Nga Dejan Anastasijeviç
E dashur hallë Europe!
Po të shkruaj në emër të kushërinjve të mi të varfër nga Ballkani Perëndimor: Serbia, Mali i Zi, Bosnje-Hercegovina, Maqedonia, Kosova, Shqipëria. E ke parasysh: ata të pashtruarit.
Ka kaluar ca kohë që nuk dëgjohemi. Duhet të flasim.
Katërmbëdhjetë vjet më parë, në Thesaloniki, neve na u premtuar solemnisht se një ditë, jo shumë larg në të ardhmen, do të na lejohej të zhvendoseshim në shtëpinë tënde të madhe në Bruksel dhe do të uleshim si të barabartë në tavolinën tënde.
Gjithçka që duhej të bënim, the ti, ishte të rregullonim sjelljen: të ishim të sjellshëm me ty, dhe me njëri-tjetrin dhe të mësonim etikën e sjelljes që të mos të turpëronim përpara mysafirëve.
Ndaj ne e provuam. E realizuam. Ndaluam së zëni, pastruam dhomat sa mundëm, ishim të sjellshëm me fqinjët. Ne madje dhamë dhe lodrat tona ndonjëherë, edhe pse nuk donim vërtet, por duhej për të provuar se mund të ishim të mirë.
Por shpërblimi nuk erdhi kurrë. Një dekadë pas Thesalonikit, vetëm Kroacia mori ftesën e lakmuar dhe me t’u larguar shkëputi të gjitha lidhjet me neve. Ajo tani vazhdon të pretendojë se ka prejardhje nga Mesdheu Jug-Qendror i Europës dhe fjala “Ballkan” nuk e zë kurrë në gojë.
Ndaj kur kuptuam se nuk doje vërtet që të vinim, ngadalë filluam t’ia varnim. Ti nuk dukej se e vije re.
Mos më kupto gabim, e di që kishe, dhe ende ke, problemet e tua, me krizën fiskale dhe atë të migrantëve, terrorizmit dhe largimin e Britanisë. Ne donim të të ofronim ndihmë, por ti na le krahëhapur.
Ndaj ne bëmë sikur reformuam dhe ti bëre sikur ftesa për ne ishte ende e vlefshme. Ka qenë kështu për shumë kohë.
Me kalimin e kohës, që të dy u lodhëm duke bërë sikur. Ti the se nuk do të kishte zgjerim të BE-së deri në 2020; pastaj fillove të flasësh për 2025.
E kuptuam mesazhin. Ti hoqe dorë prej nesh, ndaj ne hoqëm dorë prej teje – dhe vetes. Ne u kthyem në origjinë.
Pa na shiko tani: Serbia po kthehet sërish në ngacmuese; Kosova, vetëm nëntë vjeçe është lodhur nga lojërat dhe kërkon tanke dhe armë të vërteta; Bosnja po vetshkatërrohet. Mali i Zi mendon se është në majë të botës; Maqedonia po vret veten; Shqipëria thjesht rri ulur në një cep gjithë ditën turivarur.
Është rrëmujë.
Gjithashtu filluam të luajmë me ata fëmijët e këqij, si Vladi, Rexhepi dhe Abu Bakr dhe me shejtanin portokalli Donin. Ti na paralajmërove t’i qëndronim larg, por në mungesën tënde, na duheshin miq. Ndoshta ata nuk janë aq të këqij sa t’i thua.
Dhe kështu e fituam më në fund vëmendjen tënde. Dëgjuam se kishte një darkë të madhe familjare në Bruksel javën e shkuar dhe që ne ishim mes çështjeve kryesore. Sigurisht, neve nuk na thirre. Ne kurrë nuk na thërrisni.
Por e morëm mesazhin – “konkluzionet” siç i quan ti – nga takimi. Ti vërejte se ne ishim nervozë dhe të paqëndrueshëm. Ti the se ishe e shqetësuar. Dhe ia atribuove të gjitha asaj që i quan “influenca të jashtme”. Vërtet? Sikur të ishim në thelb fëmijë të mirë që thjesht rastisi të bien në shoqëri të keqe. Kjo është poshtëruese.
Epo, më lër të të tregoj: ne nuk jemi të mirë, jo më dhe mbase nuk kemi qenë kurrë. Ne e provuam për pak dhe nuk funksionoi. Gjithashtu, jemi mjaft të aftë të bëjmë kërdinë vetë, këtë duhet ta dish tashmë.
Ti gjithashtu the, në të njëjtin mesazh, se ishe e zotuar ende në premtimin e vjetër të Thesalonikit. Na vjen keq, por nuk mjafton tani.
Ne ende të duam dhe dëshirojmë të na pranosh. Por siç e ke treguar, vazhdimisht e vetmja mënyrë për të tërhequr vëmendjen tënde është të shkaktojmë sa më shumë telashe për veten. Dhe ne sapo kemi filluar.
Mos thuaj që nuk të paralajmëruam.
Yti sinqerisht,
Ballkani Perëndimor./BIRN