Historiania Wendy Doniger nga Universiteti i Chicago-s sapo ka nxjerrë një libër me titullin “Unaza e së vërtetës” i cili eksploron marrëdhënien mijëravjeçare të njerëzve me unazat dhe bizhutë. Ajo që libri i saj sjell në vëmendje është fakti se që nga lashtësia unazat mbartin mite shumë të fuqishme mbi burrat dhe gratë, lidhjet romantike, seksin madje edhe tradhëtinë.
Ka një traditë folklorike nordike që lidh unazën me pushtetin absolut mbi botën (si tek Kryezoti i Unazave), por Doniger, nuk merret me këtë por memarrëdhënien shumëplanëshe midis grave, burrave dhe unazave. Libri është i mbushur me fakte dhe histori shumë interesante mbi kuptimin e unazave dje dhe sot.
Unazat e para ishin unike dhe shërbenin për të provuar identitetin. Unaza të rrinte fiks në gisht vetëm ty dhe në këtë mënyrë mund të faktoje se ti ishe ti. Ndaj kur i jepje një unazë një gruaje, do të thoshte se i jepje asaj veten tënde. Ishte simbol i përkushtimit. Gjithashtu, vetëm gratë mbanin unaza që simbolizonin një marrëdhënie. Sepse gratë konsideroheshin si “të burrit”, dhe unaza tregonte se e cilit burrë i përkiste. Burrat kanë nisur të mbajë unaza martesore shumë më vonë, dikur midis shekullit të 18 dhe 19, fillimisht në Angli. Në shumë vende të botës meshkujt ende as sot nuk mbajnë unaza fejese. Vetem martese.
Në të shkuarën unaza ishte prona e vetme që i lejohej një gruaje, ndaj vlera e saj kishte rëndesi. Kur një grua ndahej nga burri, duhet të largohej pa marrë asgjë nga shtëpia bashkëshortore, përveç unazës së saj të martesës. Unaza, thotë Wendy Doniger, ishte siguracioni i saj në rast ndarjeje.
Unaza ka një simbolizëm të qartë seksual i cili shprehet përmes futjes së gishtit në unazë ndaj dhe përdorimi i unazës për të shprehur lidhje seksuale midis një burri dhe një gruaja lind më së pari nga këto figuracione. Unë të jap veten time ty, dhe ti tani je e imja, dhe më lejohet të [kaloj gishtin përmes unazës] me ty.
Ky mit, që unaza ka lidhje me seksualitetin është ende shumë i fuqishëm edhe në shoqëritë e sotme kudo në botë, edhe pse nuk përmendet në mënyrë kaq të drejtpërdrejtë, nëse një grua mban një unazë të shtrenjtë, aq më tepër me diamant, të gjithë supozojnë se ia ka dhuruar i fejuari apo bashkëshorti, ose i dashuri. Në çdo rast, ia ka dhënë një burrë me të cilin ajo ka bërë, apo bën, dashuri.
Unaza mund të jetë dhuratë nga një gjyshe, pse jo, mund ta ketë blerë vetë për qejf, por kulturalisht, jemi të shtyrë të shohim të tjera simbole tek ky rreth metalik. Shohim seks. Imagjinoni një grua të martuar që hyn në zyrë me një unazë të re diamantesh dhe thotë se e ka marrë dhuratë nga një burrë, por jo nga i shoqi. Shumica prej nesh do mendonim se ajo është përfshirë në një aferë me dhuruesin e unazës. Unaza e ka pushtetin të na bëjë të besojmë diçka.
Gazetarja amerikane Nora Ephron tregonte sesi një ditë ndërsa ishte tek argjendari për të riparuar një unazë, ai e pyet. - Ju pëlqeu byzylyku?, reagimi i saj ishte - Byzylyku? Cili byzylyk? Argjendari e kuptoi se kishte bërë një gafë të rëndë dhe u mundua ta fshehë faktin por më kot. Nuk ia hidhte dot Norës. Byzylyku, që bashkëshorti i saj kish blerë për një grua tjetër, ishte pika që derdhi kupën dhe provë për divorcin që erdhi shumë shpejt.
Në ditët e sotme unazat dhe bizhutë nuk simbolizojnë vetëm përkushtim midis një çifti, siç bëjnë unazat e martesës, por edhe bukurinë dhe joshjen që ka një grua. Bizhutë simbolizojnë bukurinë dhe tërheqjen që ajo zotëron dhe ushtron mbi të tjerët. Elizabeth Taylor, për shembull, mbante shumë bizhu bashkë me statusin “gruaja më e bukur në botë”.
Doniger bën një ndarje midis unazave të tipit Doris Day (skenari i virgjëreshës/më jep unazën pastaj unë të jap veten dhe besnikërinë martesore) dhe unazat e tipit Marilyn Monoroe (skenari golddigger/më jep unaza e diamante para gjatë dhe pas martesës). Këto dy paradigma shpjegon Doniger kanë trajtektore të ndryshme historike, njëra vjen përmes martesës sipas fesë, ndërsa tjetra si një strategji mbijetese e grave, jashtë kufizimeve të fesë. Në fillim të shekullit të 20 në ShBA kishte edhe ligje që i detyronin vajzat të kthenin unazat e shtrenjta nëse fejesa nuk finalizohej.
Njëra nga gjërat më të çuditshme që mësova ishte se sot argjendarët komericialë në perëndim shesin edhe “Unaza ndjese” që një burrë ia blen gruas së tij pasi kjo e ka kapur me një grua tjetër. Një formë pagese, natyrisht. Unazat simbolizon gjëra të ndryshme për njerëz të ndryshëm, sot jo të gjithë njerëzit e martuar mbajnë unaza martesore, ca të tjerë po përdorin tatuazhet si simbole të jetës në çift. Por në çdo rast, magjia e vërtetë apo metaforike që unazat mbartin mbi njerëzit do të mbesë aty, siç mbetet në gisht një unazë e mbajtur gjatë.
Blendi Salaj
Peshkupaujë.com
Riprodhimi i plote apo i pjesshem pa lejen e shkruar te autorit eshte i ndaluar.