Në librin e tij Toka dhe deti Carl Schmitt konsideron motor kryesor të zhvillimit historik dikotominë simbolike tokë-det si arketip dhe-ujë të subkonshit kolektiv, ndeshur rëndom në rrëfenja popullore si motivi i betejës së balenës kundër ariut, ose konflikti mitik midis përbindëshit detar Leviatan dhe përbindëshit tokësor Behemot. Sipas Schmitt simboli i ekzistencës tokësore është shtëpia, ndërsa i ekzistencës detare është anija, dhe nëse shtëpia simbolizon statizmin, anija simbolizon dinamizmin.
Në këtë libër konflikti historik midis fuqive detare dhe fuqive tokësore përshkruhet si konflikt ndërmjet dy mendësish të kundërta zhvilluar kudo në kulturë, kryesisht në ligjshmëri, politikë dhe administrim të pronësisë duke treguar që kushtetuta, ligjshmëria, dhe ekonomia janë të kushtëzuara nga natyra e kombeve që mund të jenë detare ose tokësore, dhe se ekziston një konstante historike në ndeshjen midis dy organizimeve alternative të shoqërisë: njëra tokësore, burokratike-centraliste, bazuar kryesisht në përparësinë e politikës dhe tjetra ishullore-oqeanike, liberale, bazuar në përparësinë e ekonomisë dhe zhvillimit teknik.
Për ekzistencën e këtij arketipi dëshmon konflikti i vazhdushëm historik midis vëndeve kontinentale me mendësi tiranike konsevatore të mbyllur shpirtërisht, dhe vëndeve me dalje në hapsira oqeanike me mendësi demokratike të hapur shpirtërisht: në lashtësi konflikti Athinë-Spartë dhe Kartagjenë-Romë, në Mesjetën e vonë Republika e Venecias si “sundimtarja e detrave” kundër froneve të botës mbarë, më pas Anglia si “mbretëresha e detrave” kundër fuqive kontinentale Spanja, Franca dhe Gjermania. Spanja katolike megjithse pushtoi një kontinent të tërë përtej oqeanit nuk u bë një komb detar sepse mbeti e lidhur me tokën dhe ekzistencën tradicionale tokësore. Franca hoqi dorë prej mëdyshjes midis detit dhe tokës Natën e shën Bartolomeut, duke masakruar ugonotët (protestantët) për hir të katolikëve, vendosi për tokën kundër detit; pra dikotomia det-tokë ose dinamik-statik rezulton ekuivalent me dikotiminë protestant-katolik (më saktë kalvinist-jezuit) dhe veri-jug (i Evropës).
Vazhdimsi e konfliktit tokë-det janë tre luftat botërore të shek. XX, ku kombet evropianë u rreshtuan në dy palë ndërluftuese sipas motivesh që u bënë gjithnjë e më të qarta me kalimin e kohës. Që prej daljes së Rusisë nga Lufta e Parë - jo rastësisht zëvëndsuar prej Amerikës - u bë më se e dukshme që konflikti në përgjithsi kryhej midis kombeve kontinentalë me mendësi të mbyllur konservatore dhe vënde me kufij në hapsira oqeanike dhe me mendësi të lirë demokratike. Arketipi ujë-tokë zbulohet edhe në emërtimet e organizmave moderne, në fakt Lufta e Ftohtë, në të cilin konflikti shfaqet sipas dikotomive protestant-ortodoks dhe oksident-orient, zhvillohet midis Paktit të Atllantikut dhe Paktit të Varshavës, midis Washingtonit dhe Moskës, ose sipas vizionit të Schmitt midis paktit të “detit” dhe paktit të “tokës”.
-------------------------------------------------------------------------------------------------------
E qartë që vizioni i Schmitt është arkaik, toka dhe deti janë dy prej katër elementëve primordiale të krijimit të botës sipas mendësisë presokratike: dheu, uji, ajri, zjarri. Ky vizion helen i para Sokratit (sigurisht i trashëguar nga mugëtirë e lashtësisë), korespondon saktë me vizionin shkencor të fizikës moderne, alias katër gjëndjet e ekzistencës së lëndës: e ngurtë, e lëngët, e gaztë, e flakët (gjëndja e plazmës, energjia). Me fjalë të tjera që gjëndjet e ekzistencës së lëndës korespondojnë pikë për pikë me gjëndjet e ekzistencës së shpirtit. Pra në plan të fundit nuk ka dallim midis trupit dhe shpirtit; esenca është e njëjtë sepse origjina është e njëjtë.
Fund i pjesës së parë