Cilën vetmi? pjesa e katërt (vetmia social-revizioniste dhe social-imperialiste)

territory-1957(1).jpg!Large
Territory, Rene Magritte

Arti i shekullit të XX, në përgjithsi dhe kryesisht, dëshmon aq shumë vetminë - plus konsideruar që arti është dëshmia më e vërtetë për qënien -, sa shek. i XX mund të quhet fare mirë shekull i vetmisë. Duke reduktuar artin në vetëm letërsinë, mund të thuhet letërsia e madhe ruse dhe po aq njësoj e madhe letërsia amerikane, e kanë dëshmuar vetminë moderne si vetmi kozmike. Meritë kjo e stepave ruse dhe praterive amerikane me shtrirje aq të pafundme sa natyrshëm ngjallin një ndjenjë vetmie kozmike. Zakonisht konsiderohet se ky lloj perceptimi i takon majës së malit, në fakt më tepër ngjall ndjenjën e vetmisë kozmike rrafshina që hapet anë e kënd në pafundësi të horizontit. Hidhet një vështrim në prateri ose stepë, dhe e ndjen plotësisht je i vetmi objekt fizik, dhe qielli si subjekt metafizik mbi krye. Në Rusi dhe Amerikë metafizika (ose mistika) është e detyrueshme, e ke si bukë e djathë me të përditshmen banale si konstante pa variacion, për pasojë edhe letërsia e madhe (dhe çdo produkt kulturor tjetër) është e detyruar të jetë metafizike edhe kur përshkruan banalen. Pop Arti si rasti më flagrant.

Për të kuptuar këtë ide - dhe rrjedhojën e saj: sa ngushtë të rri Evropa -, sjell një shëmbull të lexuar në një libër ose ditar që nuk e mbaj mënd se i cilit autor është, por mund të ketë qenë edhe film, nuk jam i sigurtë; ose kush e di, mund të jetë skenar filmi origjinal i imi. Një ushtar italian, pjestar i njësive në mbështetje të ushtrisë gjermane në fushatën e Rusise përgjatë Luftës së dytë Botërore, ra rob i rusëve, të cilët e futën në një kamp robërish lufte në Siberi. Mbas përfundimit të luftës e liruan, dhe, me shokë shumë, përshkroi gjithë Rusinë me një tren special në udhëtim të pandërprerë natë e ditë, pa u ndalur gjëkundi, përveçse për furnizim energjie. Në ditët e para qëndronte tërë ditën e lume duke kullotur sytë në hapsirën e stepave me këmbët varur në derën e një vagoni mallrash. Krejt e kuptueshme, shyqyr që u çlirua nga zinxhiri, për vite me radhë mbas telave me gjëmba, vuante natyrshëm nga klaustrofobia. Por mbas një jave monotonie të stepës, e njëjta vijë horizonti hequr si me vizore, po i njëjti peisazh lodhës, për mijra e mijra kilometra e njëjta mjekër muzhiku, e njëjta izbë, e njëjta lopë, e njëjta siluetë kishe ortodokse prej druri, pa asnjë ndryshim, gjithçka më monotone se ritmi monoton dang-dung dan-dung i rrotave të trenit. Heroi ynë në fillim u bezdis, pastaj u mërzit, dhe së fundi gati u çmend fare - vetëm se tani prej agorafobisë, nga shiu në breshër -, prandaj u struk në skutën më të errët të vagonit, dmth u fut me këmbët e veta përsëri në burg, aty ndjehej më rehat. Intelektuali i modh evropian nuk mund të kuptonte dot, e nuk mund të pranonte dot, se si ishte e mundur që një peisazh të mbetej i njëjtë për mijra kilometra, ndërkonë që në vendlindje, mjafton të çvendosej në katundin afër dhe ndryshonte pothuaj gjithçka.
Eshtë saktë e njëjta monotoni vetmitare e praterisë amerikane, tani përcjellur katundit amerikan me sherif, prift dhe kafene; e ke parë njërin katund amerikon, i ke parë të gjithë.

Sa më sipër shpjegon dëshirën dhe praktikën amerikane dhe sovjetike për të eksploruar hapsirat ndërplanetare dhe kozmosin. Gjithashtu shpjegon në një kuptim më të gjërë përse njeriu ndjehet i huaj në shtëpi të tij dhe kërkon të bëjë emigrantin kozmik.


image119
Isaac Ilyich Levitan


OglalaNationalGrassland_02jpg1488324443


pjesën e mëparshme e gjeni këtu

1 Like