Para disa javësh, kur shkrova diçka mbi pse çunat duhet të ruajnë lidhje të forta me shokët, pati shumë reagim edhe nga bashkëshortet e çunave, të cilat jo pa të drejtë na kujtuan se çunat duhet të dalin më shumë edhe me gocat (që kanë në krah). Është e vërtetë dhe duhet pranuar se rutina dhe detyrat e përditshme na bëjnë t’i lëmë pas dore, e ndonjëherë t’i harrojmë fare ca gjeste që dikur na dukeshin të natyrshëm. Ah dikur, dikur. Kush mund ta harrojë zjarrin me të cilin ndizet një lidhje e re, dhe lumturinë që rrethon çiftin e të porsadashuruarve çdo çast… derisa zhduket. Por të gjitha gratë janë vajza, dhe këtë duhet t’ia kujtojmë vetes vazhdimisht, bashkë me faktin se një grua e martuar, endè ka nevojë për romancë.
Për ata që janë të rinj në këtë lojë, më lejoni t’ju uroj mirëseardhjen në botën e jetës në çift. Është një botë ku mund të gjesh qime në lavaman dhe ku ka gjithnjë pika të bardha në pasqyrë. Në këtë botë ka një debat të vazhdueshëm mbi mënyrën sesi qërohet një banane, si vendoset letra higjenike dhe nëse kapaku në banjë duhet mbajtur i ulur apo ngritur. Është një botë ku këmishat nuk hekurosen vetë dhe asnjë pjatë nuk lahet vetvetiu. Në këtë botë kremastaret janë gjithmonë mangut dhe çorapet humbin në lavatriçe. Bëhuni gati për beteja epike, në fushëbetejën e jetës familjare. Mos shkel aty se sa kam larë…
Jam gati të vë bast se shumë prej çunave në lexim i kanë dëgjuar gocat që kanë në krah t’u thonë, “S’je fare romantik!” Unë po për vete, dhe jam, betohem që jam. Por nuk është e lehtë të jesh Romeo nga e hëna në të premte, sidomos kur ke kaq shumë gjëra të tjera për të bërë të cilat nuk përfshijnë xhirot në Veronë.
Dua të ndalem vetëm një çast tek gjërat e shumta që i kemi ngarkuar vetes për të bërë - pasi shumë prej nesh ndajmë mendimin se këto punë janë në fakt një gjest i nëndheshëm romantik. Këtu ngatërrohemi dhe keqkuptohemi, pasi gratë dhe burrat kanë optika të ndryshme mbi çfarë është romanca. Ne kemi mbetur ca mbrapa në këtë kategori. Psh. e shprehim romancën me sasinë e përpjekjeve për “lumturinë (financiare?) familjare”. Nëse nuk është e qartë çfarë po dua të them, do jete sepse fola gjuhën e burrit-gjahtar të 10,000 vjetëve më parë.
Gratë nuk na kuptojnë kur u themi se kemi gatuar për to, kur hamë dhe vetë. Apo se jemi lodhur duke mbajtur fëmijët, që janë edhe tanët. Dhe sidomos nuk kuptojnë pse ne i përmendim këto vazhdimisht. Ne i përmendim pasi për ne keto janë prova të dashurisë sonë, dhe patjetër që janë, por nuk janë gjeste romantike. Këto gjestet romantike janë (qenkan!) tjetër gjë, dhe kanë ndikim shumë të këndshëm tek gratë. Kur bëjmë diçka romantike, i bëjmë të ndihen siç ndihemi ne, kur fiton [ekipi yt i zemrës].
Po ç’mund të bëjë një burrë i ngarkuar me punë e përgjegjësi për të rikthyer ato ndjesitë e kohës kur bashkëshortja ishte “fiksimi i jetës”? Unë nuk jam eksperti i këtyre punëve ndaj për të marrë një këshillë a dy ju drejtova një çifti që duket se e ka zgjidhur më së miri këtë çështje prej 41 vjetësh martesë, dhe ata më thanë këto gjëra, me kushtin që të mbeten anonimë.
E para, duhet të jemi gjithmonë mirënjohës për gjërat që kemi sëbashku. Me gjithë ato lajme idote në televizor, çiftet në Shqipëri duhet që një herë në javë t’i kujtojnë njëri tjetrit të mirat që ndajnë në jetë, bekime si fëmijët, shëndeti dhe miqtë. Asgjë nuk ta rrit kënaqësinë e jetës sa mirënjohja ndaj asaj që kemi, dhe në këtë vorbull, nuk e bëjmë mjaftueshëm.
Bëni gjëra të reja sëbashku, sepse rutina është vrastare për jetën në çift dhe mundet fare kollaj të na bëjë të ndihemi të palumtur. Ndaj nëse keni para të “blini pak lumturi” në çift, mos shpenzoni për sende por për eksperienca të reja. Udhëtoni pra, shkoni në një vend ku nuk keni qënë kurrë, apo fundja shkoni për një akullore a për të parë një film bashkë. Lërini kalamajtë nga gjyshërit kur mundeni, pasi duhet pak pushim prej tyre. Shfrytëzojeni qetësinë për të bërë pak qejf.
Thurni ëndërra të reja në çift, siç bënit kur ishit ende prej pak kohësh bashkë. Me siguri ju kujtohet kur thonit se donit 11 fëmijë. Në çastin kur çiftet ndalin së bëri plane për të ardhmen (qofshin edhe plane të parealizueshme), ato bien pre e rutinave të mërzitshme, pakënaqësisë dhe lodhjes së përgjithëshme të jetës. Ndaj është mirë ta ëndërroni jetën që doni për veten dhe tjetrin në krah, dhe t’ia tregoni njëri-tjetrit dëshirat. Ata që luajnë bashkë, qëndrojnë bashkë.
Mbi të gjitha, shijojeni njëri tjetrin, edhe në gjëra të vogla. Puthuni ca më shpesh, prekuni ca më shumë - pini ndonjë gotë sëbashku e i thoni njëri tjetrit se e doni, sepse edhe kjo bën mirë. Burrat nuk duhet t’i perceptojnë si armiq, por si aleatë përvjetorët apo Shën Valentinët, sepse, megjithë komercialitetin që përmbajnë, janë kujtesë e mirë për tipa që përndryshe lulet, kartolinat, çokollatat do t’i dërgonim vetëm në ëndërr. Kur vendosni të shpenzoni para, çojeni deri në fund gjestin. Nëse do ta nxirrni jashtë për darkë, dërgojini një ftesë (gjejeni mënyrën sepse ka), apo nëse gatuani në shtëpi, printoni një menu nga Word, me ca zemra, sepse atyre u pëlqenkan këto. Dhe të tjera.