Ndanë dritares

Helnwein| 151x127

Parantezë: Duhet dëgjuar vetëm versioni origjinal, ky 7.26 min. - asnjë tjetër nuk i qaset këtij dhe ky është incizuar në mënyrë simultane, vetëm një herë spontanisht e kaq, pa u bërë prova më parë, gjendje të cilën muzikantët nuk e kanë arritur kurrë më, as në të gjithë muzikën e tyre e as në të gjitha versionet e pafundme live e extended të kësaj kënge, sado janë përpjekur për këtë.

Nganjëherë çlirësia është vetëm një çast, vetëm një shkrepje e papërsëritshme aparati, një hedhje hieroglifi e shkrifët Zen me përqëndrim e mbrothësi njëherësh: ah, sa shpesh e kam dëgjuar këtë pjesë, në sa kohë e në ç’vende, ah, kohë e shkuar, pasqyra e thyer që dikur kam qenë e që më bëhet se bëhet prapë bashkë kur e dëgjoj sërish…

NDANË DRITARES

Ta dish veçse një herë, kjo mbetet përgjithnjë,
s’qenkësh dehje kjo, që natës po i merr hak,
s’është shkrirje ngjyrash, as ndrimë qirinjsh
përzënë prej grisë së mëngjesit, nuk ka pak.

Ta rrokësh veç një herë, ta ndiesh thellë në gjak,
kjo qenkësh imja e është vetëm prej e falë Teje,
të mos e ftohësh më në xhamin e saj ballin flakë,
ndanë dritares një mjegull u zhvendos rëndë tej.

Njëherë ta rrokësh, ta ndiesh thellë mu në gjak,
kjo qenkësh imja dhe është veç prej e falë Teje,
Vajton, qan një zog, ah, edhe të miat pendë, lag
shiu, lag, ndërsa po i fluturoj unë botës tejpërtej.

Teksti: Hildegard Maria Rauhfus
*përktheu Arb Elo

AM FENSTER

Einmal wissen, dieses bleibt für immer
ist nicht Rausch der schon die Nacht verklagt
ist nicht Farbenschmelz noch Kerzenschimmer
von dem Grau des Morgen längst verjagt

Einmal fassen, tief im Blute fühlen
dies ist mein und es ist nur durch Dich
nicht die Stirne mehr am Fenster kühlen
dran ein Nebel schwer vorüber strich

Einmal fassen tief im Blute fühlen
dies ist mein und es ist nur durch Dich
klagt ein Vogel ach auch mein Gefieder
näßt der Regen flieg ich durch die Welt

Hildegard Maria Rauchfuß


*Ilustrimi: Gottfried Helnwein “Mann ohne Gesicht” (“Burrë pa fytyrë”)

Dëgjon shpesh të flitet për art të pakohë. Ky më sipër është i tillë.
Rrallë, në mos kurrë, shtrohet pyetja: por a mund të ketë kohë të paarta?

Kjo këngë daton nga viti i largët 1977 dhe - (habituni o të njëanshëm, demokratë e rrjedhamarrës!) - qenkësh krijuar në Ish-Republikën Demokratike Gjermane.

Natyrisht që kjo nuk ka se si të ndodhë, mendon automatikisht dikush që e ka ndarë mendjen që arti i vërtetë krijohet vetëm në liri dhe priret menjëherë ta ngatërrojë bukurinë e kësaj kryevepre të vockël me mallin që i bie të ndiejnë të robëruarit për botën atje përjashta - nënkupto: 1. lirinë dhe 2. botën perëndimore - dhe ngucet thuajse vetiu ta përfshijë këtë melodi të pafajshme, gati cigane, në disidencë e ta politizojë çdo takim spontan e jo të tillë të disa artistëve që ndoshta kanë pirë ndonjë gotë e po u bien veglave për qejf të tyre në inkuadrimin (në një kohë natyrisht të dytë) në luftën e përbotshme për çlirimin e pjesës së shtypur të botës nga vetvetja.

Hymn për lirinë - të vjen menjëherë të thuash me të parën kur e di se teksti e muzika vijnë nga blloku lindor. Ndërsa nëse nuk je në dijeni se bëhet fjalë për art blloku lindor ka fort pak të ngjarë të të lindin të tilla mendime. Atëherë mund të thuash: romantizëm, simbolizëm, patetizëm, nostalgji, etj. etj.

Çka nuk thuhet asnjëherë, pasi është e zakonshme dhe aspak e stërholluar, është se ndjesi të tilla (ndonëse nuk është mbase në gjendje t’i shprehë në mënyrë artistike) ndanë një dritareje, një dere, një parvazi, një humnere, ndanë një godine, një mali e kështu me radhë, i provon gjithsekush në këtë botë. Arti dhe bukuria e kësaj pjese konsiston këtu pikërisht në sublimimin e kësaj ndjesie aq të mirënjohur nga cilido ka qëndruar për një kohë në një dhomë për një kohë, fëmijë ndoshta i lënë vetëm, vetmitarë të harruar a bërë të tillë nga mospërfillja e të tjerëve apo se ashtu e duan vetë, studentë: lista do të ishte këtu fort e gjatë, pasi SECILI nga ne ka dritaren e tij, në mos më shumë se një të tillë.

Duhet doemos tani të përfshijmë në përpjekjen për çlirim, në radhët e ngjeshura të luftëtarëve të lirisë edhe poetët dhe violinistët?

Natyrisht që ka patur të tillë, mirëpo kjo nuk vërteton të kundërtën e pohimit: që, bie fjala, një vazo e dinastisë Ming apo ornamentet me pallonj në një pjatë porcelani çfarëdo qenkëshin art i papolitizuar apo dhe më keq: që çdo simbol përmban nënkuptime të shumëfishta për ata që janë në gjendje t’i kuptojnë, natyrisht pasi janë shpjeguar më së pari si të tillë ndoshta nga po ata vetë, ndoshta nga ndonjë deshifrues i zellshëm kodesh të tillë efemerë.

Çfarë na thotë një autobus, bie sërish fjala, që shfaqet gjëkund në ndonjë tablo apo skenë rastësore filmike? Po ngjyra e tij?

Çfarë do të thotë në këtë tekst zogu i lagur nga shiu që qenkësh poetesha vetë, që e lagur dhe e ndragur merr guximin t’i fluturojë botës përmes?

Thotë atë që thotë, as më shumë e as më pak, të vjen të thuash, mirëpo edhe kjo do të ishte e tepërt. Sepse heshtja është shpesh interpretimi më i thjeshtë i asaj që të pëlqen. Përsëritja pohimi i asaj që heshte. E kështu me radhë.

@ Arb Elo

1 Like

pune e paqme. pergezime Arb Lo

poezia jo keq, ndersa proza nuk e morra vesh, ndoshta ngaqe nje sy eshte drejt tv :grinning:

Mua me pelqyen. Pike.