Bota e artit ka mbetur gojë hapur dhe tejet e shokuar nga performance e fundit e Banksy, ndodhur pak ditë me parë në ankandin e veprave të artit Sotheby’s në Londër.
Kjo performance është një ide tejet gjeniale dhe shumë treguese për gjëndjen ku ndodhet arti bashkohor, kultura dhe vetë ekzistenca e shoqërisë së sotme, sepse arti është letër lakmusi për ta dëshmuar gjëndjen e qënies.
Sapo drejtuesi i ankandit dhe goditjen përfundimtare të çekiçit për shitjen e ikonës banksijane Vajza me tullumbac (Girl With Balloon), kanavaca vetëshkatërrohet duke u grirë fije fije në shirita. Nga specialistët hipotezohet që korniza e pikturës fshihte një mekanizëm grirës letre të telekomanduar nga larg; ndoshta prej vetë autorit që mund të ndodhej në sallë si anonim.
Ankandi i kësaj vepre nisi me vlerën fillestare 200 mijë stërlina, e mbas një jep e merr intensive midis kërkesës dhe ofertës, vepra u shit për diçka më tepër se 1 milion sterlina (1,18 milion euro). Blerësi anonim ka mbetur pa fjalë, megjithse akoma nuk është e qartë ligjërisht nëse dëmi është i tij apo i shitësit. Nga ana tjetër ekspertët parashikojnë se vepra e grirë do të rrisë vlerën e saj monetare në sajë të kësaj performance. Sigurisht ka vënd që mulliri i imagjinatës i teoricienëve të komplotit - si vënie në skenë e kordinuar midis Banksy dhe Sotheby’s - të punojë me rendimente të larta në media dhe rrjete sociale.
Banksy gjithnjë ka shokuar miletin me shakatë e tij, por kësaj here ka tejkaluar edhe vetveten.
siç duket sapo jemi “banksizuar” - ka thënë Alex Branczik, Senior Director and Head of Contemporary Art, London.
https://www.instagram.com/p/BomXijJhArX/?taken-by=banksy
Pa asnjë diskutim që Banksy është një gjeni absolut, e jo vetëm për idetë e tij, por është një gjeni absolut edhe si mjeshtër i vizatimit. Si teknikë dhe ekspresivitet nuk u lë gjë mangut mjeshtërve të Rilindjes, dhe më tepër se kaq, dora e tij është njëkohësisht e një mjeshtri modern. Kulmi i thjeshtësisë, frymzim i kristaltë.
Nuk ma ha mëndja që të shkohet më përtej idesë së përformancës së tij të fundit. Nuk mund të gjëndet mënyrë më inteligjente dhe më rentabël për të demaskuar shitjen-blerjen e veprës së artit, që në fakt është thelbi i kapitalizmit, dhe si e tillë, demaskim i kapitalizmit.
E megjithkëtë në plan të fundit Banksy rezulton një idiot, sepse arma i kthehet mbrapsht si bumerang, pikturës së tij të dëmtuar nga performanca i rritet vlera artistike, e për rrjedhojë i rritet edhe vlera monetare, pra performanca e tij çon ujët në mulli të kapitalizmit. Si përfundim është e kotë të luftohet kundër kapitalizmit me mënyra antikapitaliste, dhe jo vetëm e kotë, sepse turbokapitalizmi ushqehet me kërmën e tij dhe të kundështarit. Në turbokapitalizëm rritet vazhdimisht mbivlera e kërmës.
Vetëm nëse Banksy e ka bërë me këtë lloj vetëdije performancën në fjalë, në fakt gjë pak e mundur për një turboantikapitalist dhe turboantiklerikal si Banksy, atëherë rezulton të jetë shumë inteligjent dhe i vërtetë.