Ndriçim që verbon

Skicofrenia e Modernitetit shfaqet gjithnjë si mësalla me dy faqe: njëra si progres çlirimtar i përshpejtuar skajshëm dhe tjetra si rropatje tiranike për ta ndalur këtë progres (tashmë e mirëditur dhe mirëprovuar në kurriz se çlirimtarë dhe tiranë janë faqe të së njëjtës mësallë). Strategjia e Avangardës artistike në fillesat e shek XX nuk synonte progresin në vetvete siç e paraqet rëndom një tjetër legjende e elitave të iluminuara kulturorisht, përkundrazi Avangarda - krejt e bindur që progresi shkatërrimtar nuk mund të ndalej prej një tradite tashmë të kalçifikuar dhe krejt të pafuqishme - synonte ndaljen e procesit shpërbërës të progresit pa kufi nëpërmjet një hopi cilësor të progresit në një nivel të tillë nga ku procesi shkatërrimtar, i karakterizuar nga logjika e “mohimit të mohimit”, të mund të sundohej dhe kontrollohej përfundimisht prej “njeriut të ri”. Artisti avangard besonte se vetëdija e vrasjes së Zotit - ose më saktë pjesmarrja në këtë vrasje - i jipte një fuqi demiurgjike dhe magjike për të zbuluar ligjet që udhëzojnë veprimin e forcave kozmike dhe sociale, dhe si pasojë për të sunduar në mënyrë inxhinierike këto ligje duke rilindur vetveten dhe botën; në thelb për të ndalur procesin shpërbërës dhe shkatërrimtar të progresit pakufi, thënë ndryshe për “të ndalur kohën” në Fund të Historisë (term laik, analog me termin fetar Ditët e Fundit ose Qameti) ose për të dalë prej historisë së vjetër duke nisur një histori të re etj. Vetëm nga kjo pikpamje Avangarda, Fashizmi, Nazizmi, Komunizmi & kompani - dmth REVOLUCIONI në përgjithsi si aspiratë - mund të akuzohen të gjitha si lëvizje obskurantiste “mesjetare” që synonin “të ndalnin rrotën e historisë”, tëpkë si krishterimi në Ditët e Fundit, Fundin e Kohëve, Ardhjen e Dytë, Apokalips etj, besimi synit në Ditën e Qametit, besimi shit në Shfaqjen e Aliut të fshehur etj.

Avangarda dhe Revolucioni në Rusi kanë të përbashkët idenë e bog stroitelstvo=“konstruktim i Zotit” e cila ndikoi shumicën e bolshevikëve të hershëm si Lunaçarski, Trotski, Gorki, Bogdanovi (pseudonim që në rusisht do të thotë “me dhunti prej Zotit”) etj - me përjashtim të Leninit që as për emër nuk deshte të dëgjonte për fe e Zot. Historiografia marksiste - dhe fatkeqsisht jo vetëm ajo - falsifikon në stilin e rëndomtë iluminist deri edhe zanafillën e lëvizjes komuniste, duke lënë në hije ose deri edhe mohuar lidhjet kompromentuese që ekzistojnë midis besimit fetar (krishterimit) dhe besimit ateist (komunizmit). Në origjinë ideja “konstruktim i Zotit” i përket mistikut të shekullit XIX Nikollai Fedorov, një mendimtar krejt origjinal që ushqente pasion njësoj si për shkencën ashtu dhe për Zotin, dhe veçanërisht i dashur prej Tolstoit, Dostojevskijt, Solovjovit, Majakovskit, Andrej Belyj, Gorkit, Bogdanovit, Lunaçarskit (kunat i Bogdanovit) etj. Solovjovi - i ndikuar prej Fedorovit të konsideruar si “atë shpirtëror të tij” - e konceptonte njeriun si të ndërlidhur ngushtë me kozmosin dhe fuqitë e tij, artin si ziznestroitelstvo=“konstruktim i jetës”, ndërsa artistin si zbulues të harmonisë së fshehur të gjërave. Solovjovi u rropat përgjatë gjithë jetës së tij për të realizuar një zbulesë të marrë prej “botës tjetër” që kishte të bënte me unitetin e feve dhe më pas të njerzimit mbarë, duke ndikuar rëndë sa “majtas” “djathtas” në politikën ruse të kohës, mbi laikë dhe besimtarë, filoperëndimore dhe sllavofilë, dhe më pas edhe mbi avangardën ruse (sidomos simbolistët).

Boris Groys në librin Stalinizmi ose vepra totale e artit përshkruan kthesën e Avangardës drejt Realizmit Socialist si një evolucion që ka të bëjë me tërë artin modern të kohës, ku gjënden paralele jo vetëm në artin e Italisë fashiste dhe Gjermanisë naziste, por edhe në neoklasicizmin francez, pikturën e regjionalizmit amerikan, prozën tradicionaliste dhe politikisht engage angleze, amerikane dhe franceze të kohës, akitekturën historizuese, pllakatin politik dhe reklamën, stilin kinematografik të Hollivudit etj. Sipas tij veçoria e artit sovjetik ishte se realizoi skajshëm çfarë në shumë vënde të tjerë mbeti vetëm një prirje, dhe se Realizmi Socialist rezulton i kundërt me Avangardën referuar vetëm kundërvënies, përndjekjes dhe asgjësimit të saj prej regjimit sovjetik mbas viteve 30-të, ndërkohë që Avangarda kishte shteruar energjitë dhe misionin e saj për shkak konfliktesh të brëndëshme. Ndryshimet formale midis Realizmit Socialist dhe Avangardës nuk ishin rezultat i mohimit të projektit të Avangardës, por ishin rezultat përfundimtar i radikalizimit të saj, gjë që artistët avangardë nuk ditën ta bënin. Dhe vërtet në Rusinë poststaliniste stalinizmi perceptohet si shprehje e skajme e utopizmit fitimtar të Avangardës, prandaj destalinizimi mbas viteve 60-të nuk riktheu kulturën ruse në periudhën avangardiste progresiste, racionaliste, perëndimore të “zhvillimit kulturor të ndalur forcërisht prej traditës” - siç rëndom pritej dhe shpresohej në Perëndim, që gjithjë e kupton (më saktë e keqkupton) Lindjen sipas vetes, dmth kupton Lindjen në mënyrë perëndimore - por përkundrazi riktheu artin relativisht tradicional të Bulgakovit, Ahmatovës, Mandelshtamit, Pasternakut, Solzenicinit etj.

Në fakt epoka staliniste realizoi ambicjen themelore të Avangardës - megjithse jo sipas parashikimeve të saj - e cila synonte të shndërronte artin mimetik të paraqitjes statike dhe pasive të jetës, në art krijues dinamik të shndërrimit rrënjësor të njeriut dhe botës sipas një projekti estetik dhe politik total. Prandaj edhe fakti - herë i mërmëritur nëpër dhëmbë dhe herë me kast i lënë pas dore meqë hap telashe përcaktimi dhe klasifikimi për specien e rrallë të disidentit - që eksponetët kryesorë të Avangardës simpatizonin dhe flirtonin me komunizmin. Madje shumë prej tyre jo vetëm që nuk ishin disidentë legjendarë kundër tiranisë bolshevike - siç rëndom paraqitur të tillë gjithnjë mbas pilafit dhe mbasi është bërë pilaf gjithçka -, por përkundrazi i kërkonin pushtetit revolucionar të merrte në dorë kulturën si instrument i stërfuqishëm për të trasformuar botën, shoqërinë dhe jetën e individit (jo rastësisht Avangarda quhej edhe “art i majtë” dhe disidentë avangardistë kalibri si Maleviç, Majakovskij, Shagall etj, zinin poste kyçe në administratën postrevolucionare). Të ndarë në rryma të ndryshme në konflikt me njëra tjetrën në përpjekje për të imponuar idetë dhe projektet përkatëse, avangardistët masakroheshin ndër veti duke marrë pjesë - herë prej hallit e herë prej mallit (më saktë në fillim prej mallit e më pas prej hallit) - në lodrat absurde për pushtet dhe në allishverishet politike të asaj epoke revolucionare tepër të rrezikshme. Kandinskij braktisi Rusinë revolucionare mbasi u dënua për “delire spirituale” në një mbledhje kolektivi nga artistë “produktivistë” të udhëhequr nga Rodçenko, një person i gjëndur sot përkrah Kandinskit në çdo antologji të artit modern dhe mbajtur si gjeni e eksponent kryesor i Avangardës ruse (nga shumë pikpamje shumë më në avangardë se ajo evropiane).

Lidhjet dyfish të futurizmit me fashizmin dhe bolshevizim janë deri diku të njohura - si psh bashkëpunimi ndërmjet Marinetit dhe Majakovskit - gjithashtu njihet mirë kontributi i dhënë prej futurizmit për krijimin dhe formimin e fashizmit, por pak i njohur është kontributi i ekspresionizmit të hershëm dhënë “çlirimit” nacionalsocialist; ekspresionistët e parë e dëshironin luftën me gjithë zemër, tamam si futuristët. Piktori i famshëm Munch - autor i pikturës Ulërima që në bashkohësi shihet ngado si ikonë pop deri edhe në etiketat e mallrave të konsumit të gjërë - mbështetej drejpërdrejt nga Gebëlsi dhe mbahej nga propaganda naziste si supernjeriu i racës ariane, themelues dhe profet i shëmbëllimit arian (në të vërtetë ishte thjesht një psikotik, si shumica e ekspresionistëve). Mbas vdekjes të Munch, nën kujdesin e vetë Gebëlsit i’u bë fulneral shtetëror me arkivol të shoqëruar me flamuj me kryq të thyer. Nolde është një tjetër ekspresionist-psikotik i famshëm, antisemit, me tepër simpati për nazizmin (tesera e antarsisë së tij në partinë nacional-socialiste mbante një prej numrave të parë) dhe mjaft simpatik për ideologët nazistë, në vitet 33 flitet për një “linjë Munch-Nolde” të përbashkët; ndërsa shkrimtari Gottfried Benn mbron ekspresionizmin gjerman dhe sektorë të tjerë të artit modern kundër përgojusve të tij kundërarianë, me argumente që ngjajnë tëpkë me ato të propagandës nacionalsocialiste. Ai rreshton në një listë të stërgjatë emra personalitetesh të konsideruar prej tij si arianë ose gjermanë të pastërt që përpiqen të rilindin trashëgiminë e kulturës evropiane, e që për ironi është saktë popullata e çfardo antologjie të sotme letrare dhe arti pamor modern. Me pak fjalë ekspresionizmi ka qenë për Gjermaninë çfarë ka qenë për Italinë futurizmi, tashmë pranohet haptas se ky i fundit ishte një revolucion kulturor që dha një kontribut të padiskutueshëm për të krijuar dhe formuar fashizmin. Ekspozita e Mynihut që demaskoi artin “dekadent” u organizua me inisiativë personale të Hitlerit, i cili, në analogji të plotë me sivëllain Stalin, përdori artin e “realizmit nazist” për të frymzuar e nxitur politikisht masat e gjëra popullore, ndërkohë që ekspresionizmi në veçanti dhe avangarda gjermane në përgjithsi kishin shteruar energjitë dhe humbur misionin e tyre. Përshkrimi në çdo antologjie arti modern i mbylljes të shkollës së Bauhausit si vepër e nazistëve është një falsifikim postmodern i historisë; në fakt drejtori i fundit i shkollës i pranoi pa fjalë propozimet naziste për ndryshimet në programin e mësimdhënies. Bauhaus - e rraskapitur nga kontradikta të brëndëshme, çvendosje nga qyteti në qytet, nga drejtori në drejtor dhe për pasojë edhe nga ideologjia në ideologji e nga estetika në estetikë - u vetëmbyll për shkaqe thjesht ekonomike meqë nuk arrinte më të shiste idetë, projektet dhe prodhimet e saj në përputhje me parimin socialdemokrat të vetadministrimit ekonomik (pavarsisë ekonomike prej shtetit) të vendosur prej Gropius që në ditët e para të themelimit të saj. Nazizmi fitoi sepse dështoi Republika socialdemokrate e Vajmarit, dhe bashkë me të dështoi edhe Bauhaus si një eksperiment kulturor mirfilli socialdemokrat.

Personalitete të padiskutueshëm të kulturës gjermane si Heidegger, Junger, Carl Schmitt, Sombart - të gjithë të magjepsur nga teknika, megjithse kundështarë të racionalizmit -, ishin të lidhur shpirtërisht dhe politikisht në mënyra të ndryshme me nacionalsocializmin, dhe telashet në fakt ata i kishin vetëm me Hitlerin dhe shpurën që e rrethonte. Heidegger besonte në mesianizmin e kombit gjerman dhe dyshonte tek BS dhe SHBA, dy kombe që besonin njësoj në progresin teknik dhe zhvillimin ekonomik pa kufi; ai mendonte se esenca e nazizmit ishte kontrolli mbi teknikën si “dukuri shqetsuese moderne” dhe se “e vërteta më intime dhe madhështia e nacionalsocializmit duhen kërkuar në takimin e teknologjisë globale me njeriun modern”. Mbas rënies së nazizmit psikoanalist i famshëm Jung arriti ta dredhë sipas stilit të intelektualit të shquar postotalitar - stil i mirënjohur dhe përdorur përsosur edhe nga anët tona - duke mbetur një personalitet i nderuar dhe me ndikim në kulturën bashkohëse (veçanërisht në kulturën New-Age).

Lista e disidentëve të përjetshëm e gjithnjë kaluar kalit të opinionit publik bëhet tepër e gjatë nëse shqyrtohen oferta bashkëpunimesh nga shumë artistë të Avangardës, të cilat nuk u pranuan nga pushteti fashist, nazist dhe bolshevik për arsye konjukturash dhe xhelozish midis personalitetesh dhe grupimesh politike sektarë, siç ndodh rëndom në lodrat absurde për pushtet. Si përfundim projektet nazifashiste dhe komuniste për të ndryshuar shoqërinë nëpërmjet operacionesh kulturorë ishin absolutisht novatore për kohën, dhe krejt në përputhje me idetë mesianike të Avangardës për shndërrimin të njeriut dhe botës nëpërmjet një projekti prometeik që, mbasi shpall vdekjen e Zotit në epokën moderne, vë njeriun në fronin e Zotit sikur të ishte dora vetë i gjithëdituri, i plotfuqishmi dhe i gjithëpranishmi.

çëm ke dal m’tem, or Inkuiz, aq sa nuk e merr me men (lene mo’ kalemin!)

Je fuks me medalje ari. :star2::star2::star2::star2::star2:

mjaullin daci, mjaullin postulate:

http://docplayer.pl/docs-images/71/66231313/images/49-1.jpg