Lufta e Ftohtë si konflikt kozmik (Pjesa e dytë)

Dukuria “sekt” që lajmëron Ardhjen e Dytë e ka kokën në Evropë, aty ku i takon ta ketë. Ernst Bloch - mendimtari i fundit marksist që akoma kishte diçka në trastë - është përpjekur të tregojë rrënjët e revolucionit komunist tek kryengritjet fshatare mesjetare të udhëhequr nga Thomas Mynzer në Gjermani - të cilat kishin karakter eskatologjik dhe mesianik (ngjashëm me Pugaçovin në Rusi dhe deri diku me Haxhi Qamilin në Shqipëri) -, ndërsa origjinën e Revolucionit tek zbulesa e murgut kalabrez të shek. XII Gioacchino da Fiore, sipas të cilit, mbas epokës së Dhjatës së Vjetër (Ati) dhe Dhjatës së Re (Biri), pritet epoka e tretë dhe përfundimtare e Shpirtit të Shenjtë, ku të gjithë njerëzit do të jenë plot dashuri, dhe njohja e Zotit do të realizohet nëpërmjet soditjes së natyrshme, pa ndërmjetsinë e predikimeve dhe riteve fetare. Profecitë dhe interpretimi xhoakimist i Biblës ndikuan në shekuj jo vetëm reformatorë dhe milenaristë apokaliptikë brënda gjirit të Kishës dhe jashtë saj (sekte heretikë në Gjermani, Bohemi dhe Rusi), por edhe reformatorë laikë të shoqërisë si Lesing, Hajne, Fihte, Sheling, Schlegel, Hegel, Marks, Sen Simon, Comte, Di Maistre, Ibsen etj. Idealizmi gjerman dhe teoritë sociale franceze ndikojnë fuqishëm inteligjencien ruse, e cila beson patundur në shpëtimin e botës prej popullit ortodoks rus, dhe në fakt bolshevizmi nuk është gjë tjetër veçse mesianizmi ortodoks rus i degraduar në nivelin e mesianizmit marksist, besimit në arritjen e epokës së re nëpërmjet revolucionit proletar dhe realizimin e lumturisë mbi tokë pa ndërmjetsinë e Qiellit. Adhurimi i Leninit dhe Stalinit zëvendësoi adhurimin e mëparshëm për Jezuin, fotografia e Stalinit vendosej në qoshkun e shënjtë të izbës ruse ku dikur ndodhej ikona, ndërsa në shumë raste fytyra e Stalinit zëvendësoi atë të Jezuit deri edhe në altar të kishës. Pra ja edhe një tjetër dëshmi për komplementaritetin Amerikë-Rusi: nëse në shoqërinë moderne amerikane feja ndikon rëndë mbi zhvillimet e shoqërisë pa ndërhyrjen e institucioneve fetare (kisha dhe shteti ndahen prerë midis tyre), shteti ateist sovjetik u rropat të realizojë politikisht ambicjet fetare të kishës ortodokse.

Dikotomia Washington-Moskë, interpretuar nga pikpamja providenciale përfaqson dallimin komplementar midis poleve të dikotomisë kozmike Yang-Ying (kuptimi i hershëm i të cilit ishte dritë-hije, dhe vetëm më pas mori edhe kuptimet e tjera përkatësisht mashkull-femër, gjallshëm-amullt, aktiv-pasiv, qiell-tokë, pozitiv-negativ, subjekt-objekt etj), dhe mesianizmi historik amerikan dhe rus lidhen ngushtë me besimin e traditës së vjetër hebraike (teste esenë dhe zadokitë) ku pritet ardhja e dy mesive të lindur nga dy linja trashëgimie dinastike, me shumë ndërlidhje mes tyre. Të dy mesitë dëftohen si mesia e Davidit, një figurë mbretërore dhe shekullare i një mbretërie të re të krijuar ushtarakisht prej tij, dhe mesia e Aaron - pasardhës i kryepriftit të Testamentit të Vjetër - një figurë priftërore që interpreton Ligjin duke udhëhequr shpirtërisht të gjithë popullatën e mbretërisë së re. Një parim i tillë dualiteti midis autoritetit shpirtëror dhe atij shekullor ndeshet më vonë në Perandorinë e Shenjtë Romake, ku perandori ushtronte autoritetin shekullor duke u shpallur pasardhës i Davidit, ndërsa papa ushtronte autoritetin shpirtëror si interpretues i ligjit të Zotit. Por ndryshe nga Evropa ku autoriteti politik dhe ai fetar synojnë të qëndrojnë veçan dhe të ndarë midis tyre, në Izraelin e lashtë politika dhe feja ndërthureshin pandashëm midis tyre, madje shfaqeshin si manifestime të ndryshme të së njëjtës gjë. Si pasojë mesia kryepriftërore dhe mesia mbretërore duhet të ishin lidhur ngushtë midis tyre, ashtu si në realitet ndodhte në epokën e Makabejve ku të dy ishin pjestarë të së njëjtës familje, dhe si ndodhi më pas në familjen e Jezuit. Fatkeqsisht nuk është këtu vëndi për të trajtuar “misterin” e qenies në ungjillin e Llukës të dy linjave gjeanologjike dhe gjinekologjike të Jezuit (vënë re me tallje për herë të parë prej Volterit), dhe mistere të tjerë të llojit Dan Braun, një autor tepër i sukseshëm që dëshmon saktë - edhe pse nëpërmjet marrëzish fantafetare dhe fantapolitike - se shpëtimi vjen njëkohësisht prej esencës “mashkull” dhe esencës “femër”, prej fesë dhe politikës, prej Yang dhe Yin, subjektit dhe objektit, qiellit dhe tokës, koshiencës dhe subkoshiencës, racionales dhe instiktives (ndjenjës), dritës dhe hijes, “ujit” dhe “tokës”, balenës dhe ariut, peshkut dhe mishit, lëngut dhe mishit (merre me lëng se mishi është mbaru!) etj.

Komplementariteti providencial i Amerikës dhe Rusisë del në pah që në zanafillën e tyre si konstruksione artificiale të kondensuara rreth idesë fetare në mënyrë të kundërt ose komplementare (potencialisht): nëse Amerika është rezultat i një shkrirjeje të një turme kaotike të përndjekur fetarisht (sektet e reja fetare), Rusia ngjizet si komb prej vullnetit të një njeriu të vetëm, princit shën Vladimir, i cili mbasi mendoi gjatë mundësinë e konvertimit në hebraizëm, në fund vendosi për fenë e Bizantit, dhe detyroi nënshtetasit e tij të konvertoheshin zyrtarisht në ortodoksë nëpërmjet pagëzimit masiv të gjithë popullit të Kievit me një zhytje festive simbolike në ujrat e lumit Dniepër. Katerina e Madhe shkruante në vitin 1774:

Cari i Rusisë është sovran, nuk ekziston veçse një fuqi e vetme - ndodhur në personin e tij - që mund të veprojë siç duhet në një perandori me shtrirje kaq të gjërë.

Ndërsa dy vjet më vonë në shpalljen e pavarsisë së SHBA shkruhet një koncept diametralisht i kundërt:

Të gjithë njerzit janë krijuar të barabartë, Krijuesi i tyre i ka pajisur me të drejta të patjetërsueshme, midis syresh jeta, liria, kërkesa për lumturi, dhe qeveritë, që duhet të garantojnë të drejta të tilla, prejardhin autoritetin e tyre nga pëlqimi i të qeverisurve.

Mjaft tregues është dhe fakti që sapo Aleksandri II shfuqizoi skllavërinë e muzhikëve me dekret, në Amerikë filloi lufta civile, dhe dy vjet më vonë Linkolni firmosi ligjin që i dha lirinë skllevërve zezakë. Në këtë klimë çlirimtare universale Sekretari i Shtetit Seward shkruante:

Kur shërbëtorët dhe skllevërit do të jenë çliruar përfundimisht, nuk do të ketë më kufij për mundësitë e popullit rus dhe amerikan. Objektivi më i pakët që mund të arrijnë do të ishte mbajtja e paqes në botë dhe pengimi i despotëve ambiciozë të hedhin popujt në lufta të panevojshme.

Arketipi det-tokë, shfaqur në Fund të Historisë si konflikt Washington-Moskë (tezë e Carl Schmitt në librin Toka dhe deti ) dëshmohet edhe prej letërsisë në dy novelave profetike: Plaku dhe deti i Hemingueit dhe Fati i njeriut i Shollohovit, të cilat kanë kanë pasur një sukses të bujshëm në të gjithë botën. Me këtë novelë të tij Heminguei fitoi çmimin Pulitzer dhe Nobel, ndërsa jo rastësisht Shollohovi, edhe ky nobelist, me Fati i njeriut dha lajmin e mirë të shkrirjes së acarit Lindje-Perëndim (novela në fjalë ka tepër sukses në versionin filmik me regjizor Sergei Bondarçuk, alias regjizor i filmit të famshëm Lufta dhe paqja).
Të dy novelat përshkruajnë gjëndjen ekzistenciale të individit si humbës i madh, e megjithkëtë njësoj hero:

-1) Plaku dhe deti: ngjarja zhvillohet mbi elementin “ujë”, ku peshkatarit fitimtar peshkaqenët i rrëmbejnë gjahun (peshkun e madh, simbol i fitimit kapitalist).

-2) Fati i njeriut: ngjarja zhvillohet në elementin “tokë” (toka mëmë ruse), ku luftëtari fitimtar mbi armikun nazist në stepat ruse mbetet qyq i vetëm, pa njeri, shtëpi dhe katandi.

Të dyja novelat kanë në qendër një marrdhënie atë-bir adoptivë.

Para viteve 90-të politologët dhe sociologët, nuk lodheshin së gjeturi analogji, komplementaritete dhe kundërti simetrike në virtut-veset e ariut dhe balenës; raftet e biblotekave janë dëng me libra të pluhurosura e të pa konsultuara që përshkruajnë përleshjen midis “ujit” dhe “tokës” si një kërleshje midis konceptesh bipolarë esencialë: liberalizmit dhe planifikimit, individualizmit dhe burokracisë, lirisë dhe determinizmit, shoqërisë me kohezion infinit dhe shoqërisë me kohezion zero etj, dhe meqë është e pamundur t’i jepet dum ndeshjes midis tyre - po aq sa mund t’i jepet dum kacafytjes midis burrit dhe gruas nëpër kuzhina - rrugëdalja gjëndej duke i quajtur polet e njëjta gjë e vetme që shfaqet skicofrenikisht me dyfytyra sipas shprehjes popullore “si mësalla me dy faqe” ose, sipas terminologjisë të fizikës kuantike, si dyfytyrshmëria e dritës që shfaqet herë si valë e herë si thërmijë. Nën kërcënimin e Luftës së Ftohtë shumë “studjues të paanshëm” - më të shumtën e rasteve evropianistë - rropateshin të tregonin se liberalizmi dhe planifikizmi, individualizmi dhe burokratizmi, personalizmi dhe komunitarizmi, zgjedhjet arbitrare të individit dhe zgjedhjet standard të komunitetit etj, janë dy forma shoqërore alternative që lëkunden midis lirisë, të konceptuar si mangësi e rregullimit të sjelljes individuale, dhe determinizmit, të konceptuar si kontroll kolektivist që rrek të frenojë anarkinë e interesit privat (me fjalë të tjera sorollatjet e zakonshme metafizike rreth problemit libero arbitrio , i lashtë sa bota, kurrë i zgjidhur dhe kurrë i zgjidhshëm nëpërmjet përsijatjes filozofike). Pra “të paanëshmit” që i qanin hallin Evropës - dikur “zonjë e randë e sot me kryet në hi” prej konfliktit bipolar Washington-Moskë - i frikeshin njësoj SHBA-së dhe BS-së:

Kjo Evropë, pushtuar prej një verbërie të pashërueshme, gjithnjë e gatshme t’i ngulë thikën vetes, sot gjëndet shtërnguar në darë prej Rusisë nga njëra anë dhe prej Amerikës nga tjetra. Rusia dhe Amerika përfaqsojnë të dyja, nga një pikpamje metafizike, të njëjtën gjë: e njëjta frenezi shkretane e teknikës së shfrenuar dhe organizimit pa rrënjë të njeriut të masivizuar - Heidegger, Hyrje në metafizikë.

Nju Jorku dhe Moska nuk paraqesin asgjë të re në krahasim me qytetërimin evropian. Si njëra ashtu dhe tjetra janë dy pjesëza të komandës evropiane, që, të ndara prej pjesës tjetër të mbetur, kanë humbur kuptimin - Ortega y Gasset, Rebelimi i masave.

Nga sa më sipër - thënë me ironi, por jo vetëm - i bie që lufta heroike e popullit shqiptar me në krye Enver Hoxhën zhvilluar njëkohësisht në dy fronte: kundër imperializmit amerikan dhe social-imperializmit sovjetik, të përbëjë dëshmi për identitetin evropian të shqiptarëve, dhe njëkohësisht për qënien e Enverit intelektual evropian “i pa-anshëm”.

Në fakt sakatosja e Evropës bëhet prej vedit sepse Amerika dhe Rusia janë dy krahët e saj të shpalosura njëra drejt hapsirave ujore atllantike dhe tjetra drejt stepave aziatike, dmth konflikti midis tyre - ose sipas rastit bashkëpunimin si komplementarë - në thelb është konflikti primordial midis “ujit” dhe “tokës”, i cili në fund të historisë zhvillohet frikshëm si përleshje mitike midis balenës dhe ariut. Dy superfuqitë e kërleshura përgjatë Luftës së Ftohtë SHBA dhe BS ishin produkte të përbindëshme të ngërçit të Evropës gjithnjë në kryq prej dikotimive fetar-laik, traditë-progres, Kultur - Zivilisation , totalitarizëm-demokraci, romanticizëm-iluminizëm, etj, të cilat kanë sakatosur Evropën vetë dhe vënde e popuj nga anë e mbanë botës që kanë importuar mallrat kulturore të saj:

Sundimi politik që Evropa ka ushtruar mbi botën ka pasur të njëjtin karakter konfliktualiteti të brëndëshëm që sot karakterizon sundimin e planetit nga ana e Duumviratit SHBA-BS - Emanuel Severino, Peshorja.

Gjëmat e luftës civile amerikane midis veriut progresit dhe industrialist (elementit “ujë”) dhe jugut reaksionar agrar që përfaqsonte interesat e pronarëve të mëdhej të tokës (elementit “tokë”), vazhdojnë edhe sot të kryhen kulturorisht sipas aksit veri-jug midis fetarë dhe laikë, pasqyruar drejtpërdrejt në masakrën politike djathtë-majtë ose në konfliktin midis intervencionistë mesianistë dhe o-mete-për-vete-istë amerikanistë. Nëse njëra faqe e mësallës planetare shfaqet si bipolarizëm politik amerikan (me president të zgjedhur drejtpërdrejt nga populli), ku presidenti i majtë progresist i lë fronin konservatorit të djathtë (dhe anasjelltas) - nën pellushin e demokracisë mënxyrat e Uotërgejtit pasojnë ato të Seksigejtit (dhe anasjelltas) - njësoj si dita i lë vëndin natës (dhe anasjelltas), faqen tjetër të mësallës e shpalos sheshit historia ruse, ku cari iluminist i lë fronin carit obskurantist (dhe anasjelltas), dhe madje avazi i vjetër carist dritë-errësirë vazhdoi njësoj si ritëm xhaz sovjetik, ku rëndom reformatori i lë kolltukun burokratit (dhe anasjelltas): Kerenski-Lenin, Lenin-Stalin, Stalin-Krushov, Brezhniev-Gorbaçov, e më pas si ritëm metalik-muzik postsovjetik Gorbaçov-Jelcin e Jelcin-Putin. Vetë historia ruse, ose më saktë histeria ruse, dëshmon shkëlqyeshëm ndeshjen e “tokës” me “ujin” nëpërmjet përleshjes së reaksionit agrar me progresin industrial, klerikalizmit me laicizmin, sllavofilizmit me filoksidentalizmin (deri diku ngjashëm me përleshjen amerikane midis fundamentalizmit të krishterë dhe krishtersocializmit), të përfaqsuara nga dy qëndra kulturore: përkatësisht qyteti kontinental i Moskës dhe porti detar i Petrogradit, ky i fundit ndërtuar nga hiçi mbi kënetën e deltës së lumit Neva prej carit progresist Pjetër i Madh - ndërmarrje e krahasueshme me piramidat faranoike për nga përmasat dhe viktimat - për t’i pasur duart e lira prej klerit reaksionar moskovit të ngujuar në thellësi të stepave aziatike; për carin në fjalë qyteti i ri duhej të ishte: “një dritare drejt Evropës”. Pra çfarë ndodh jasht, ndodh edhe brënda vëndit (konflikt Washington-Moskë dhe Pjetërburg-Moskë), kështu vargut të dikotomive të larpërmëndura, të përfaqsuara nga ujë-tokë, u shtohet edhe brëndshme-jashtme, dhe kështu eskrementi bëhet mullar.

Konflikti midis Amerikës dhe Rusisë nuk është dosido dhe i rastit në histori, dhe nuk zhvillohet vetëm për shkaqe ideologjike, politike, ekonomike dhe të tjera zarzavate marksiste, por është pasqyrim i konfliktit kozmik që pasqyrohet kudo, deri edhe në zarzavatet materialiste marksiste, të cilat çuditërisht shihen të rrotullohen të mbllaçitura edhe në gojët mesianike të ekspertëve globalistë të ekonomisë së tregut dhe Bankës Botërore. Në thelb nuk ka asnjë dallim midis vizionit marksist që redukton botën në dikotominë punë-kapital (ekuivalente me punëtor-padron, progres-regres, iluminist-obskurantist, engjëll-djall etj) dhe vizionit të lashtë iranian (zoroastrian) për botën si kundërvënies mitike midis dritës dhe errësirës (simbol i kundërvënies morale midis të mirës dhe të keqes) dhe triumfit përfundimtar të dritës (të mirës) në Ditët e Fundit, të pasuara nga një lumturi e amshuar. Problemi është se në errësirën e lindjes nuk po bëhet dritë perëndimore sipas premtimit të vitit 89-të, dhe, në harbimin revolucionar drejt tregut të lirë, fjalës së lirë dhe seksit të lirë, pak kush i bie në të se konflikti është komplementaritet i papërmbushur, ndërsa kundërtia është komplementaritet i degraduar. Më pak se kushdo tjetër shqiptarët, edhe pse kanë në përdorim fjalën e urtë: “Kur ndeshen demat, zgërlaqen zhabat”, e megjithse më tepër se kushdo tjetër janë zgërlaqur dhe vetëzgërlaqur historikisht prej bipolarizmit kozmik të shpërfytyruar “alla shqiptarçe” në mizëri variantesh, derisa kane mbërritur në “sherrin total” (profecia më e madhe e Carl Schmitt).

Qenien tonë midis Perëndimit dhe Lindjes nuk e përcakton aq dëshira e elitave apo vullneti i patundur i “masës”, por fakti që kufiri midis këtyre dy pllakave tektonike të historisë globale kalon pikërisht përmes trojeve të shqiptarëve, në mënyrë që vetë ne, shqiptarët e sotëm, jemi produkt i kësaj rastësie gjeografike. Përplasjet e mëdha të Romës me botën helene, Ortodoksisë me Katolicizmin, Bizantit me Papatin, Krishterimit me Islamin, e kështu me radhë deri në Luftën e Ftohtë midis Lindjes totalitare-socialiste dhe Perëndimit liberal-kapitalist janë në themel të identitetit tonë kombëtar, madje edhe kur shpërfillen ose qëllimisht injorohen. Përthyer në histori, gjeografia i ka përftuar shqiptarët e sotëm si një komb nyjtuar mbi një varg dallesash themelore - ku ekzistenca e shumëpërfolur e tri feve ose përçarja themelore midis Krishtërimit dhe Islamit s’është veçse maja e një ajsbergu diferencash të tjera midis Veriut dhe Jugut, Shqipërisë dhe Kosovës, qendrës dhe periferive, fshatit dhe qytetit, malit dhe fushës, bregdetit dhe hinterlandit - Ardian Vehbiu, Pylli apo drurët? (gazeta Shekulli, 12.07.2006).

FUND


pjesën e parë të shkrimit e gjeni këtu

2 Likes

Te gjitha termat, kriteret, faktoret dhe faktet e perdorura mahnitshem ketu per justifikimin e Luftes së Ftohte si konflikt kozmik mund te gjejne zbatim ne shpjegimin e çdo lloj perplasjeje dhe lufte qe ka ndodhur dhe ndodh ne univers.

Te falenderoj shume se me ke bere maksimumin e komplimentit. Te falenderoj akoma shume me teper se me ke dhene nje shprese aty ku nuk ka shprese, se njerzit mund te kuptojne.
Ne fakt ky eshte qellimi i ketij shkrimi, te tregoje se çdo konflikt qofte, nga kozmiku e deri konflikti me çfardo, eshte i njejte, mandje eshte po i njejti konflikt.

“Larg ambicjeve, larg xhelozise”, pra larg te ndjerit superior apo inferior, thote prijesi spiritual kur te bekon – pra, larg luftes se ftohte te perditshme me njeri-tjetrin, larg luftes se nxehte brenda vetes.

Tiku, po shkruaj prape meqe te premtova se do te te kthej pergjigje ne fund te artikullit, megjithese e di qe do me mbulosh me sharje. :stuck_out_tongue: Me thene te drejten si hapje m’u duk interesante, por tani ne fund po e shof se jo vetem me ngjan se ke dash te kapesh veshin e majte me doren e djathte, po as veshin nuk e ke arrit dhe po kruan kot qafen. Une e kuptoj se kjo eshte nje teme shume e gjere, dhe Lufta e Ftohte ka pas 20 vjet parazhillime, 45 vjet zhvillime dhe 20 postzhvillime ndaj eshte e vertete qe nje artikull nuk e permbledh dot, po te pakten nje aspekt te vetem mund ta trajtosh sic mendova qe do beje ti, pa sukses mesa duket.
Sidoqofte nese je i interesuar per kete teme (sic edhe une jam shume i interesuar) do te te keshilloja fuqimisht te lexoje nje liber te titulluar “Postwar: A history of Europe since 1945” i Tony Judt. Tani, libri ne ndryshim nga artikulli eshte pak i gjate:940 fq, format i madh, po rreshqet si gjalpe alla-Marlon Brand dhe eshte padyshim nje nga zberthimet me interesante dhe te guximshme te Europes se pasluftes. Dhe mos me prit te te komentoj me ketu, se pashe ca diskutime ketu nga ato “diskutimet e lira” qe me erdhi turp nga vetja kur i lexova, keshtuqe gjithe te mirat or mik. Dhe mos e lesho istikamin. :slight_smile: Peshku do behet prape nje dite.

Tani nuk eshte se prisja ndonje gje nga ty per kete teme, ti e ke nda mendjen top qe Lufta e Ftohte eshte bere qe Ai te hyje ne bordello e te mos e zeje skollomento.

Ose me sakte: Ai hyn ne bordello dhe nuk e ze skollo se ka fitu imunitet, ndersa Stalker qe nuk hyn, e zë.

Ta kam thene me duket se situata e Peshkut nuk eshte specifike e nje kontesti te caktuar. Kjo qe nga ndodh me Peshkun ka ndodh ne gjithe blogsfere shqiptare, dhe nderkombetare. Respublika e Nanos ka 0 ose 1 komente, Peizazhe eshte ne krize njesoj si Peshku, shyqyr qe u gjetet ti dhe Stalker tu diskutu per skollon e Atij.

Kriza e Peshkut eshte krize e blogsferes, e cila eshte nje prej shenjave te krizes se epokes se skollos ngambrapa. S’ke me çfar diskuton, veç rrif ujet ne havan. Ti me propozon te lexoj nje liber me 900 faqe, un nuk lexoj dot me teper se nje artikull, sepse asnjeri nuk me tregon asgje te re, prandaj me duket vetja me i zgjuti ne bote. Dhe ne fakt jam i tille meqe jam ne mes te zgjutesh qe i ka zene skollo, ose ne mes te zgjutesh qe nuk i ze se kan fitu imunitet.

Peshku do behet ate dite kur do te zhduket nga skollo nga bota, por atehere un nuk do te shkruaj dhe komentoj me se nuk do te kete perse, as nuk do te kete nevoje per mu.

Ka disa Katrore qe kane forme drejtkendeshe. Ne thelb eshte po e njejta gje, pavarsisht nga muhabeti ndryshe, dmth nga raporti i drejtezave te brinjeve ndryshe.

Dhjet burri qe nga mbrapa ferres, dhe sapo çohet, pa lidh akoma ushkurin, ankohet: “Yf çer ere qe vje! Kush e boni?”

Po ti e ke bo or burr, se je i vetmi me brek n’dor!