Erion Veliaj nuk ra sot. Ai ra muaj më parë. Pa bujë, pa deklarata dramatike. Ra me një komunikatë zyrtare të SPAK-ut që pak kush e lexoi deri në fund. Një nga figurat më të forta të Rilindjes, kryebashkiaku që e kthente çdo asfaltim në spektakël dhe çdo fasadë në festival, sot është vetëm një dosje e trashë në sirtarët e drejtësisë.
Por ndryshe nga ata që bien dhe harrohen, emri i Veliajt nuk pushon së daluri në titujt e lajmeve. Sepse ndërsa ai është ende në qeli, drejtësia vijon të gërryejë atë çka mbeti nga perandoria e tij. Lajmi i fundit? SPAK i sekuestron një apartament dhe një shtesë ndërtimi në “Kodra e Diellit” – në emër të tij dhe të Ajola Xoxës. Dhe kjo nuk është as maja e ajsbergut. Është një fije që tërheq një çorbë të tërë korrupsioni, ku fondet publike, OJQ-të, kompanitë fiktive dhe luksi personal përzihen në një recetë që vetëm “rilindasit” dinë ta gatuajnë.
Mos u habitni. Mos bëni sikur nuk e dinit. Të gjithë e dinim. Të gjithë heshtnim.
Sepse kështu ka funksionuar gjithmonë sistemi i ndërtuar nga Rama dhe rrethi i tij: të ngrijmë imazhe të bukura, ndërkohë që nën tokë rrënjët e korrupsionit forcohen si betoni i ndërtimeve pa leje.
Sot po i shohim të bien një e nga një: tenderë, inceneratorë, 5D, Veliaj… nesër kush?
Enveri do ishte krenar për këtë skemë. Edhe ai filloi me “shokët e idealit”. I dekoroi. I ngriti. Dhe pastaj, kur e ndjente që njëri po bëhej i rrezikshëm për pushtetin e tij të përjetshëm, i shpallte “armik të popullit”. Me burg, me internim, me pushkatim.
Sot s’ka nevojë për pushkatime. Mjafton SPAK-u. Mjaftojnë dosjet. Mjafton një sistem që duket sikur po lufton korrupsionin, por në të vërtetë po pastron skenën për aktin e ardhshëm të shfaqjes. Dhe askush nuk i shpëton. Sepse kush e njeh këtë regji, e di:
më herët a më vonë, rolet mbarojnë dhe aktorët nxirren jashtë.
Po qytetarët? Ne?
Ne rrimë para ekranit si para një telenovele. Komentojmë në Facebook. Shpërndajmë ndonjë meme. Dhe prapë, në zgjedhjet e ardhshme, do votojmë për një tjetër “të pastër”, që do të shfaqet në ditën e betimit me dorën mbi Kushtetutë, dhe tjetrën mbi fondet e BE-së.
Është teatri më i vjetër në Ballkan: pushteti që vret miqtë e vet, pasi nuk i duhet më.
Dhe kështu, me Veliajn në qeli, me Ajolën në arrest shtëpie, me Tiranën të betonuar dhe të heshtur si një qytet nën gjendje të jashtëzakonshme, mbetet vetëm një pyetje e ngrirë në ajër, si një thirrje që na djeg në gjoks:
Kujt i takon tani…?