Fama si romani më i shkurtër i shkruar ndonjëhere i përket një anonimi, megjithse legjenda thotë se autori është Heminguej, të cilit me meritë i takon vërtet fama për stilin e tij të shkruarit si stili i të shkurtuarit.
For sale. Baby shoes. Never worn.
Shiten. Këpucë fëmijësh. Kurrë perdorur.
Një tjetër roman i tillë i famshëm me titull Dinozauri, analizuar nga Umberto Eko dhe quajtur prej Mario Vargas Llosa "tregimi më i shkurtër dhe më i bukur në botë“:
Kur u zgjua, dinozauri ishte ende aty.
Një tjetër me titull Emigranti:
-Ke harruar gjë?
-Makar!
Një tjetër më pak i famshëm, me titull më të gjatë se teksti Fraza për lashtësinë e mikrobeve:
Adami
I kishte
(anonim)
Romani më i shkurtër horror me titull Kush është?:
Njeriu i fundit mbi tokë rrinte ulur në një dhomë. Dikush trokiti në portë.
Romani fantashkencor më i shkurtër me titull siseneG (jo më kot fjala Genesis [Zanafilla] është shkruar përsëmbrapi):
Dhe Zoti tha: ELIMINO linjat nga NJE deri në ALEPH. NGARKO. EKZEKUTO. Dhe universi pushoi së qeni. Pasi mendoi për disa eone, psherëtiu, dhe shtoi: FSHIJ. Nuk ka qenë kurrë.
Romani policor më i shkurtër:
Dedektivi pa në fytyrë vrasësin, dhe tha para pasqyrës:
-Ke qenë ti!
(anonim)
Romani absurd më i shkurtër n’botë me titull Nevoja e madhe:
Ishte ai një ditë atje, kur i erdhi për të dhi. Me ngut u ul galiç mbas një shkurre ndanë rrugës. Kur u ngrit, akoma me breke në dorë, ndjeu një erë të qelbur. Tha me neveri:
-Kush e boni kte?!
(i Modhi )
Frymëzuar nga romani historik me 6 fjalë i Heminguejit - sipas legjendës shkruar për bast në një kafene - gazetari shkrimtar Larry Smith ka krijuar sitin Smithmag.net si vendbanimi i të gjithë llojeve të shkrimeve. Shpejt fjala mori dhenë, dhe deri tash në këtë sit ndodhen rreth 15.000 romane me 6 fjalë, të dërguar nga autorë të njohur dhe të panjohur. Në mes tyre gjen perla, si psh:
Gjeta dashurinë e vërtetë, u martova me një tjetër.
(Bjorn Stromberg)