Zjarret përfshijnë Portugalinë

Portugalia ka deklaruar 3 ditë zie për 61 viktimat e zjarrit në rajonin pyjor të Pedrogao Grande.

Qindra zjarrëfikës, mbi 400 mjete dhe dhjetëra avionë po punojnë në disa fronte për të ndaluar flakët në zonën e Pedrogao Grande, rreth 200km në veri-lindje të kryeqytetit Lisbonë, në atë që kryeministri i vendit e cilësoi si tragjedinë më të madhe që vendi ka parë vitet e fundit. Shumë persona kanë humbur jetën si pasojë e tymit dhe asfiksimit, teksa shumë të tjerë janë gjetur të karbonizuar brenda makinave. Autoritetet shprehen se ekziston frika se numri i viktimave mund të rritet në orët në vazhdim.

Zjarri ka nisur mbrëmjen e së shtunës gjatë një vale të madhe të nxhehti dhe vetëtimash të pashoqëruara me shi, ndërsa temperaturat shënonin më shumë se 40 gradë celsius. Policia thotë se goditja e një peme nga një vetëtimë mund të ketë qenë shkaku për nisjen e zjarrit. Me tragjedinë e Portugalisë janë bashkuar edhe vendet fqinje, ku Spanja dhe Franca, po ashtu edhe Bashkimi Europian kanë ofruar avionë për të fikur flakët në pyje. Edhe Papa Françesku, që vizitoi Portugalinë muajin e shkuar, i përmendi viktimat në fjalimin e tij javor: “Shpreh afërsinë time për popullin e dashur të Portugalisë pas zjarrit shkatërrues.”

BBC - http://www.bbc.com/news/world-europe-40320411