Deri më tani, palestinezët na janë prezantuar nga mediat si arabë fëtarë fanatikë islamikë e të korruptuar, ndërsa shteti i Izraelit si një shtet modern perëndimor dhe si një demokraci e vetme mes asaj bote fanatike mesjetare shtetesh arabe. Kështu do të kish vazhduar ky prezantim deri dje, 24.12.2016, teksa lajmet e të gjitha mediave dhanë një lajm të shkurtër, padiskutim një nga lajmet më të jashtzakonshme të vitit që shkoi, ku i gjithë Këshilli i Sigurimit të OKB-s lëshoi unanimisht rezolutën për ndalimin e ndërtimeve të mëtejshme izraelite në tokat e palestinezve. Natyrisht ky lajm nuk do të bënte bujë, po të mos sqarohej se për herë të parë në historinë e tij ky këshill votoi unanimisht, pra me të gjitha votat e të 15 anëtarve të tij, pa asnjë abstenim dhe kundërshtim; të mos harrojmë se rezolutat e përparme për këtë problem kishin dështuar, sepse kish patur të paktën një votë kundra, atë të daj Samit, kujdestarit dhe donatorit kryesor të shtetit izraelit. Mirpo për çudi, edhe daja kësaj radhe nuk e mbrojti nipçen e vet, për rrëmbimin e mëtejshëm të tokave të palestinezve, të njohura këto nga OKB qysh me ngritjen e shtetit izraelit më 1948.
Ky lajm u dha dhe u dëgjua nga të gjithë, ndaj dhe nuk ka përse të përbëjë për mua shkak diskutimi, pasi ka me mijra gazetarë që do kenë shkruar qysh dje, janë duke shkruar sot, e do të shkruajnë edhe në ditët e ardhme për këtë rezolutë unanime në favor të shtetit të ri palestinez. Por mua më tërhoqi vëmëndjen diçka tjetër në këtë lajm. Njëri prej kanaleve televizivë dha diçka më gjatë nga ky lajm i shkurtër dhe i rëndësishëm. Përfaqsuesi i shtetit izraelit, një zotëri me kostum e kollaro, duke protestuar për këtë rezolutë me Biblën në dorë, (Biblën e vjetër, pasi Ungjillin feja judease nuk e njeh), e duke sqaruar të pranishmit në sallën e Këshillit të Sigurimit të OKB-s, se në atë libër shkruhej historia 3000 vjeçare e popullit të tij. Pra, ai e justifikonte ndërtimin e mëtejshëm të banimeve në Bregun e Jordanit (tokën e palestinezve) me librin fetar! Pra, po ta marrim Biblën vërtet si një libër nga Zoti, i bie që Zoti i këtij Universi ka zgjedhur atë popull të Judës të sundojë mbi të gjithë popujt e tjerë, siç edhe shkruhet në Bibël, pra ky popull të sundojë mbi të gjithë ne të tjerët! Pra, po ta marrim atë libër si një libër hyjnor nga Zoti, i bie që ky popull judeas të sundojë nga Eufrati e deri në Nil, pasi kështu shkruhet herë-herë në Bibël, e herë-herë shkruhet vetëm për tokat në perëndim të lumit Jordan, e herë-herë ngatërrohen etapat e lëvizjeve dhe ngulimeve, e herë ka aludime që të çojnë në Europë, e herë-herë aludohet për të gjithë globin, herë ashtu e herë kështu, (sa historianët nuk e marrin Biblën si libër autentik historik), pra nuk e dimë saktë në cilat tokat duhet të banojë e sundojë ky popull i Zotit! Pra, po ta marrim këtë libër si një libër nga Zoti, i bie që Filistinët (palestinezët; që kështu e kështu nuk janë filistinët e vjetër, sepse përzierjet e popullsive kanë dhënë të tjera struktura sot, si tek shumica e popullsive të botës!), të zotërojnë ato pesë qytete bregdetare, Gaza, Eshkaloni, etj., që përmenden në Bibël! Pra, po ta marrim Biblën si libër të Zotit, i bie që judejtë të jenë në luftë me izraelitët, pra ato çirrjet dhe zemërimet e rabinve judeas në vitin 1948 për emrin e shtetit të ri, Izrael, të nxiten dhe ca më shumë dhe ta vazhdojmë këtë luftë biblike midis judeasve dhe izraelitve edhe sot! Pra, po ta marrim Biblën si një libër nga Zoti, ne njerëzit e sotëm duhet të heqim dorë nga i gjithë sistemi ynë juridik laik, pasi nuk ka mundësi që ne njerëzit, të cilve na ka krijuar Zoti, të jemi më të ditur nga Zoti, i cili ka dhënë këtë libër që mbante në dorë zotëria me kostum e kollare! Pra, vetë ky prezantues fetar i një shteti modern, me Bibël në dorë, duhet të mos marri pjesë fare në një organizëm ndërkombëtar si OKB-ja, e ngritur kjo nën idetë laike, të cilat nuk kanë të bëjnë fare me urdhërat e Zotit! Pra, anëtarët e Këshillit të Sigurimit të OKB-s dhe e gjithë OKB-ja (UNO) duhet të përjashtojnë nga radhët e saj një shtet që njeh më parë këshillat dhe udhëzimet e Zotit, se sa rezolutat e saj jo-fetare!
Është e qartë, ligji juridik vjen nga mëndja njerëzore, e bazuar kjo tek përvoja e historisë njerëzore. Ndërsa ligji fetar biblik (sipas këtyre besimtarve) vjen nga Zoti, i bazur në llogjikën e Zotit, të cilën Ai nuk na e shpjegon neve njerëzve. I pari përpiqet të jetë i qartë dhe i saktë, i dyti është me ngatërresa dhe i paqartë. I pari përpiqet ti trajtojë të gjithë njerëzit dhe subjektet njerëzore të barabarta, i dyti përpiqet ti trajtojë njerëzit dhe subjektet njerëzore në forma dhe mënyra të pabarabarta, ku vetëm ata që janë me ligjin e Zotit privilegjohen nga besimtarët, por jo të tjerët; dhe meqë këto ligje të Zotit dhe besime janë nga më të ndryshme, të gjithë këta besimtarë e trajtojnë njëri-tjetrin deri në ditët e sotme në forma të pa-barabarta! I pari përpiqet të sjellë drejtësinë, paqen dhe format më demokratike të marrdhënieve njerëzore, duke i hapur rrugën evolimit të këtyre marrdhënieve njerëzore, ndërsa i dyti përpiqet të vendosë drejtësinë e Zotit, e cila përmban sistemin e skllavërisë në kodet e feve kryesore, duke mbajtur kështu një sistem të ngurtë pa zhvillim e evolim!
Tani, pas kësaj panorame kaq të njohur, ku njeriu përherë e më tepër po i zhvillon marrdhëniet e tij pa mësimet e fetarve biblikë e kuranistë, mbetet që këta njerëz fetarë të mos i përziejnë mësimet dhe udhëzimet e tyre fetare në organizmat dhe ligjet laike! Ndryshe do të kemi një serë mëndjesh idiotësh, që na i prezantojnë orekset e tyre të pangopura si mësime Zoti! Kujt ti plotësosh qejfin e kujt t’ia ndalosh!? Ndaj, nëse Izraeli don të ndjekë mësimet e Zotit (të vet), duhet të dalë nga të gjitha organizmat juridikë laikë ndërkombëtarë! Nëse nuk del vetë, është detyra e OKB-s ta përjashtojë! Kush e di, ndoshta Zoti ka për tu zgjuar për popullin dhe shtetin e tij të dashur dhe, po si në pikturën e Mikelanxhelos me Zotin dhe Adamin, Zoti ka për të lëvizur vetëm pakëz fare gishtin e vogël dhe Energjia e pashtershme universale do ti derdhet besimtarve këtij shteti. Uroj që kjo energji e pashtershme mos ti mbysë fare këta besimtarë të këtij shteti, (siç ndodh përherë me besimtarët e zjarrtë nga ngazëllimi i tepruar), se një shtet izraelit në këtë zonë fanatikësh fetarë mund dhe duhet të jetë më parë një shembull i laicizmit, demokracisë jo-fetare dhe barazisë së qytetarve pa dallim seksi, feje, ideje, klase, etj… Dhe jo një shembull grabitjesh të pafundme, që sjell vetëm fundin e tij!
25.12.2016