Shpërngulja e fundit e Profetit Muhamed

(Sipas vargjeve të “Qerbelasë” së Naim Frashërit)

“Qerbelaja” është një nga veprat më të rëndësishme të Naim Frashërit, e botuar më 1898, dy vjet para vdekjes së poetit. Poema është përmbledhja e 25 kantove, të cilat përshkruajnë ngjarjet kryesore të periudhës post-profetike, të jetës dhe bëmave të Aliut dhe bijve të tij, Hasanit dhe Hysejnit. Siç sugjeron dhe titulli, pjesa me e madhe e poemës përqendrohet tek ngjarjet e Betejës së Qerbelasë dhe ato që i paraprijnë, duke rrëfyer në detaje ndodhitë tragjike të atyre ditëve. Në dukje, poema është shkruar në vazhdën e traditës së bektashinjve për të sjellë variante letrare rreth ngjarjeve të Qerbelasë, mbështetur shpesh në vepra klasike më të hershme. Por në këtë rast poema e Naimit konsiderohet inovatore, pasi përveçse shmang maksimalisht leksikun e gjuhëve orientale, ajo detyrimisht u qëndron larg klisheve dogmatike që përcillen përmes togfjalëshave të këtyre gjuhëve, kryesisht turqishtes. “Qerbelaja” e Naimit është një ngjarje fetare në gjuhën shqipe pasi është shkruar nga një autor i cili që në të gjallë të tij konsiderohej si poeti më i rëndësishëm shqiptar. Gjuha e drejtpërdrejtë me të cilin është shkruar poema është e atillë që i drejtohet cilido niveli intelektual dhe “grupi interesi”, duke sjellë për rrjedhojë një popullarizim të pazakontë për zhanrin e saj.

Megjithëse është shkruar mjaft për dimensionin kulturor, politik-nacionalist dhe atë gjuhësor apo estetik të veprës së Naimit, përfshirë edhe “Qerbelanë”, kjo edhe si pasojë e vetë qasjes kryesisht nacionaliste dhe më pas ateiste të studimeve për Rilindjen Kombëtare, pak është shkruar për përmbajtjen doktrinore fetare të veprës së tij. Edhe kur në mënyrë të pashmangshme është cekur natyra fetare e kësaj vepre, shpesh është nënvizuar simbolizmi fetar si një analogji që u përcjell mesazhe nacionaliste lexuesve. Apo kur duke tejtheksuar shpesh ndikimin e “filozofisë panteiste”, romantika poetike e Naimit është skalitur dendur si himn ndaj natyrës në të gjithë përmasat e saj. Gjithashtu, nisur edhe nga konsiderata ndaj poetit , si një “apostull i Bektashizmit”, Naim Frashëri është parë gjerësisht si pika përthyese e një tradite patriotike mes bektashinjve, e një hopi cilësor kulturor ndaj kauzës nacionaliste. Megjithatë, duke e vendosur përmes vargjeve të tij në kontekstin spiritual të një mjedisi ku vepron një intelektual osman i fundin të shekullit XIX, do të mund të largoheshim disi nga optika dominuese që e njeh Naim Frashërin vetëm prej kriteresh politike.

Në fillim të poemës poeti qartazi aludon se është inspiruar hyjnisht për të përcjell këto vargje. Ngjashëm si në një kontekst profetik, atij i shpallet kjo vepër poetike për t’ia komunikuar publikut të gjerë. Duke përmbledhur në detaje shumëçka nga historia post-profetike, në këtë mënyrë ai simbolikisht përligj teologjinë e tij kundrejt këtyre ngjarjeve, ngjarje që kanë shërbyer si interpretime formative për teologji të ndryshme përgjatë historisë së qytetërimit islamik. Në vijim të poemës do të përshkruhet ritmikisht ngjarja e profetësisë së Muhamedit, dhe kulmet e misionit të tij profetik si: shpallja hyjnore, persekutimi prej politeistëve, shpërngulja në Medinë, dhe triumfi i besimit. Në këto pak rreshta që përshkruajnë eventin e Islamit, interesante është shpalosja e doktrinës bektashije në ndërthurje me ato varge që cekin ndërtimin e bashkësisë politike të besimtarëve, pas shpërnguljes së tyre në qytetin e Medinës. Duke evokuar një nga themelet e doktrinës bektashije, unitetin e Muhamedit me Aliun, poeti e sjell kështu në vargje këtë tharm teologjik: “Ata të dy një trup ishin/ Dhe një shpirt të vetëm kishin” – doktrinë që pohon se Muhamedi dhe Aliu janë nga e njëjta esencë, posedojnë të njëjtat cilësi. Në këtë hapësirë poetike ku përshkruhen ngjarjet profetike, Aliu përmendet dendur si personi që i qëndron në krah Profetit, që nështron rebelimet dhe udhëheq fushatat, dhe gjithashtu si ai që është përgatitur si trashëgimtari profetik. Në momentet e fundit Profeti Muhamed i lë amanet bashkësisë myslimane familjen e tij, ku qendror është personi i Aliut. Porosia profetike në këto vargje është e qartë: “Kush më ka dashurë mua,/ Të dojë këta që dua!/ Të parë u la Alinë,/ Ta kini si Perëndinë.” Vargu fundit i jep një përforcim vargut që i paraprin: “Të parë u la Alinë”, megjithatë aty krijohet një ambiguitet. Me “Ta kini si Perëndinë”, poetikisht i jepet një rëndësi maksimale porosisë profetike, që ajo të mos tjetërsohet ashtu siç nuk do të mund të tjetërsohej besnikëria ndaj Zotit. Nga ana tjetër ky varg, i ardhur si porosi profetike, i shkon përshtat simbolikës mistike tek bektashinjtë, që e shohin Aliun si manifestim të cilësive hyjnore mes njerëzve, dhe ky ambiguitet në këtë formë do të shfaqet shpesh në vepër. E gjitha kjo i drejtohet cilitdo besimtari të vërtetë, “kush më ka dashur mua”, si një nga kushtet për të pasur një besim të plotë, duke i hapur rrugë një tjetër çështjeje të rëndësishme të teologjisë mistike, që është dashuria për Familjen Profetike: “të dojë këta që dua”.

Përderisa vepra është shkruar për ngjarjet post-profetike shumë shpejt, pikërisht në vargun 160 të kantos së parë, përshkruhet edhe momenti i fundit i Profetit Muhamed mes njerëzve dhe shpërngulja e tij për në amshim. Në pak vargje Naimi do të na dhurojë një ndjesi të fortë të përjetimit poetik. Me një thjeshtësi gati naive, por me një përmbajtje precize, duke shmangur figuracionin kompleks, si kudo në poemë, apo leksikun e zhdërvjellët, Naimi detyrimisht të shtang.

Kështu tha dhe psherëtiti,
E një pikë lot’ i xbriti!
Gjithë shokët’ e tij qanë,
Dhe u ndan’ e më s’e panë.
E mbaroj punën’ e tija,
Dhe vate te Perëndija.
Shpirt me trupt u xbërthyen,
Dhe prap nga erdh’ u kthyen,
Njëri nga Zoti kish xbritur,
Tjatri nga dheu ish ngritur

Në plan të parë, këto dhjetë vargje ndahen në dy grupe: i pari që përshkruan metaforikisht momentin e vdekjes fizike, ose të themi ngjarjen e vdekjes dhe përjetimin e bashkëkohësve të Profetit, ndërsa në grupin e dytë të vargjeve kemi një përshkrim metafizik i cili është dhe një metaforë doktrinore mbi atë që kuptohet si vdekje. Vargjet e ndërmjetme midis këtyre dy grupeve vargjesh janë: E mbaroj punën’ e tija,/ Dhe vate te Perëndija. Me “mbaroi punë e tija” nënkuptohet se tashmë bashkësia e besimtarëve është pa udheqësinë e Profetit, dhe tashmë fillon një erë e re, një sfidë e panjohur për bashkësinë politike të myslimanëve. Ndërsa me “vate te Perëndija”, përtej pohimit se si çdo i vdekur, tashmë ai është në prani të Krijuesit të tij, vargu jep të kuptojë se Profeti e kreu me përpikmëri misionin e tij hyjnor në mesin e njerëzve.

Tek vargun i parë “Kështu tha dhe psherëtiti”aludohet se: porosia e fundit e Profetit ndaj bashkësisë është përtej mundësive të tyre për t’u përmbushur. Megjithëse e barazuar simbolikisht si porosi me përkujdesin ndaj besimit në Zot, “psherëtima” nënkupton dijen e Profetit për ngjarjet e ardhshme, ku Aliu dhe bijtë e tij lëndohen, tradhëtohen apo martirizohen. Menjëherë pas komunikimit të kësaj porosie të fundit, vjen vargu “E një pikë lot’ i xbriti”që metaforikisht komunikon fundin e jetës së tij në këtë botë. Me përfshirjen e lotit si emocion, përcillet edhe brenga e braktisjes së amanetit, rrjedhojë e psherëtimës së vargut të parë. “Xbritja” e lotit është një metaforë e shkëputjes së shpirtit nga trupi, ndarjes së një elementi, që edhe pse material, është pasojë e një gjendjeje të caktuar shpirtërore, pa të cilën nuk do të mund të ekzistonte. Ardhja në ekzistencë e këtij elementi, e lotit, është dhe përmbushja e misionit profetik mes njerëzve. Bashkësia nuk ka se si të mos e përjetojë ndryshe këtë ngjarje, vetëm se duke u dëshpëruar për humbjen e të dashurit të saj. I gjithë ky është një pasqyrim i thjeshtë i një ndjesie njerëzore kur përjetohet vdekja e një njeriu të rëndësishëm si Profeti. Këtij grup vargjesh i vjen fundi me: “dhe u ndan’ e më s’e panë”, e cila shënon fizikisht ndarjen me epokën profetike dhe nisjen e një të reje me risitë dhe të panjohurat që do të rezervojë. Me ndajfoljen “më” përforcohet kjo ndarje, si për të parathënë se e ardhmja do të jetë e turbullt për bashkësinë e besimtarëve, pra që e shkuara e artë kur bashkësia udhëhiqej nga Profeti i takon tashmë të kaluarës.

Grupi i dytë i vargjeve që kemi përpara fillon me një varg që i rikthehet edhe një herë, kësaj rradhe në planin metafizik, asaj se çfarë ngjet me përfundimin e jetës së njeriut, në këtë rast të Profetit. Vargu evokon diçka të mirënjohur në kozmologjinë islamike, përbërjen duale të ekzistencës humane, në atë materiale dhe atë shpirtërore. “Shpirt me trupt u xbërthyen” ndryshon konceptualisht me “E një pikë lot’ i xbriti”, e cila është një metaforë poetike për demonstruar këtë ndarje mes dy lëndëve që mundësojnë ekzistencën. Foljet e përdoruara nuk paraqesin të njëjtën gjendje: “xbërthimi” është një proces, i ngjashëm me një reaksion kimik, asesi i njëjtë, i cili kuptohet vetëm përmes besimit; ndërsa “xbritja” është një gjetje, gjithashtu një aludim poetik, për të mos angazhuar një tjetër folje më shpesh të përdorur, që në rastin e procesit fizik të lotimit do të duhej të ishte folja “ra”. Ky “xbërthim”, që është veç një ripohim i kredos islamike, bëhet më i qartë në vargjet në vijim. “Dhe prap nga erdh’ u kthyen” nënkupton se ekzistenca njerëzore në këtë botë e ka fillesën diku tjetër dhe jeta tokësore është një etapë e një rrugëtimi më të gjatë dhe më kompleks se shfaqja dhe gjallimi në tokë. Poetikisht Naimi ka zgjedhur që këtë “kthim” ta orientojë në dy drejtime, përderisa kemi të bëjmë me dy elementë të ndryshëmë, paçka se pak vargje më lart, siç e pamë, ai thotë “vate te Perëndija” – “vajtje” që nuk diferencohet, përderisa njeriu, ashtu siç është ndërtuar, është krijesë unike e Zotit. Vargjet e fundit, që janë dhe simbolikisht kurora e këtij përshkrimi të ndarjes së Profetit nga kjo botë, do t’i shohim sëbashku. “Njëri nga Zoti kish xbritur/ Tjatri nga dheu ish ngritur.” Në vargun e parë aludohet për shpirtin që ka zbritur nga Zoti, ndërsa në të dytin për trupin njerëzor që është ndërtuar nga toka, pra të dy elementet shkojnë në drejtimin prej nga e kanë pasur origjinën përpara se të ngjizen së bashku. Metaforikisht, me drejtimet që marrin këta dy elementë, shpirti dhe trupi, nënvizohen dhe cilësitë që përmban njerëzorja. Shpirti, vendi i përjetimeve dhe elementi që e përsos njerëzoren, i atribuohet Zotit, dhe me foljen “xbriti”, kuptojmë se ajo që e lartëson njeriun vjen prej Zotit, dhe pas përfundimit të jetës tokësore, shpirti kthehet sërisht tek Ai. Ndërsa trupi, elementi që karakterizohet nga shqisat dhe ndjesitë lëndore, i cili pa ndihmën e shpirtit e orienton njeriun “për poshtë”, duke qenë produkt i tokës, i rikthehet asaj. Megjithatë foljet janë të kundërta; në rastin e shpirtit, poeti nuk përdor foljen “u ngrit”, por duke e projektuar në të shkuarën, në një moment kozmologjik, ai thotë “kish xbritur”, për të nënvizuar se njeriu megjithëse me shpirt i krijuar nga Zoti, në tokë ka “xbritur” për shkak të kundërshtisë së tij ndaj porosisë hyjnore, si një përbuzje ndaj dëshirave tokësore që ai i jep përparësi, si rrjedhojë e mungesës së bindjes ndaj Krijuesit. Ndërsa me foljen “ngjitur”, “nga dheu ish ngritur”, evokohet ngjarja e krijimit të Ademit nga elementët e tokës, si një moment kur Zoti demonstroi vullnetin e tij, duke sjellë një krijesë të re, përkrah engjëjve.

*Pjesë e shkëputur nga një artikull më i gjerë rreth temës. Titulli është redaksional.

E-zani