuk duan ta besojnë se ndaj tyre ka një mosbesim. Ata pranojnë që të votohet kundërshtari, duke besuar se do të kthehen sërish. Por mosvotimin – atë që i nxjerr pa asnjë emër, pa asnjë fytyrë, pa asnjë të nesërme- ata nuk duan ta besojnë. Dhe për këtë duhen gjendur urgjentisht armiku që ka mundur të bëjë kaq mendje bashkë. Historinë me gjetjen e “kundërshtarit të rafinuar” e kërkon media, e cila tashmë është në gjueti. Dhe autori, afërmend, duhet të jetë dikush që di, dikush që mendon, e për më tepër, dikush që ka zgjatur dorën për të ndihmuar të tjerët. Dhe piketohet pikërisht ajo, gruaja e mjekut – e vetmja që disa vite më parë pati fatin të shihte ndërkohë që i gjithë qyteti kishte vetëm të verbër. Ajo – pikërisht ajo ka që ka parë dhe ka ndihmuar të tjerët- është gjahu ideal, është historia që mund të mbartë një të shkuar që nuk duam ta kujtojmë. Dhe nis të vendoset rregulli i vjetër i pushtetit pa njeriun.

“Një rregull i pandryshueshëm i pushtetit thotë se ia vlen më mirë t’i presësh kokat para se ata të fillojnë të mendojnë, sepse më pas ka mundësi të jetë shumë vonë”. (Jose Saramago, “Le të Ulërijmë”, Dudaj 2012, Përkthim nga Nasi Lera, f. 115)

Kryetari i bashkisë refuzon të drejtojë një bashki të pavotuar, ndërkohë që një drejtuesi policie i duhet të kërkojë të vërtetën. Qeveritarët vihen në garë se kush do të gjejë zgjidhjen. Shtypi është në garë që të gjejë fajtorin. Ndërkohë, përballë, qëndron thuajse i vetëm, një shef policie. Ai ka qenë mes të verbërve të qytetit, ndërkohë që ka fiksuar mirë gruan që mundi të bënte diçka në atë qytet kur nuk shihte askush.

“Nëse kjo që tregon këtu është e vërtetë, në qoftë se ajo grua, le ta pranojmë se ekziston, nuk u bë e verbër dhe ndihmoi të tjerët në fatkeqësinë e tyre, nuk mund të përjashtohet që autori i letrës është gjallë vetëm falë asaj, kush e di edhe prindërit e mi do të ishin midis të gjallëve sikur të kishin patur fatin ta takonin atë grua, Letra thotë se ajo vrau dikë, Zoti President, askush nuk e di me saktësi se sa persona u vranë gjatë atyre ditëve, u përcaktua që të gjitha kufomat e gjetura ishin sin rezultat i aksidenteve apo i shkaqeve natyrore dhe ne u vumë një gur përsipër, Edhe gurët më të rëndë mund të lëvizen, Është e vërtetë, zoti President, por unë jam i mendimit që ta lëmë grurin atje ku është, e marr me mend se nuk ka asnjë dëshmitar okular për këtë krim dhe, nëse ka patur në atë kohë, ata ishin që të gjithë të vebër midis të vërbërve, do të ishte absudede, e pakuptimtë të nxirrnim këtë grua përpara gjykatës për një krim që askush nuk e pa ta kryente dhe për të cilin nuk ekziston trupi i krimit, Autori i letrës pohon se ajo ka vbrarë, Po, por ai nuk thotë se ka qenë dëshmitar i krimit…” ( f.189)

“Le të Ulërijmë” është një rrëfim ku ndërthuren anët e padukshme të pushtetit dhe historia dëshpëruese e betejës në shoqërinë e sotme.

“Komisari, si mbylli telefonin, pyeti me vete se mos ishte marrëzi që kishte pohuar se linja telefonike, si t’i përkiste atij, ishte e sigurt, se në mbarë vendin asgjë që të ishte më e sigurtë se ajo. Ngriti supet dhe murmuriti, Pak rëndësi ka, asgjë nuk është e sigurt, askush nuk është i sigurt… Ai nuk fjeti mirë, pa në ëndërr një re me fjalë që i vidhej dhe i zhdukej kur i ndiqte me një rrjetë për flutura duke iu lutur, Ndaloni, ju lutem, mos lëvizni, më prisni…Ai kapi një gazetë. Ishte një ëndërr e ligë, por do të ishte edhe më keq sikur albatrosi të shkonte të nxirrte sytë e gruas së mjekut”. (Po aty, f.280)

3 Likes

Rrofsh Jose dhe Gimo.

Te lumshin doçkat Gim Baçi. Pike.