Nusepashke fluturo,
se të erdhi burri,
burri nga fshati,
nusja nga Berati.
(refren i hershëm fëmijnie)
Endërroj që pikturoj, e më pas pikturoj ëndrrën time - Van Gog
-----------------------------------------------------------------------------------------------
-Sa nervoz që je sot!
-Nga e kupton ti që jam nervoz sot!? - thashë turivarë.
-Qoftë nga kjo lloj përgjigje.
-E nga çfar tjetër?
-S’ka nevojë për tjetër.
-Nuk është ndryshe përgjigja jote.
-S’ka si të jetë ndryshe përgjigja ime si refleks i përgjigjes tënde.
-E si të mos jesh nervoz, makina e re, gjith ato pare dhe nuk i gjendet karari kondicionerit, ose xhami vishet me avull, ose hyn brënda në kabinë tymi i skapamentos së makinës që ke përpara. Makina e vjetër nuk bënte kësi numra, e kish zgjidh ndryshe problemin. Tani thith tym, thith se të bën mirë, gjaku mbush tumllas me hidrokarbure. 18.000 euro helm!
-Ndoshta s’di ti me i lujt tamom mrrokllat e ventilatorit dhe kondicionerit. Edhe tani nuk po di se çfar je tu bo duke shtyp rraka-zhdraka butonat. Ka një logjikë kur çvendosen pozicionet e mrokllave që lidhen me njëra tjetrën. Nuk bëhen punët me tentativa histerike kot me kot si bën ti, xhirò tafti-bafti mrokllën nga poshtë lart në tavan me shpresë se del gjë rastësisht.
-Si rastësisht, pse rastësisht? Pse në taracë?
-Kush tha në taracë? Thash në tavan, në taracë po thu ti!
-E ç’u pa në taracë apo tavan? E njëjta gjë është, soleta e betonit parë nga poshtë quhet tavan, e parë nga sipër quhet taracë.
-Hë jepi tani profesor, çliroju nga nervozizmi me metafizikën e betonit sipas Niçes: nuk ekziston betoni, por ekziston interpretimi i betonit sipër taracës dhe poshtë tavanit!
-Ahahaha, tani vërtet u çlirova. Kaq ishte, tani pothuajse me kaloi. Më fal, ndjesë se ashtu osht i punë! Pastaj ti e di, të kam thënë që po kaloj fazën më të vështirë të jetës sime. Pa krahasim me të tjera halle më parë, kurrë i parë një sulm i tillë; janë tamam një bandë kriminelash xhentile të veshur me sqimë firmato - buzëqesha më në fund i cfilitur.
-E di, e di, por di edhe që Niçja ka thënë se është ndryshe të dish për tjetrin nga poshtë tavanit, dhe ndryshe ta provosh vetë mbi lëkurë sipër taracës - nxorri gjuhën si çapkëne.
-Shiko të them pse më kaloi. Sei veramente brava, me taracën që u bëre shkak të futet në muhabet fare rastësisht - në fakt do të shoç se rastësisht i thënçin - më kujtove ëndrrën që pashë dje natën. Eshtë një ëndërr standard që e shoh herë pas here kur jam në hall të madh dhe më duhet detyrimisht të bëj zgjedhje radikale për jetë a vdekje. Eshtë shumë domethënëse si ëndërr, në rini e shihja shumë më shpesh, më pas disi më rallë. Sikur ndodhesha në taracë të pallatit katërkatsh të kohës së komunizmit. Atëbotë taracat ndërtoheshin pa bordurë mbrojtëse, pra tmerri i rënies në humnerë ishte gjithnjë i pranishëm që kur ngrije qepenin e vrimës katërkëndëshe mbi tavanin e hyrjes të katit të katërt të pallatit dhe nxirrje kokën në hapësirë me një ushtrim të vështirë gjimnastikor që kërkonte muskuj barku dhe abdominale të zhvilluar, rrakapjekthi mbi një shkallë druri të lëvizëshmë. Pra jo çdokush mund të ngjitej në taracë, dhe ngjitja bëhej për arsye pune, jo qefi (rasti më i rëndomtë: ndreqja e antenës së televizorit). Por me tu ngjitur, gjithçka dukej krejt ndryshe mbi taracë, ngaqë ndryshonte perspektiva e pamjes dhe shqisat fuqizoheshin skajshëm prej frikës së humnerës katërkatëshe dhe gjimnastikës rraskapitëse përgjatë ngjitjes në shkallë druri muratori që lëkundeshin rrezikshëm. Mali i Dajtit dukej shum më i madh si siluetë, deri i frikshëm, sikur të ishte Xhomolunga, ose përdorur figura letrare e rëndomtë: “si dinozaur i fjetur”; Tirana ngjante si rrafsh i pafund betoni gri ku mbinin antena televizive si bimë futuriste me ndriçim mat zinku dhe alumini; qielli dukej më i afërt, më i pranishëm dhe më konkret - megjithse më i lartë - dhe i kaltërt ndryshe, si qiell deti. Deri edhe zhurmat dëgjoheshin ndryshe: rrokopuja e kalamajve të lagjes në lojë e sipër (gjë që tani të merr malli ta dëgjosh në vetminë e Perëndimit), bërtima ankimtare e ndonjë mamaje përkulur kokëposhtë ballkonit, rrapëllima e gomave të autobuzëve dhe Skodave me turi etj, të gjitha zhurma më të gjalla, më uturitëse, më të drejtpërdrejta, më pa jehonë, se të dëgjuara poshtë mbi tokë. Madje edhe aromat vinin ndryshe, mbizotëronte era e athët e blozës së oxhakëve që të shponte hundët. Pra gjithçka përreth, megjithse e njëjtë (e ç’janë katër kate lartësi?), dukej sureale si në ëndërr. E parë e gjithë kjo në ëndërr, siç edhe e pashë, i bie të jetë dyfish ëndërr, si një ëndërr në ëndërr, e megjithkëtë shumë reale, shumë më reale se realiteti, një realitet që shkakton dhimbje gërryese si esencë koncentrat i reales. Kjo ndjesi e qenies mbi taracë është kuintesenca e Tiranës, është Tirana shpirtërore, Tirana e botës tjetër; Tirana, di notte penso a te.
Si në versionet e hershme të kësaj ëndrre, edhe kësaj here ishte i pranishëm absurdi i pamundësisë së kthimit mbrapsht për të zbritur nga isha ngjitur. Nuk ekzistonte mundësi tjetër, më duhej detyrimisht të hidhesha poshtë në honin e frikshëm dhe njëkohësisht tmerrsisht joshës, si rëndom ndjesia skizofrene para humnerës: njëkohësisht tërheqje dhe largim. Nuk më mbetej rrugë tjetër. Por kësaj radhe, ndryshe nga herët e tjera, ndjenja fatale e pamundësisë së kthimit nuk ishte vetëm personale. Pranë kisha një figurë feminile me pamje krejt të rëndomtë, jo vetëm pa sharm, por pothuajse pa seksualitet (në kuptimin që nuk joshte si femer, por jo se i mungonte gracia, hiri femëror), e cila më thoshte në mënyrë neutrale duke treguar humnerën me qetësi: “Të duhet të zbresësh”. Ka rëndësi të theksohet fakti që thoshte “zbresësh”, dhe jo “hidhesh”, siç vetë mendoja dhe ndjenja. Kusuri i ëndrrës është tëpkë si në rastet e tjera ndodhur më parë: hidhem në humnerë me pritshmërinë e një fundi të tmerrshëm i zgërlaqur mbi asfalt si domate, dhe ndërkohë që bie, e sa më teper bie, aq më tepër rënia shndërrohet gradualisht në ulje e butë, derisa prekja finale me tokën është përkundrazi: një ngritje në mungesë totale gravitacioni, lehtësia e papërballueshme e qënies, lumturia e përmbushjes të çfarë pa tjetër duhet bërë, dhe lehtësisht bërë natyrshëm pa frikë. Me fjalë të tjera, lumturia origjinale parazanafillore, urtësia hyjnore që rreziku nuk ekziston, përveç si shpikje djallëzore dhe njerëzore e sajuar mbas Rënies. Rënia zanafillore që kemi brënda nesh - honi që njëkohësisht tmerron dhe josh, largon dhe njëkohësisht afron - krijon artificialisht rreziqe dhe vështirsi të paqena. Madje, pse jo, krijon edhe vështirsitë e qena. Ose të paktën i ndjell ato.
Por durim se ka dhe më.
-Meqë je femër, dhe situatën e sheh nga jasht duke e kontrolluar më mirë se kush e pëson, si shpjegohet misteri i neutralitetit të figurës të gruas çfardo në ëndërr?
-S’ka asnjë mister, ky është informacioni më i vërtetë dhe më i bukur që përcjell kjo ëndërr. Gruaja e ëndrrës simbolizon natyrën femrore të Zotit që thjeshtë këshillon, ngushëllon dhe lartëson pa qenë nevoja të joshë me bukurinë eros-thanatos të madonave rinashimentale, dmth pa qenë nevoja për konflikt, pra koncepti origjinal femror i gruas, motrës dhe mikes, jo i dashnores. Stop, ndalu këtu, ja një vënd bosh për parkim. Ha ha, ndodhemi bash tek Piazza Beatrice, sa ja lu qeveria dhe femra poetit mor aman! Nxito se jemi vonë, takimi tani do ketë filluar.
Përplas bam bam portat e makinës, mbërthe kapotat duke u dridh nga era e ftohtë, hukat firomën e ngrohtë mbi gishtat e marrdhur, me nxitim drejt sallës së takimit. Hyjmë në sallë, “njateta, njateta” të njohurve shpërndarë sa andej këndej, gjejmë vënd aty nga fundi. Nga avulli i kondensuar në xhamat e syzeve, figura e një gruaje mbi katedër duket paksa turbull për të kuptuar se cila është. Mbas pak lentet kullohen dhe shoh se titulli i temës në ekran është Sollevare, e ilustruar jo pa qëllim nga një video-këngë me titull pothuaj homonim. U ngashnjeva, sytë njomen, pamja turbullohet përsëri, por me siguri gruaja referente do jetë bash ajo e ëndrrës. Kjo është pak si tepër.
--------------------------------------------------
pjesën e mëparshme e gjeni këtu, rekomandohet leximi ose rileximi për të kuptuar si duhet idenë e tregimit