Të reja për patriarkun e letrave shqipe (?)

Vjet, rreth datës së 13 tetorit, me rastin e përvjetorit të 85-të të ditëlindjes së shkrimtarit D. Agolli, në shtypin shqiptar pati një dyndallë shkrimesh për “Dritëroin”. Për të shkruanin bashkëshortja, vajza, motra, mbesa deri te gjuhëtari Emil Lafe i cili e shfrytëzoi rastin për të shkruar ca llafe edhe për lopën e tij të shenjtë, “standardin”. KM-i Edi Rama i dërgoi “Dritëroit” një shishe vere, MK-ja Mirela Kumbaro i shkoi në shtëpi për t’ia uruar personalisht ditëlindjen “Dritëroit”. Kryeparlamentari, në mos gabofsha, ia dërgoi një tufë lulesh. Për të gjitha këto si dhe për “djalin rus” të shkrimtarit lexuam dhe pamë një mori shkrimesh dhe fotografish. Lexuam edhe se “Dritëroit” iu akordua titulli Doctor honoris causa.

Sot lexuam dhe pamë në disa gazeta një shkrim dhe disa fotografi se “Si e priti Vitin e Ri Dritëro Agolli”, ku mësojmë tri lajme të rëndësisë së parë: “Patriarku i letrave shqipe mbushi vitin e kaluar 85 vjeç” (këtë e dimë qysh prej vjeshtës së kaluar),“shkrimtari feston në gjirin e familjes” (lajm senzacional!) dhe “shihet shkrimtari në kolltukun e tij së bashku me të shoqen, Sadijen” (gjë që e shohim dhe me sy të vet në foto).

Lidhur me përvjetorin e Dritëro Agollit u thua dhe u shkrua se ai është shkrimtari më i popullarizuar i letërsisë shqiptare, gjë që ma përkujton faktin resp. karagjozllëkun se pas vdekjes së Johann Wolfgang von Goethe për disa dhjetëvjetëshe shkrimtari Christian August Vulpius, autor i romanit trivial “Rinaldo Rinaldini”, në Gjermani u bë më i botuar, më i lexuar dhe më i popullarizuar se autori i veprave “Faust”, “Elegjitë romake”, “Divani perëndimoro-lindor” etj.

Nejse. Por, ama, djalli e mori – kujt iu kujtua se qysh e priti Vitin e Ri shkrimtari pa titull madhështor si Patriarku i Letrave Shqiptare, shkrimtari më i moshuar i gjallë ndër shkrimtarët e mëdhenj të letërsisë shqipe, i groposur në heshtjen zyrtare dhe mediatike, Kasëm Trebeshina? Për ditëlindjen e tij të 90-të u kujtuan studiuesit Behar Gjoka, Belfjore Qose dhe ca të tjerë, kritiku Agim Baçi, shkrimtari Jozef Radi, vogëlsia ime. Nuk iu kujtua, me sa di unë, Ministrisë së Kulturës, UT-së, Akademisë, QSA-së. Zyrtarët shtetërorë nuk u panë me të dhe nuk ia dërguan dhe as më të voglën dhuratë a urim. Personalisht më zhgënjeu se për këtë përvjetor nuk e vizitoi as z. Edi Rama që e njeh Kasëm Trebeshinën qysh prej ditëve të përbashkëta të revoltës studentore siç e dimë nga libri i Ardian Klosit dhe Edi Ramës “Refleksione”. Nuk pritet që rreth z. Kasëm të bëhet një kult personal si për “Dritëroin”, por vetë mirësjellja do të kërkonte që të nderohet një shkrimtar 90-vjeç, autor i veprës “Kënga shqiptare”, “Odin Mondvalsen”, “Dafinat e thara”, i dramave të shumta, i poezive të hidhura e të bukura dhe i shumë e shumë të tjerave.

Hans-Joachim Lanksch

Bashkefajtor jane te gjithe, pastaj dihet we vetem kur te vdesesh do maresh like/share/komente/hapesire mediatike

Pk jam dakord me ty persa i perket hardisjes se “shtypit” shqiptar per DA. E bene sikur ca po na tregonin. Teper ordinere per te nderuar dike. Ndersa per Kasem Trebeshinen e ke fut pak si pa lidhje. Nuk e di a e ka MK apo qeveria si protokoll te festoj ditelindjet ( qofte dhe te dergoj nje mesazh urimi) e artisteve por kjo duket me shume feste sipas tarafit. DA eshte i ps- se dhe keta po i bejne qejfin njeriut te tyre.