Mihajasi, fshati i harruar pas malesh

Nga Olsjan Topalli

Të ngjitësh kodrat e Krrabës është heroizëm i vërtetë, e pas çdo kthese që kalojmë është një betejë e fituar kur shikon që ndër këmbë shtrihet me barkun plot, humnera e zezë, porsi dragua. “Kam një jetë të tërë kësaj rruge mor bir, e s’më bën më përshtypje. Makina ime e ka mësuar vetë rrugën”- thotë plot kërshëri shoferi ynë që nga mosha duhet të jetë diku tek të 50-tat, dhe ndërkohë i mëshon fort pedalit të gazit për të ngjitur tatëpjetën. Po ngjitim kodrinat e Krrabës. Rruga gjarpëron ashtu trishtueshëm dhe e heshtur mes kodrinave të shumta që shoqërojnë këto anë.

Edhe pse realisht jemi në stinën e vjeshtës ajo bën lojëra të tepruara me diellin. Herë e afron e herë e përzë. Disa re të zeza shkundën mbi ne gjithë inatin që kishin përbrenda. Shiu që sapo ra i la gjurmët e tij mbi automjetin tonë të mbuluar nga pluhuri, ku herë-herë shoferi ynë ndalon të fshijë xhamin e përparmë pasi fshirësja e tij e lodhur e ka të pamundur të pastrojë lyrën. Makina jonë ka rreth 20 km që ka braktisur Tiranën, vazhdon në heshtje të çajë rrugën përpara drejt destinacionit tonë të fshehur diku thellë mes kodrinave plot vuajtje mbushur…
Ngado që rrotullojmë kokën e gjejmë veten të rrethuar nga malet që dhe vështrimin nuk e heqin për asnjë çast nga ne, sikur duan të na urdhërojnë mirë se ardhjen këtyre anëve. Për një çast mendova si duhet të jetë jeta të zgjohesh mes asaj inegzistence që ka mbuluar çdo cep të kësaj krahine…
Pas plot 40 minuta udhëtim dhe pasi kemi përshkruar 29 km nga rruga e vjetër nacionale Tiranë-Elbasan, kthejmë djathtas për nga fshati Mihajas. Në qoshe të rrugës nuk ka ndonjë tabelë orientuese që të konfirmojë këtë fshat, por emrin ia mësuam nga shoferi ynë. Me ndarjen e re administrative, ky fshat i kaloi nën vartësi bashkisë së Tiranës.

FSHATI

Mes atyre kthesave të shumta, për ne fillon edhe makthi…
Rrugë e copëtuar me zhavorr në gjendje të mjerueshme, plot gropa të njëpasnjëshme ku fatkeqësisht përkundemi sa andej-këtej e na lë një shijë të keqe qysh në fillim. Ajo zgjatet e përbaltur ku automjetet kanë vizatuar gjurmët e rrotave të tyre.
Në Shqipëri ka zona të tëra, ku jetohet në vështirësi më shumë se ekstreme, ose më mirë, në fshatra si Mihajasi duket sikur po testohet sesi jetojnë njerëzit mes vuajtjeve pa fund. Të shkelësh këtë vend kupton se çdo të thotë të jetosh pa ujë, pa arsim e pa shëndetësi, pa gjithçka të nevojshme për një jetesë normale të një komuniteti.

Rrugës që të shpie për në fshat takojmë Albanin vogëlushin 12 vjeçar i cili është në klasën e 7-të, ku në kurriz mban një çantë të mbushur plot me libra e i vetëm po ikën për në shkollë. Ndalojmë dhe e përshëndetim, po ashtu e marrim në makinë për t’ia lehtësuar sadopak udhën.
Duart i kishte të ashpra edhe në ngjyrën e dheut. Ata duar tregojnë tortura e vuajtje të mëdha. Ku po shkon kështu djalosh e pyeti Migeni, miku im i cili iu bashkua me dëshirë vizitës në këtë fshat të përhumbur.
“Po shkoj në shkollë” – u përgjigj vogëlushi me një zë bariton që e karakterizon. “Jam në klasën e shtatë dhe shkollën e bëj në Mihajas, pasi është shkolla më e afërt që kam edhe pse është gati një orë në këmbë, ndërsa vetë jam nga fshati Kus disa kilometra larg Mihajasit. Këtë rrugë unë e bëj çdo ditë, qoftë shi, diell, ftohtë apo dhe ngrica në dimër. Do sakrifikoj pak tani, që një ditë të bëhem dikush”- u shpreh me një gjuhë të ëmbël Albani, që tashmë u bë miku ynë. Diku më matanë u shkëmbyem me një makinë tjetër e cila që nga larg dukej e tejmbushur me njerëz. “Janë ata që ikin në gjimnaz” – na bën më dije Albani. “E bëjnë çdo ditë këtë rrugë dhe ikin e bëjnë shkollën në fshatin Mullet, shumë pranë Tiranës.”

PROBLEMET

Sa shumë vuajtje e sakrifica bëjnë këta prindër për t’i shkolluar fëmijët e tyre. “Ata janë e ardhmja jonë, tek ta kemi sytë dhe shpresat”-thotë Zeneli, banor i këtij fshati. “Ç’e mirë ju solli këtyre anëve ?! Këtu është për të ikur përgjithmonë, nuk jetohet. Ujë s’ka, punë s’ka. Këtu është të luftosh me jetën”- shfryn plot mllef ai. Mua që më shikon këtu shkoj çdo ditë në Tiranë me shpresën për të punuar në të zezë e për të fituar ndonjë lek për të mbajtur shtëpinë. Makina do 4 mijë në ditë për transport, dhe unë paguhem me 10 mijë lekë në ditë. Por herë ka, e herë s’ka punë. Më thuaj a jetohet me kaq para në një familje me 4 pjestarë.

Dylaver Hoxha një tjetër banor i këtij vendi shprehet për dritare.net i shqetësuar. Ai na thotë se politika premtimet i ka të mëdha. Në fushata zgjedhore të gjithë vijnë me vrap për të kërkuar votën, dhe bëjnë gjoksin “gropë” se me ardhjen e tyre në pushtet, hallet e tyre do marrin fund. Iu është premtuar ujë i pijshëm 24 orë, rruga e asfaltuar deri në fshat, ngritja e një qendre shëndetësore, por edhe vendosja e një mikrobuzi me gjysmë bilete për nxënësit e shkollave. Por me të mbaruar fushatat zgjedhore, problemet e këtyre banorëve mbyllen në sirtarë për të mos u hapur më kurrë, thua sikur këta banorë janë të rëndësishëm vetëm në kohë zgjedhore.

Edhe pse duket sikur ndodhet në anën tjetër të globit, kemi kaluar vetëm 6 kilometra nga pjesa e fundit e rrugës së shtruar (Rruga e vjetër Tiranë-Elbasan). Mjafton të dish vendodhjen, për të kuptuar se ky fshat nuk është ndonjë pikë e hedhur diku larg mes malesh. Përkundrazi, qëndron në kufi me Tiranën. Me sy mund të shikojë Baldushkun, e një sërë fshatrash të tjerë. Megjithatë banorët duhet të mjaftohen me afërsinë gjeografike, sepse gjithçka tjetër është larg.
Problemet e tyre përsëritin njëra-tjetrën e thua sikur janë ulur këmbëkryq në odat e këtyre njerëzve fatkeq, por mikpritës e bujarë në zemrat e tyre. Pas një soditje nëpër rrugicat e lodhura të fshatit, bie në sy shtëpizat e tyre të vjetruara, heshtura, e herë-herë ndonjëra të jep përshtypjen sikur do shembet.

FURRAT E QYMYRIT DHE DREJTORESHA

Nga larg ndër kodrina dallohet tek-tuk ndonjë vatër tymi e bardhë që ngre kryet lart nga qielli. Bëhemi kuriozë dhe pyesim. “Janë furra qymyri që I bëjnë fshatarët”- na thotë Halit Hoxha një tjetër banor i këtij fshati. “Janë e vetmja mundësi që ushqehemi, por edhe ajo është të luftosh me vdekjen, pasi ka pasur raste që nga tymi kanë vdekur njerëz që punojnë aty pasi duhet kujdes i veçantë se bie brenda në turrën e truve e përvëlohesh, por edhe ai tymi bardhë që del është mjaft i dëmshëm për shëndetin”.
I afrohemi shkollës së këtij fshati. Tek dera qëndronte një zonjë. Na përshëndeti dhe na ftojë të hynim brenda. Nga biseda kuptuam që ajo ishte drejtoresha e shkollës dhe emrin ia thonë Najada Husha. Ajo na flet për vështirësitë e shumta që ka kjo zonë, që thuajse jeton si në mesjetë. “Me rregull mësimi fillon në orën 8:00, por ne e kemi shkelur këtë orar dhe fillojmë në orën 9:00 për arsye se shumë nxënës ndodhen larg dhe nuk mund të arrijnë dot në kohë. Ka nga ata nxënës të vegjël e të mëdhenj të cilët ecin çdo ditë nga dy orë në këmbë e vijnë për tu arsimuar. E duan kaq shumë shkollën, por vendi iu thyen shpresat këtyre të rinjve”- na bën me dije drejtoresha e shkollës. Por, shumë të rinj e të reja kanë braktisur shkollën e kanë marrë rrugët e kurbetit në moshë të re, për një jetë të mirë që i tyre nuk ua ofroi… I tillë është edhe fati i Blerimit, 20 vjeçarit i cili braktisi çdo ëndërr duke emigruar për në Gjermani për një jetë më të mire.

Pas një bisede me drejtoreshën e shkollës dhe banorëve të vuajtur të këtyre anëve, largohemi me shpresën se një ditë problemet e tyre do marrin zgjidhje. Largohemi me përshtypjen se jeta mes natyrës përrallore e çlodhëse së këtij vendi nuk është aspak e lehtë siç duket. Largohemi duke lënë pas fshatin Mihajas të strukur ashtu mes kodrinash të shumta me besimin se një ditë politika do vërë dorën në zemër për këta banorë, të cilët pretendojnë pak, shumë pak nga jeta, vetëm bukë e ujë…!

1 Like

Vetem rriju larg parcelave.