Zbulo fëmijën tënd

“Arti është gënjeshtra që na lejon të kuptojmë të vërtetën”, kjo është një shprehje e piktorit të njohur Pablo Picasso. Në gjithë ekzistencën e historisë së artit dhe jetës njerëzore në shekuj, vizatimi ka qenë dhe është fillimi i shprehjes pasqyruese të figurës së njeriut, peisazhit, kostumeve, traditave e atmosferës përreth tij; është gramatika për artistin, që i përgatit shpirtin për një art më pranë jetës, më dinamik dhe më realist. Vizatimi është unik dhe na jep informacione të çmuara rreth krijuesit të tij.

Është një formë shprehjeje e si i tillë vlen si një mjet i mirëfilltë komunikimi. Pavarësisht se është shumë spontan dhe argëtues ai jep një kontribut të madh për të kuptuar personalitetin e fëmijës. Është lojë dhe art, por duke vizatuar fëmija njëkohësisht shpreh atë që e shqetëson. Jo të pakta kanë qenë rastet kur psikologët kanë mundur të zbulojnë raste të dhunës që është ushtruar ndaj fëmijëve apo edhe raste të piktorëve shumë të njohur edhe të talentuar që kanë mundur të mposhtin frikërat nëpërmjet vizatimit e pikturës.

Që në fazat e para të jetës fëmijët janë në eksplorim, janë të etur për të mësuar gjithçka dhe gjithnjë janë në kërkim të gjërave të reja. Të kuptosh botën e një fëmije është shumë e bukur por edhe shumë komplekse në të njëjtën kohë. Vizatimi ka qenë dhe vazhdon të jetë në fokusin e psikologjisë për të kuptuar personalitetin e fëmijëve. Çdo gjë që fëmijët shohin dhe ndjejnë e shprehin nëpërmjet vizatimit.

“Zbulo fëmijën tënd” është libri i parë i psikologes së re dhe pedagoges në Albanian University, Lorela Garuli. “Ky libër u shërben prindërve, profesionistëve të cilët punojnë me fëmijë dhe studentëve të shkencave sociale dhe ka në thelb shpjegimin e vizatimeve të fëmijëve. Është një libër i cili përdoret në shumë kontekste siç është konteksti shkollor. Por me fëmijët që janë të vegjël mund të përdoret në kontekste ligjore, në gjykata për të bërë rastet e vlerësimeve dhe kujdestarive, por sigurisht mund të përdoret edhe në kontekste klinike terapeutike apo edhe në familjare”, rrëfen Lorela.

Energjike dhe mbushur me energji pozitive Lorela e cila ka mbaruar studimet universitare dhe pasuniversitare në Shqipëri dhe jashtë vendit, më tregon se ka punuar më shumë se një vit me literaturë nga më bashkëkohoret, të mara nga tekste të ndryshme shkencore të huaja për të nxjerr në dritë librin apo “fëmijën” e saj të parë. Ajo ka punuar me fëmijët me nevoja të veçanta, pasi ka ndjekur një kurs të posaçëm jashtë Shqipërisë lidhur me këtë, dhe aty i lindi edhe idea për botimin e këtij libri.

“Faktikisht të gjithë që punojnë me fëmijët, edhe prindërit, e dinë sesa e vështirë është të merresh vesh me fëmijët në mënyrë verbale. Duke qenë se fëmijët janë të vegjël dhe zhvillimi i tyre gjuhësor dhe intelektualo- konjiktiv nuk është aq i strukturuar sa ç’është i të rriturve, ne mund ti themi me fjalë mendimet e dëshirat, ne gjejmë mënyra alternative të të kuptuarit të tyre dhe të punuarit me fëmijët siç është vizatimi. Për fëmijët vizatimi është një gjuhë komunikimi nga të cilat si profesionistët apo edhe prindërit mund të kuptojnë etapa të ndryshme”, thotë Lorela.

Vizatimet e fëmijëve janë një gjuhë grafike që mund të na shërbejë për të kuptuar shumë më mirë fëmijët tanë, personalitetin dhe dëshirat e tyre. “Kryesisht është vizatimi i pemës i cili shpjegon personalitetin e fëmijës, është vizatimi i shtëpisë dhe i familjes që tregon dinamikat familjare të anëtarëve njëri me tjetrin . Është vizatimi i njeriut nën shi që konsiderohet si vizatimi i cili tregon ato mekanizmat mbrojtëse të fëmijës dhe gjithashtu është edhe vizatimi i kafshëve” rrefen ajo për llojet e vizatimeve që mund të realizojë një fëmijë.

Fëmijët fillojnë të zhgarravisin në moshën dy a tre vjeç. Edhe pse nga leximet e mia gjenden raste të fëmijëve gjeni në pikturë (në Shqipëri dhe jashtë saj) që më pas janë bërë piktorë të mëdhenj, që kanë vizatuar ambjentet përreth në mënyrë brilante. Sa më shumë që fëmijët rriten aq më shumë vizatimet e tyre marrin kuptim pasi ata materializojnë mendimet e tyre në vizatim.

“ Vizatimet kryesore që fëmijët bëjnë, dhe ne mund të kuptojmë psikologjinë e tyre, kryesisht mund të jenë që nga mosha 5 vjeçare. Nënat mund të kuptojnë që kur fëmijët vizatojnë pemën me gjethe, me fruta janë më ekstravers. Kur e vizatojnë me gjethe që bien tregon një lloj boshllëku apo mungese afeksioni etj. Pra jo të gjithë fëmijët vizatojnë në të njëjtën mënyrë apo njësoj. Përshembull ka elemente kulturore që ndërhyjnë , ka elemente të zhvillimit të tyre konjiktiv, emocional, të situatës e të kontekstit . Një fëmijë që mund të ketë talent, i cili mund të vijë nga një familje artistësh sigurisht që do të di të kujdeset më shumë për detajet, ngjyrat në vizatimin e tij. Vizatimi shërben si një indikator i personalitetit të fëmijës. Pra sigurisht vizatimi nuk është njësoj dhe shërben si një portë hyrëse për ti kuptuar fëmijët më mirë. Nuk duhet ta gjykojmë nga ana estetike por nga ajo që fëmija vizaton” shpjegon Lorela.

Pra në këtë libër ne mund të gjejmë manualin e duhur për të kuptuar nëse fëmija është i mërzitur, është i lumtur, është xheloz për ardhjen në jetë të një motre apo vëllai, është i lidhur me një person të familjes më shumë apo më pak, nëse dikush e ka mërzitur, nëse dikush ka ushtruar dhunë ndaj tij etj. Gjithashtu nëpërmjet vizatimit mund të kuptojmë nëse një fëmijë është me aftësi të veçanta.

“Vizatimet e fëmijëve me aftësi të veçanta bien menjëherë në sy, sepse ata mund të bëjnë shpesh herë të njëjtin vizatim, të përdorin të njejtën ngjyrë ose të përdorin ngjyra shumë të errëta. Kur janë shumë të vegjël zhgarravinat i bëjnë aq shumë dhe aq fortë deri sa të grisin letrën domethënë çdo gjë është pak e tepruar ose thjesht kanë një detaj, si një njeri me shumë sy, ose ngjyra të papërshtatshme. Sigurisht nuk mund të vendosim diagnoza nëpërmjet vizatimit, as profesionistët të cilët punojnë dhe i përdorin vizatimet si pika reference në punën e tyre. Nëse bëhen të shpeshta mund të jetë një sinjal alarmi ose mund të jetë një gjë për të kuptuar talentin, jo vetëm pjesën negative. Sigurisht një fëmijë që ka botë shumë të madhe dhe bën vizatime abstrakte ka shumë botë për të shprehur nëpërmejt vizatimit” tregon psikologia.

Kur një fëmijë vizaton, ndihet i lirë për t’u shprehur dhe gjithashtu për të dhënë mesazhe pozitive ose negative apo për të komunikuar gjëra të rëndësishme. Megjithatë, nuk duhen nxjerrë përfundime të parakohshme. Fëmija nuk kërkon domosdoshmërisht një kompliment për vizatimin e tij, por ai mund të flasë për vizatimin e tij. Atëhere, bëji pyetje se çfarë përfaqëson ky apo ai detaj. Tregohuni të vemendshme për të kuptuar botën e fëmijës suaj. Librin “Zbulo fëmijën tënd” të psikologes Lorela Garuli mund ta gjeni tek Libri Universitar ose në Ufo Press tek rruga e Durrësit.

Jerida Sakaj per Peshkupauje

1 Like

Pak me respekt per veten, shkruaje siç duhet mbiemrin.

1 Like

Faleminderit Vlonjat :grinning: Mendoj se e rendesishme eshte te respektojme mendimin e tjetrit dhe jo nje gabim ne nxitim e siper.

1 Like

Edhe une respektoj shume mendimin e tjetrit, ja psh nje shembull respekti ne nxitim e siper: un respektoj mendimin e Hitlerit (ose te Kurreshtarit) edhe kur bente ndonje gabim ne nxitim e siper.

autorja duket si femije per vete. bravo per guximin.