Viti 2017 thuajse erdhi. Në një botë me shumë konflikte dhe të panjohura që mund të shkaktojnë tragjedi të paralajmëruara, por që për fat të keq, askush nuk ka fuqinë ose vullnetin t’i parandalojë. Duke përfshirë edhe fuqitë globale, të cilat për interesa të dyshimta vazhdojnë të mbajnë ndezur disa vatra zjarresh të mëdha, ku digjen dhe vriten me mijëra jetë njerëzore. Siria është njëra nga turpet e fuqive botërore. Dhe të njerëzimit, pa dyshim.
Në përpjekje për të gjetur “Pak Shpresë për Shqipërine” në vitin 2017, duke rrëmuar mes gjithë “gjërave” që kanë në dorë fatin e saj, por kryesisht dhe vecanarisht në Klasën Politike Shqiptare, humba edhe atë pak shpresë që kisha para se të shkruaja këto rradhë, dhe ashtu, shpresëhumbur po përpiqem për të mbijetuar në sfidat dhe grackat që njerëzit “e rëndësishëm” të Shqipërisë, i kanë ngritur Atdheut, për dy arsye; Para dhe Pushtet.
Partia Socialiste, ndryshe “Rilindja” e Edi Ramës, Kryeministër i Shqipërisë, ka mbërthyer dhe shtrirë përdhe gjithë Ekonominë Kombëtare, nga Veriu në Jug, nga Lindja në Perëndim, në cdo fushë të aktivitetit jetësor, duke thithur, njësoj si vampirët, gjakun, mundin dhe djersën, jo vetëm të atyre që sot akoma janë gjallë, por edhe të brezave që vijnë. Kontratat me 3 P (Partneritet Publik Privat), për 5, 10, 15 dhe 20 vjet që janë dhënë dhe që vazhdojnë të jepen në Shendetësi, Transportin Rrugor, Sistemin Doganor dhe Fiskal, sigurojnë mirëfilli një rrjedhje paraje konstante për “Rilindjen” e Kryeministrit Edi Rama, i cili ka marrë përsipër të ushqejë me para publike të qytetarëve shqiptar edhe per 10 deri 20 vitet që vijnë, vetëm llojin e tij, të përzgjedhur me kujdes nga Krahu Rilindas. Sepse e ardhmja e Rilindjes kërkon siguri për dekadat që vijnë.
Edi Rama, ose ndryshe i përzgjedhuri si trazhgimtari i “Bijëve të Partisë”, ka vetëm një mision: Për të rilindur dhe ringjallur, tashmë në mënyrë të pakthyeshme “Fëmijët e Bllokut”, duke i bërë ata milioner, të pathyeshëm, të pakapshëm, me para që rrjedhin jo vetëm tani, por edhe nga e ardhmja jonë dhe e fëmijve tanë. Në formën e 3 P-ve, të blinduara me Kontrata Ligjore që nuk zhbëhen nga asnjë Ligj Kombëtar ose Ndërkombëtar.
Ndërkohë, Partia Socialiste është ndërkallur e tëra në Rilindje, duke dhënë një amalgamë të gjerë përfaqësimi të tre grupeve të interesit:
- Ish bijtë e Bllokut të Partisë së Punës,
- Oligarkët e Rinjë, të pasuruar në Vitet e Tranzicionit,
- Oligarkët e Krimit të Organizuar,
Për Rilindjen e Tij nuk ka idelologji sociale, nuk ka politikë, nuk ka programe, por ka vetëm “Ne, Rilindja!”, që gjithmonë ka të drejtë: për gjithcka ka bërë dhe nuk ka bërë, se ajo është në të drejtën e saj për të vjedhur Shqipërinë, për ta mbjellur me drogë nga Veriu në Jug dhe nga Lindja në Perëndim, ka të drejtë edhe kur Shqipërinë e braktisin mbi 200.000 qytetarë në tre vjet Qeveri Rilindase, ka të drejtë edhe për Kriminelët e saj në Parlament, ka të drejtë në të gjitha rastet, për gjithcka ajo mendon, vepron, punon; dhe sigurisht, egzaktësisht për arsye se AI ka gjithmonë të drejtë, Edi Rama duhet të jetë përsëri, edhe pas zgjedhjeve të 18 Qershorit 2017, Kryeministri i Shqipërisë. Pa fjalë, kjo është një arsye e fortë dhe madhore që shqiptarët duhet ta votojnë Edi Ramën në vitin 2017!
Kapitulli II
Unë vazhdoj të rrëmoj në gjërat e Kastës që Drejton Punët e Shqipërisë. Kapitulli i Dytë është LSI, alias Ilir Meta. LSI ngjanë me dicka tjetër. është më kapilare, e strukturuar, më e drejtëpërdrejtë, nga Qendra në Bazë, e ndërtuar si një Grup Ekonomik, ku të gjithë anëtarët janë edhe aksionerë të saj. Këtu nuk ka asnjë ideologji, majtas as djathtas, lartë apo poshtë, por ka vetem një lidhje të thjeshtë që e përshkron këtë parti, unike në llojin e saj: PARAJA. Ajo (paraja) nuk ka rëndësi se nga vjen, nga vjedhjet, krimet apo mashtrimet, nga jashtë vendit apo nga aktorë global me interesa të dyshimta, nga trafiku ndërkontinental i drogave apo nga jashtëtokësorët. Thjesht; Paraja nuk ka ngjyrë, për PARA DHE PUSHTET bëhet gjithcka. 200.000 njerëz pragmatistë, që bëjnë kompromis me dhe për nevojat e përditëshme njerëzore është normale që t’i ketë edhe shoqëria shqiptare. Ata shkëmbejnë gjithcka; favoret, vendet e punës, apartamentet, zyrat, flamurin partiak, firmat, institucionet, blloqet, votat, me cmime të përcaktuara mirë në Tregun e Madh të Pushtetit dhe Parasë. Dhe ata janë aty, në Pushtet së bashku me Rilindjen dhe Edi Ramën Kryeministër i Shqipërisë, duke ndarë pushtet dhe para, vetëm për njerëzit e tyre dhe interesat e tyre, që me siguri nuk janë interesat e shumicës së shqiptarve. Ndërsa Keryetari i LSI dhe i Parlamentit Shqiptar Ilir Meta, vazhdon të shpërndajë mesazhe të kriptuara me eufemizma të tilla si “Integrimi i Shqipërisë, paqja dhe prosperiteti” pa harruar të shtojë gjithmonë atë thënien madhështore “Me qetësi dhe dashuri”.
Kapitulli III
Në Shqipëri ka opozitë, zyrtarisht. Partia Demokratike përpiqet, rreket të flasë, të denoncojë, të bëj aq sa mundet për të bërë, në mbrojtje të pjesës tjetër, të shumicës që nuk ka zë, që nuk ka mjete, që paguan taksa, që burgoset për mospagim të energjisë elektrike, që ka braktisur Shqipërinë në kërkim të azilit, që punon për 20.000 lekë të vjetra në parcelat më hashash të bosëve Rilindas. Por Partia Demokratike përpiqet dhe është e kushtëzuar të mbrojë edhe pjesën “e pasur” të saj, krysisht ish biznesmen dhe ish zyrtar të Partisë Demokratike, që për hirë të se vertetës janë paksuar në numër gjatë Qeverisë së Rilindjes, sepse kanë ndërruar Ngjyrën, Seksin dhe Flamurin.
Lulzim Basha, për fat të keq, akoma nuk ngjallë shpresë. është tepër elegant dhe i butë. Nuk është i bindur akoma se ai mund dhe duhet të drejtojë frymën opozitare, se ai duhet të behet Lideri i Njerëzve në Nevojë, dhe besoj se shumica e shqiptarve janë Njerëz në Nevojë. Ai nuk ka ofruar akoma asgjë konkrete se si mund të ndërtohet Shteti i së Drejtës, që merr përgjegjësi për shtetasit e vet, së pari duke u siguruar të Drejtën për Ushqim.
Lulzim Basha mund dhe duhet të mobilizojë rreth 400 mijë shqiptarët në mjerim të plotë, duke nënshkruar një Kontratë Ligjore, se Qeveria e Partisë Demokratike do të sigurojë për secilin të mjerë te Shqipërisë, për cdo burrë, grua dhe fëmijë ushqimin e përditshëm, bukën e përditëshme. Me para të thata nga Buxheti i Shtetit. Bukë për 400 mijë shqiptarë të uritur. Bukë e garantuar. Nga shteti, nga Kushtetuta e Shqipërisë, për qytetarët e saj. Atëherë, unë besoj, unë shpresoj, unë jam i bindur se nuk do të ketë shitje vote nga ushtria e të pashpresëve të mjerë shqiptar për Rilindjen dhe simotrën e saj LSI.