Veprat e pavdekshme kanë vdekur. Nga indiferenca

shkrim nga Marcello Veneziani

Keni pyetur veten përse sot është e pamundur të lindet një kryevepër e të bëhet një klasik? E pyeta veten pasi lexova një libërth të vogël dhe të çmuar, Krimi i të shkruarit të J. Rodolfo Wilcock, botuar këto ditë nga Adelphi (88 faqe, 6 euro).

Sa herë që më ndodh të flas për një autor të madh të së kaluarës - poet, artist, shkrimtar apo filozof - gjithnjë do të bëhet gjallë ndonjë që pyet: a mund të lindet sot një Leopard i ri, një Niçe i ri? Dhe unë gjithnjë përgjigjem jo, nuk mund të lindë. Por, më duhet të shtoj: nëse ekziston, kalon pa u vënë re. Dhe jo sepse mëma e gjenive është bërë shterpë, sepse njerëzimi është i varfëruar ose kryevepra është kimikisht e pamundur në kohën tonë, ose që prej një farë kohe e më pas. Por për një sërë arsyesh që gërshetohen me njëra-tjetrën. Para së gjithash sepse nuk kemi më një të kaluar për të adhuruar dhe një të ardhme për të pritur, e pra një traditë në të cilën të zgjedhim kalimtaren dhe të shpëtojmë çfarë mbetet. Lufta civile midis të kaluarës dhe së ardhmes përfundoi me humbjen e të dyjave dhe fitoren e pamohueshme të së tashmes. Kulti i të sotmes mohon kryeveprën, e cila ka nevojë për shikime largpamëse përtej murit të kohës; e tashmja nuk ja dorëzon Veprën historisë e aq më tepër pasardhësve, nuk zgjedh klasikët; konsumon në çast qënien sapo shfaqet, derisa e heq sysh. Pa përmasën e historisë dhe projektimit në të ardhmen, nuk është e mundur të lindet vepra madhore. Por e sotmja nuk i sakrifikohet të nesërmes dhe as jeta veprës, sepse jeta dhe e tashmja janë absolutja. Kush kujdeset për frytet përtej rrezes së jetës së vet të tanishme, nëse gjithçka përfundon këtu dhe tani? Pra, vepra e madhe është e frustruar.

Pastaj, një kryevepër ose një gjeni nuk mund të dalin në pah, sepse ne kemi humbur kuptimin vertikal të madhështisë dhe konsiderojmë vetëm drejtimin horizontal të famës që zgjerohet pa u lartësuar, globalizohet pa u përjetsuar. Është famë pa lavdi, është nam pa karizmë, hyjnizim pa shkëndijën hyjnore. Kësaj i shtohet bindja se nuk ka madhështi objektive dhe trashendente, por gjithçka është e mjerueshme, bishtpërdredhëse, e diskutueshme dhe në fund të fundit subjektive dhe relative. Pra, klasikja apo kryevepra, e cila është vepra absolute, matematikisht nuk mund të dale në pah në një epokë në të cilën demokracia ndoshta nuk aplikohet për të drejtat dhe as për pasjet, por i hungëron cilësive dhe epërsive. Gjeniu mbytet në delirin narcisist dhe egocentrizmin e masës, në zilinë barazimtare, në të drejtën e barabartë të njohjes së qenies gjeni dhe në komplotin e mediokritetit të organizuar. Në mediokracinë universale, në barazinë metafizike të shpirtërave ose mungesën së tyre, gjeniu është një anomali arkaike, frut i padrejtë e pabarazisë dhe mbresë shformuese e pabarazisë. Gjeniu është i paragjykuar dhe i mohuar. Funksioni i kritikut dhe shërbimi i tij publik është të kapllojë gjeniun dhe kryeveprën në varrin masiv të mediokritetit: është e kotë t’i shmangesh fatalitetit, as ti nuk mund të dalësh në pah dhe të mbetesh për jetë …

Në epokën e riprodhueshmërisë së veprës, kryevepra do të tregonte më pas kolapsin e makinës dhe mohimin e teknikës, ajo do të shkaktonte qarkun shkurtër të prodhimit në seri duke i dhënë parësi të pariprodhueshmes. Kryevepra është e pazakontë, jashtë prodhimit; është difektoze, e sëmurë, stërmadhe përkundrejt standardit. Prandaj duhet të përjashtohet nga cikli, apo riformatuar për ta bërë atë të pajtueshme dhe të lexueshme brenda sistemit. Atëherë një gjeni nuk mund të lindë, sepse ne kemi humbur aftësinë për të dhënë fruta prej dhimbjes dhe sakrificës, ose në të kundërtën, për të sublimuar kënaqësinë dhe dëshirën. Sot është më e lehtë për të përmbushur dëshirat tona dhe riparuar të metat tona, ushqyer orekset tanë, ndryshuar kufijtë ose anestetizuar dhimbjet tona. Na mungojnë pra dëshpërimet virtuoze dhe mangësitë premtuese, mbi të cilat mbështetet vepra e madhe, gërshetimi i lodhshëm i vuajtjeve të pësuara dhe kënaqësirë të mohuara mbi të cilat rritet ëndrra e një jetë tjetër, që më pas riderdhet në kryevepër. Njësoj si dashuria platonike, edhe arti është e bija e Poros dhe Penias, lindet nga çekuilibri midis pasurisë mendore dhe varfërisë së botës.

Së fundi, në qoftë se sot do të lindej një gjeni ose do të dilte në dritë një kryevepër, as që do të vihej re. Në rastin më të mirë do të konsiderohej si një fryt sezonal për t’u kapërdirë, dhe pastaj harruar në koleksionin e pandërprerë të modës. Në rastin më të mundëshëm do të kalonte pa u vënë re, apo do të shkurajohej që në nisje, nuk do të gjente mirseardhje dhe habitat të favorshëm, as vëmëndje dhe as vlersim. Për të shpëtuar nga autizmi dhe vetmia, gjeniu me kryeveprën e tij mandje do të kërkojë të fshehë vulën e qenies ndryshe, do të kurojë gjeninë sikur të ishte sëmundje për tu pranuar nga koha e tij dhe nga i afërmi. Do të vuante epërsinë e tij si dobësi, si shformim i pafalshëm dhe do të nxitej që ta hiqte qafe për t’u përshtatur dhe për t’u integruar. Për tarafet letrare dhe ideologjike, epërsia është havale dhe prandaj e dënuar me mosqenie. Deri edhe çmimet letrare, në kundërshtim me arsyen e tyre jetike, nuk janë të bazuara në kërkimin dhe njohjen e meritës dhe të epërsisë, por përkundrazi, mbi homogjenitetin e peizazhit dhe funksionalitetin e pushtetit kulturor. Ata nuk e shpërblejnë cilësinë e një vepre dhe vlerën e një autori, por shpërblejnë vendosjen dhe përkatësinë e vetes tyre, situatën e tyre oportune në kohë, vend dhe mënyrë. Kush është me të vërtetë jasht loje dhe jashtë standardit për shkak të epërsisë së tij, flet një gjuhë tjetër, vuan përbuzjen, sarkazmën ose më pak heshtjen, shtirjen sikur nuk ekziston.

Gjeniu është mizantrop, ka një shoqërueshmëri të mundimëshme, nuk di të pjesmarrë në grup dhe të bëjë sekt apo lobi, sepse nuk është si të tjerët dhe tenton të izolohet. Dhe me dhimbjen shtesë për t’u gjetur i përzjerë midis shumë eksentrikëve pa pikë gjenialiteti, që, duke parë të përbuzet ose mosnjohur talenti i tyre i presupozuar, përfitojnë alibi dhe parashikim të madhështisë së paqenë. Por nëse gjenitë zakonisht janë të keqkuptuar, të frustruar dhe të shpërfillur, jo të gjithë të keqkuptuarit, të frustuarit dhe të shpërfillurit janë gjeni.

Për këto arsye të gërshetuara, sot nuk është e mundur që të lindet dhe rritet një gjeni ose një kryevepër, njohur si të tillë. As nuk mund të shpresohet në vdekjen e tij dhe përcjelljen pasardhësve, sepse vështirë që ndonjëri do të përveshë llërët për të zbuluar në të kaluarën gjurmë të fshehta të madhështisë, sepse i duhet të ngutet të jetojë që të mos humbasë plotësinë absolute të së tashmes. Gjigantizmi i kujtesës dhe arkivimi universal, paradoksalisht favorizojnë harresën kozmike dhe shkurajojnë kujtesën selektive. Kryevepra mbytet në katalogun e përgjithshëm. Kush ende ëndërron madhështinë e veprës, dhe nuk do t’ja dijë për tallje dhe fshirje nga defteri, kultivon ëndrra prej të çmenduri ose prej kalamani. Prandaj nevojitet të besohet në çmendurinë foshnjore të gjenive që mohojnë realitetin për tepër dashuri ndaj të së vërtetës.

A do të jetë kështu përgjithnjë? Nuk është e thënë. Të ardhmes nuk mund t’i mohojmë a priori risitë duke ju referuar të tashmes, apo kthesat duke ju referuar të kaluarës.

Por ndërkohë gjithçka është e lejuar, me përjashtim të madhështisë. Në kuvendin e lirë të barabartëve, gjeniu është i ndaluar, kryevepra është e ndaluar.

5 Likes

po ta kisha shkruar une kete shkrim, do t’i kisha vene per titull nje shprehje demokratike, gjasme perunjesi fetare qe fsheh nje mendjemadhsi idjote, te perdorur shpesh, sidomos ne Peshkun e Vjeter:

E kush jam unë që të … ?

Vallai, Messit nji botror i duhet qi gjeniu te boje vepren e pavdekshme :smile:

1 Like

https://static1.squarespace.com/static/58775656c534a51486a3d2df/t/595c1dd98419c2e81eebc804/1499209220276/

"Gjeniu mbytet në delirin narcisist dhe egocentrizmin e masës, në zilinë barazimtare, në të drejtën e barabartë të njohjes së qenies gjeni dhe në komplotin e mediokritetit të organizuar.

Atëherë një gjeni nuk mund të lindë, sepse ne kemi humbur aftësinë për të dhënë fruta prej dhimbjes dhe sakrificës, ose në të kundërtën, për të sublimuar kënaqësinë dhe dëshirën. "

E paska qare.

Il quarto stato, Volpedo