Politika editoriale e Peshkut pa ujë

Disa prej elementëve bazë të funksionimit të Peshkut pa ujë janë përshkruar tek Udhëzuesi (mënyra e diskutimit, sjellja ndaj të tretëve, pjesëmarrja në diskutim, sinjalizimi i problemeve, respektimi i autorësisë së sjelljeve…). Këtu do të shpjegojmë pikat kryesore të zgjedhjeve editoriale të stafit të faqes.

Tematikat e faqes
Përmbajtja e prurjeve (temave) të botuara në këtë faqe duhet të jenë kryesisht diskutime të çështjeve mbarëshqiptare, diasporës dhe atyre me karakter ndërkombëtar. Peshku preferon prodhimet origjinale të anëtarëve, dhe rekomandojmë që shkrimet e sjella nga gjetkë të paraqiten me një tekst shoqërues dhe prezantues nga prurësi. Autorët dhe prurësit angazhohen të verifikojnë burimin dhe ta citojnë atë brenda tekstit.

Gjithashtu, Peshku angazhohet të evitojë postimet që merren me sherre mes individësh (për shembull, X shau Y në një mesazh në Facebook), me thashetheme mbi persona publikë apo me tema në dukje “skandaloze” por që janë në të vërtetë vetëm karrem për klikime dhe reagime (poshtë clickbait!).

Respekti ndaj të tjerëve
Autorët dhe prurësit janë të detyruar të shprehin në shkrimet apo në komentet shoqëruese respekt, gjerësi shpirti dhe tolerancë sikundër dhe dashamirësi ndaj shumllojshmërisë së opinioneve dhe ndjeshmërisë politike të diskutuesve që shprehen në to. Ata duhet të refuzojnë në veçanti çdo shprehje të natyrës fyese apo shpifëse përkundrejt një personi apo një grupi personash dhe të kujdesen që argumentet e tyre t’i shërbejnë pasurimit të frymës kolektive.

Ndalohet çdo formë diskriminimi
Në mënyrë të veçantë, autorët dhe prurësit duhet t’i shmangen çdo forme ekstremizmi - duke përfshirë këtu edhe propagandën e pastër fetare apo politike. Natyrisht, askush nga autorët apo prurësit nuk është i detyruar të fshehë ndjeshmërinë e tij politike, ideologjike apo fetare. Por kjo duhet bërë brenda respektit për të tjerët.

Moderatorët e faqes janë të detyruar të refuzojnë pa asnjë mëdyzje çdo formë të racizmit, të fashizmit, të homofobisë, të seksizmit apo të diskriminimit.

Stafi mund të refuzojë gjithashtu edhe postimet me karakter të theksuar reklame.

Në rast se një koment ju duket ofendues, jeni të inkurajuar ta sinjalizoni atë dhe të mos i përgjigjeni. Në të kundërt, çdo koment që vjen si përgjigje ndaj një komenti abuziv, do të sinjalizohet ose fshihet automatikisht.

Procedura e moderimit të një postimi
Përderisa një prurje nuk respekton rregullat dhe parimet e mësipërme, autorit i tërhiqet vëmendja nga moderatori (ekipi i moderatorëve) që propozon këtij të fundit njëkohësisht edhe ndryshimet e mundshme. Nëse asnjë kompromis nuk mund të gjendet në këtë rast, prurja konsiderohet e pabotueshme dhe ajo hiqet nga lista e pritjes. Në të njejtën mënyrë, përderisa një koment sinjalizohet nga lexuesit si i papërshtatshëm apo jo-respektues i të njejtave rregulla apo parime, i takon moderatorit (moderatorëve) të vendosin lidhur me fshirjen apo jo të tij nga faqja. Stafi rezervon të drejtën të fshijë një postim nga faqja për arsyet e rreshtuara më sipër.

Tek Peshku pa ujë çdo pjesëmarrës në diskutim është i lirë të shprehë opinionin dhe mendimin e saj/tij, por pjesëmarrja duhet bërë brenda normave të mirësjelljes. Në çdo rast, përgjegjësia për opinionet e shprehura në këtë komunitet bie mbi autorin.

Për çdo pyetje, mos ngurroni të kontaktoni një apo disa nga moderatorët e faqes apo të hapni një diskutim në kategorinë Meta.

3 Likes

27 posts were split to a new topic: Një ankesë për politikat e Peshkut

Kjo temë është e mbyllur ndaj komenteve. Nëse doni të diskutoni mbi politikën editoriale të Peshkut, mund të hapni tema të reja nën kategorinë Meta.

1 Like