Turshqipja dhe bastardime moderne

Më kujtohet në një orë leksioni të Albanologjisë, ku pedagogu përmendi rastin e fjalës penxhere. Të gjithë e dijmë që është alternativë për fjalën dritare, por që në vetvete mbart një tjetër kuptim. Të thuash po dal në penxhere, në vend të perdorësh dritare, nënkupton se ke një tjetër qellim pertej veprimit të thjeshtë. Mund të dalësh të pish një cigare ose të f’i flasësh dikujt që po qendron poshtë shtëpisë. Pra nga kjo dalim se disa fjalë me prejardhje turke shprehin një metaforë. Por më pas dola në një konkluzion tjetër, mund ta quaj teori pasi nuk jam përpjekur ta faktoj, se fjalët turke që bashkjetojnë dhe herë pas here zëvendësojnë fjalët shqipe nuk kanë ardhur si pasojë e politikës së asimilimit të P.O. Natyrisht 500 vite pushtim bëjnë të vetën, por nuk e shikoj si faktorin kryesor që kur të pyesin se çfarë bën me shoqninë në kohën e lirë, dëgjon si përgjigje “hiç muhabet”(asgjë flasim). Gjatë pushtimit të P.O, s’do mend që u përdorën mënyra nga më mizoret për të groposur identitetin e popullit tonë, por veçanarisht u shquan dhe dredhirat për të joshur shqipëtarin e për ta kthyer atë në një prodhim alla turke, njësoj siç konverton lekët tak fak. Nëse i futeshe fesë islame kishe privilegje, taksa shumë të ulta, zgjidhje një emër turk dhe vendosje të përziheshe me P.O, të hapeshin dyer për të ardhmen, punë më të mirë dhe arsimim në Anadoll. Sigurisht nuk ishte zgjidhje për të gjithë, por që filloi nga pak. Rrjedhimisht një shqipëtar i ndryshuar nga bujkrob në çiflig, do ndihej më superior mbi ata poshtë tij që deri dje quheshin bashkatdhetarë. Dhe i gjithë statusi i tij do plotësohej kur ish Gjergji tashmë Abdyl, do ndërtonte fjalitë gjysëm shqip e gjysëm turqisht. Nëse Abdyli do takohej me Gjinin dhe ky i fundit do e pyeste se si i shkonin punët, me një tek fjalë, “Tamam”, Abdyli do i përçonte në nënvetëdije se kush i ka punët në rregull. Kjo çon në një tjetër temë, ku jugu u mbush përplot me Abdylë e Qemalë që kishin mundësi të kryenin edukimin jashtë dhe zotëronin toka dhe titullin e bejlerit ndërkohë në zonat katolike të veriut shqipja gëzonte gjendjen e paprekur, por shumë herë në disavantazh kundrejt të parëve. Mjafton tu hedhësh një sy emrave të personave që kanë udhëhequr ose kanë pasur poste të larta deri vonë për ta kuptuar. Dhe sipas mendimit tim kështu lindi dhe njē arsye pse u krijua dhe vija imagjinare e përçmimit midis veriut dhe jugut. Gjithsesi dua të vazhdoj me pjesën e gjuhës dhe jo ndarjet. Disa shekuj më vonë dhe kemi mbëritur në ditët e sotme. Një dukuri e re në pamje të parë ka marrë jetë, por shumë e ngjashme dhe e vendosur paralel me ato që shkruajta më sipër. Bëhet fjalë për dyndjen e termave dhe frazave në anglisht që kalojnë klandestinë ne fjalorin e përditshëm, duke formuar dhe bastardimet. Në bashkësinë e bastardimeve futen të gjitha ato fjalë me origjinë të huaj që e kanë të pamundur t’i nënshtrohen rregullave të gramatikës së gjuhës shqipe, të lakohen, zgjedhohen, etj. Shpesh ndodh të justifohet se fjalët e huaja duhen të përdoren për të emërtuar terma specifik të një fushe të caktuar, sidomos atë të teknologjisë, ose fjalët ndërkombëtare, pasi mungojnë fjalët vendase. Fjala kompjuter në frengjisht është kthyer në “ordinateur”(urrdhëruesi nëse i afrohem sadopak në perkthim) por në vendet e tjera vetëm është përshtatur. Kështu kompjuteri, laptopi, televizori, radio, demokracia, futbolli nuk quhen bastardim. Por daunllodoj për download ose sejvoj për save, po. Më së miri janë në shqip shkarkoj dhe ruaj, perkatësisht. Dhe nuk bëhet fjalë vetëm për këto dy raste por për një fjalor krejtësisht të syrgjynosur në një kohë ku nuk na cënohen jo vetëm kufijt por dhe koha kur kishim dikë të na thoshte se kush terma thuhen dhe kush janë të ndaluara, në të kundërt të priste dyfeku(njësoj si penxherja) është shumë larg. Për shëmbull hap televizorin dhe po të shikosh një program mbasditje ku biseda është e lirshme do dëgjosh gjëra të tipit “ngjan shumë cool”. Sot më rastisti të takoja doktorin tim e më tregoi se barnat që merrja dikur ishin të një(u mat pak pasi nuk i vinte fjala) range të mesëm e prandaj më dhanë efekt. Kur tha range më tingëlloi sikur kisha humbur rrugën në New York dhe një amerikan po përpiqej të më ndihmonte sa më thjesht por pa qënë i suksesshëm. Nga adoleshentët është deri diku e kuptueshme për shkak të kontaktit të pandërprerë me shfaqjet, programet, filmat dhe çdo gjëje tjetër në anglisht nëpërmjet internetit. Por nga ana tjetër nëse dikush flet shqipnglisht, njëkohësisht i tregon marrësit se sa i ditur është, në fjalë të tjera tregon se është ndryshe dhe se ka nivel. Është më cool, i ka lezet. Në këto pika unë krijova idenë ose teorinë e pafaktuar se si turqishtja është ende dhe sot pjesë e pandarë e jetës sonë dhe harrxhojmë frymë me këto fjalë të huaja, duke harruar të ashtuquajturën “gjuha më e vjetër në Europë”. Nuk dua t’i jap një gjykim nëse është e gabuar apo e saktë, pasi jam vet konsumator i turshqipes dashur pa dashur, por që me këto ritme në një të ardhme mund të kemi të huaj që vijnë në Tiranë(austriakët do ishin të parët padyshim) dhe do ofronin kurse të gjuhës shqipe për shqiptarët.

2 Likes

A je koshient :stuck_out_tongue: qe ne veri ka me shume myslimane se ne jug?

Radiua*
Ky problem qe ngre ti nuk eshte i ri. Vite me pare e kishte italishtja statusin e intruderit te madh, tani anglishtja. Akoma me kujtohet se si ish-ministri i arsimit Ruka perdori fjalen “gia” te italishtes ne nje emision darke, te pakten ne emision pasditeje do e toleronim me shume.

1 Like

Rritja e komunikimit do Te sjelle edhe huamarrjen mes gjuheve .dikur kur jetonin se bashku parardhesit e popujve europiane flisnin Te njejten gjuhe .

1 Like

autori, sikur eshte zgjuar tani, ai nuk e di se turqishtja e vjeter, nuk eshte turqishtja e sotme qe ka shum elemente te mongolishtes, Dikur para 1-2 mij vjetesh, ne Turqi fliteshin shum gjuhe dhe mbizoteronte elementi etrusk ne gjuhe dhe kulture, element i cili ndihej nga bota arabe, perse, deri ne boten oksidentale, ate te Europes jugore, qendrore dhe veriore. Prandaj dhe sot e kesaj dite shohim fjale te ngjashme, me rrenje te perbashket, qe i kane si gjuhet kelte, gjermanike, italike, po ashtu dhe gjuha shqipe, turke e gjuhet arabike e semite.

U mora vetëm me arsyen pse ndodhi ky ndryshim në gjuhën shqipe dhe nuk iu futa thellë pikave që nxorra. Shumë e vërtetë pasi një shoku im turk ma ka treguar këtë gjë se si fjalët tona turke janë arkaike për të. Për mua kjo nuk ka rëndësi në atë çka doja hidhja në teori.

Shqetesimi juaj eshte i sinqerte por mekanizmi i gjuheve indoeuropiane dhe sidomos shqipes, e ka vertetuar katerciperisht qe eshte jashtezakonisht i qendrueshem, i pasur dhe i afte te pershtatet. Femijet e vegjel sot psh duke degjuar dublim shumicen e kohes flasin shqipe letrare aq te rregullt sa qe te ben pershtypje. Kjo nuk e heq pergjegjesine nga institucionet, te cilat nuk po bejne detyren ne pershtatjen e fjaleve ose ne kerkimin shkencor ne kete sfere qe eshte ne gjendje te mjeruar.

Bato, ti thua ;

nderkoh qe shqipja jone eshte nje gjuhe e evoluar, biles kaq e evoluar , sa çdo fjale e huaj, i nenshtrohet me lehtesi, lakimit dhe zgjedhimit, gje qe ne gjuhet e tjera primitive, kjo gje nuk ndodh.
Klik- klikoj, klikon
monitor- monitoroj, monitoron. etj,

LOL prej verteti?

Perdorin shprehje frazeologjike edhe nje jeten e perditshme qe vetem ne libra i degjon, se perkthimet e dublimeve jane me cilesore tani. Sigurisht kjo midis shume arsyesh te tjera

Po greko-latinizmat e pafundme,nuk përbëjnë problem?këto janë më të shumta se turqizmat të cilat kanë ardhur në rënie!