Tre libra (nga Arb Elo)

Hokusai

TRE LIBRA

Ndoshta librat që rendis më poshtë janë përkthyer tashmë në shqip. Nuk e di, por edhe nëse janë përkthyer ndërkohë, do ia rekomandoja dikujt t’i lexonte në një gjuhë të madhe të huaj e kjo vlen më së pari për Lao Tse-në, këtë klasik i cili vlen për Lindjen e Largët po aq sa ç’vlen, bie fjala, Platoni për Perëndimin. Dikush që është i interesuar për të tilla tema e të tillë libra njeh normalisht edhe një gjuhë të huaj e kjo që shënova vlen më së pari pikërisht për atë lexues iluzor përzgjedhës, me qenësinë e cilësitë e të cilit spekulohet aq shumë te ne, më së pari nga vetë njerëzit e letrave, botuesit e institucionet e kulturës po ashtu.

Ajo që harrohet shpesh në Shqipëri - e që ka çuar në këta vite tranzicioni në bjerrjen jo vetëm të leximit, por edhe të shpresës se kjo do të mund të ndryshohej njëfarësoj për mirë - ajo që harrohet pra ose anashkalohet është se “lexuesi” nuk është më i njëjti, nuk është më ai i vitit tashmë të largët 1990, i cili, gjithnjë nëse dinte një gjuhë të huaj, zor se mund të kishte qenë në vendet ku flitej ajo gjuhë e aq më pak mund të lexonte letërsi në atë gjuhë siç ndodh sot, ca nga liria e udhëtimit e ca nga zhvillimet mediatike që i dimë të gjithë.

Ndaj edhe përkthimit të letërsisë së huaj në shqip nuk do të kish pse t’i mëshohej aq shumë parë nga ky aspekt, pasi, siç thashë, dikush që është në gjendje të çmojë letërsinë e mirë, di sot më së paku një gjuhë të madhe të huaj e mund të lexonte pa problem në të librat që mëton të lexojë.

Arsyeja për të sjellë në shqip letërsinë e huaj ka të bëjë më së pari me shqipen vetë, me gjuhën tonë si të tillë, e cila do të mund të komunikonte kësisoj me simotrat e saj në botë, me të gjitha konotacionet kombëtare e shoqërore që përmban ky komunikim.

Mirëpo kjo është tjetër temë e u nisa veç t’i rekomandoja ndokujt tre librat e mëposhtëm - pa arrogancën që përmban vetiu ngucja e shijes tënde një tjetri, shpresoj, por edhe në qoftë ashtu, ngucje pra, mjafton një klik ca më tutje për të mos u ndikuar prej saj.

"Autobiografi e një jogi"

Yogananda

Shumë vite më parë një kureshtje, e nxitur më shumë nga arsye personale, më pat shtyrë të rrëmoja në seksionet ezoterike e gjysmë-fetare të librarive e bibliotekave dhe nëse nis ta bësh këtë nuk zgjat shumë e do të hasësh doemos e shpejt Paramahansa Joganandën dhe librin e tij më të njohur “Autobiografi e një jogi”.
Gjyshja ime, ngase kam qenë shëndetlig e ndoshta i urtë e jo trazovaç, në fëmijëri më merrte shpesh me vete në qokat e vizitat e saj thuajse të përditshme në Tiranën e asaj kohe, në rrethina e në rrethe, ku kishin shumë lidhje e miq familjarë. Gjithashtu këto vizita i ktheheshin, po ashtu gati përditë, edhe në shtëpinë e saj. Në këto biseda, siç shumëkush e di, pas përshëndetjeve të zakonshme, tregohet e rrëfehet shumë e meqë, në njëfarë mase, unë isha i shtrënguar, sidomos kur u shkonim njerëzve, të mbaja vesh, jam stërvitur po ashtu në të besuarit a jo të këtyre historive.
Pasi shpesh flitej për shërime të pabesueshme, për xhin(d)e e shpirtra, për njerëz “të mirë” e dervishë, hoxhë, priftërinj e fallxhore e me radhë, e patetika e emocionaliteti ynë i spikatur, që mbufatet në kurriz të skepticizmit e racionalitetit, bënte edhe ai të vetën; dua të them që është e vështirë të më përshtypësh mua me të tilla rrëfenja.
E megjithatë, gjithë ç’kisha dëgjuar a lexuar më parë për të tilla gjëra, përfshirë këtu edhe mrekullitë që përshkruhen në Bibël e në Kuran, paskëshin qenë lojra fëmijësh, krahasuar me ato që shpalos Jogananda në këtë libër.
Porse një libër mund ta çosh, fatmirësisht, deri në fund, edhe pa e gjykuar vërtetësinë e tij e pa u pozicionuar së brendshmi në besimin a jo të historive që rrëfehen aty, e kështu, gjysmë i detyruar edhe nga fakti që gjendesha në tren e më duhej megjithatë të “shtyja” disa orë deri në qytezën time, i shkova Joganandës deri në fund, madje duke përjetuar edhe atë magjepsjen e harruar të fëmijërisë së parë, kur pata lexuar “Njëmijë e një net”, apo edhe “Tregime të moçme shqiptare”.
Është e thjeshtë dhe e shëmtuar e ndodh, për fat të keq, gjithnjë e më shumë, ta cilësosh tjetrin - në këtë rast Joganandën - për të përhënur, sharlatan e me radhë, nëse nuk e beson dot rrëfimin e tij cit me mrekulli e shenjtorë. Ca më e vështirë e më pak e shëmtuar (përsa kjo nuk çon në fanatizëm e kundërvënie e idhujtari) është t’i besosh atij.
Porse, siç shkrova, kjo dilemë shtrohet më së pari në marrëdhëniet me njerëzit e shoqërinë ku jetojmë, në marrëdhëniet me të tjerët e, jo së fundmi, në marrëdhëniet tona me vetveten, marrëdhënie këto që shpesh e marrin shtysën fillestare pikërisht nga besimi.
Me një fjalë, unë nuk kam as pse i besoj e as pse mos t’i besoj Joganandës dhe nuk ishte kjo arsyeja për ta lexuar atë asokohe e nuk është arsye për ta rilexuar, siç kam bërë më vonë.
Arsyeja, të paktën për mua, për të lexuar të tilla gjëra, është një jo-arsye, është mungesë rehatie, është një mungesë iluzioni e shkaktuar nga racionaliteti shpesh makinesk, po e quaj, e botës ku jetoj(më).
Dhe natyrisht, të kesh një banesë, një punë, një grua, dy makina e dy fëmijë, “ta kesh në terezi” siç i themi, nuk mjafton vetiu për t’u ndier mirë - për më shumë për këtë temë mund t’i rekomandohej këtu shumëkujt: “Të kesh apo të jesh” nga Erich Fromm.
Me një fjalë, unë do ia rekomandoja deri diku ndokujt Joganandën, por jo gjithkujt; do ia rekomandoja ndokujt që jeton në Perëndim e jo dikujt që jeton në Lindje, mirëpo duke qenë se të jetuarit gjëkund jo vetëm sot, por sot më shumë se kurrë, nuk është asnjëherë çështje vetëm gjeografike, do ia rekomandoja pra ndokujt që jeton shpirtërisht në Perëndim, apo më saktë “me” Perëndimin.
Pasi, në njëfarë mënyre, ne jetojmë qoftë edhe duke vdekur së shpejti edhe në një tjetër botë të panjohur, qoftë kjo edhe e hiçtë, qoftë kjo edhe e panjohur: sidoqoftë pra. E ngacmime për të medituar, për ta malluar a sjellë ca më pranë botën tjetër, gjenden në librin e Joganandës me tepri.

"Tao Te King"
Lao Tse

Vjen një pikë, kur koha që të mbetet bëhet e llogaritshme e për pasojë e çmuar. Atëherë dilema e të zgjedhurit, në këtë rast e lektyrës, bëhet edhe më e rëndë, pasi koha është një, ndërsa libra ka shumë. Dyfish më e rëndë është dilema e të rilexuarit; përpjestimisht ajo e të rilexuarit sërish. Mund të zgjedhësh gabim për të lexuar, por jo për të rilexuar; në këtë kuptim, ajo që thamë më sipër është vetëm deri diku e vërtetë, pasi, nëse kur rilexon humbet mundësinë për të njohur diçka të re, po aq mënjanon edhe mundësinë për të humbur kohën me diçka që nuk ia vlen.
Ka pak libra që mund t’i rilexosh për herë të tretë apo për herë “n”. Më të shumtët janë ose libra fetarë: Bibla, Kurani, Bhagavad Gita, etj., ose poetikë. “Tao Te King” apo “Daodejing”, që i atribuohet sipas legjendës Lao Ce-së apo Laoci-së, të urtit të famshëm kinez, që ndoshta, sipas legjendës akoma, nuk do të ishte hedhur në letër, nëse një nxënës i tij nuk do e kishte detyruar ta bënte këtë, është, (mendimi im ky dhe krejtësisht jashtë kanoneve të gjithëkudondodhshme), një sintezë e të dyja zhanreve, një farë “Predikimi në mal” pa dëgjues, më i zgjatur, por po aq domethënës e po aq poetik.
Herën e parë më pat rënë në dorë ky libërth 20 e ca vjet më parë: nuk pata kuptuar asgjë. Shumë më vonë, po rastësisht, m’u dha rasti t’i hedh prapë një sy, ulur në një stol në një kopsht manastiri dhe në atmosferën më të mirë të mundshme, e rashë menjëherë në dashuri me të. E kam dhuruar, jam penduar për këtë, e kam blerë prapë, për ta dhuruar gjithashtu prapë, derisa dikush u kujtua të ma dhuronte kësaj here mua.
Ndonëse në kohët tona të shpejta, të ndërlikuara, (dhe jo aq moderne sa duan të na mbushin mendjen disa) pakkush vret mendjen për kuptimin e së tërës, - e më pakkush akoma dyshon në përgjigjet e marra për të dhëna e fillon të interesohet për urtësinë e vjetër, duke u nisur ndoshta nga përkeqësimi dhe jo evoluimi i njerëzimit, - Lao Ce mbetet edhe pas 2400 vjetësh çuditërisht i freskët dhe bashkëkohor, një “duhet patur” e duhet lexuar të paktën dy a tri herë në jetë.

"Efekti i pafundësisë"

Castaneda

Dëgjon shpesh të thuhet se nuk jemi ne që i kërkojmë e i gjejmë librat, por qenkëshin ata që na gjejnë ne. Në thelb, kjo çështje - në njeriu kërkon e gjen vetë në këtë botë apo gjehet nga bota - përmban atë dilemën e lashtë të determinizmit dhe vullnetit të lirë, të cilës nuk mund t’i shkohet asnjëherë deri në fund pa u pozicionuar më së pari kundrejt njeriut vetë e - meqenëse nuk ka kuptim të nisesh e të flasësh për njerëzimin në përgjithësi, pa e sqaruar më së pari me veten tënde këtë pozicionim - më e shumta që mund të bësh është thjesht të përshkruash se si ke gjetur a je gjetur nga dikush apo diçka, në këtë rast nga Carlos Castaneda dhe libri i tij më i njohur “Udhëzimet e Don Huanit”.
Kur patëm ardhur “këtej”, ka dy dhjetëvjeçarë e gjysmë e ca më shumë, të çliruar nga zinxhirët, të rinj e të kompleksuar - po le ta kthej në njëjës, pasi kjo nuk vlente për të tërë “ne” - i kompleksuar pra nga mosnjohja e gjuhës e sa e sa faktorë të tjerë, që nuk ka pse të shtjellohen këtu, sa herë e sillte rasti e gjeja dikë a më gjente dikush që më duronte, bëja atë gabimin që bëhet rëndom edhe sot në Shqipëri: rrekesha ta përshtypja tjetrin me leximet e mia, ndërkohë që kjo mund të ishte fare e panevojshme e aspak në vendin e duhur, parë që ata pak njerëz që interesohen për ty në ato rrethana kanë lexuar aspak ose fare pak e gjëja e fundit për të cilin do të mund të bashkëbisedohej në ndonjë birrari të dorës së tretë do të ishte ndonjë shkëmbim përshtypjesh për Balzakun, bie fjala.
Marrëdhëniet me leximin “këtej” janë të një natyre krejtësisht tjetër se te ne dikur e për të kuptuar se çfarë natyre qenkësh kjo të duhen vite, varësisht kjo nga sa integrohesh në kulturën tjetër, integrim ky që ndodh, në njëfarë mase, në varësi me desintegrimin - le të themi: harresën ose më mirë: “shkëputjen” - prej kulturës nga ke ardhur. Me një fjalë, ti edhe fiton, edhe humb në të njëjtën kohë.
Leximi i Castaneda-s gjithashtu i përmban të dyja këto përmasa: nga ky del edhe i fituar, edhe i humbur. Ose më mirë: as nuk përfiton gjë, por nuk është as se humb, përkundrazi.
Si të kuptohet kjo? Librat e Castaneda-s nuk janë letërsi, nuk janë as filozofi; janë të maskuar si autobiografi e një adepti, një kërkuesi, një rishtari - porse ai që pret të gjejë aty ndonjë drejtim në jetë, apo edhe më keq: ai që pret të marrë një dorë për t’u “përndritur” prej tyre, tundim ky që me siguri ka çuar në rritjen e popullaritetit të autorit në vitet '70 e më vonë (e që të kujton Koelion, për të cilin një mik më shkruante: “Bëj ç’të duash, por vetëm atë mos ma përmend…”) - janë të maskuar si gjoja “prej vërteti” e kështu me radhë.
E megjithatë unë ia kam lexuar të tërë.
Emrin e Castaneda-s ma pat përmendur asokohe një, le të themi, jugosllav me të cilin qeshë miqësuar atëbotë, azilant dhe ai, emigrant edhe ai si unë, me të njëjtat simptoma që përshkrova më sipër, e me të cilin rrëkëllenim pijetoreve alkoolin me eks e tymosnim, kur e sillte rasti, hashash e marihuanë, apo përmalloheshim për ndonjë kërpudhë halucinogjene, që gjendeshin pa shumë peripeci edhe në Holandë, ndonjë çerek ore më tutje.
Dua të them se Castaneda-n nuk e gjeta e as më gjeti ai mua: “u gjendëm” në një moshë të caktuar në të njëjtin udhëkryq jetësor e kureshtja për të marrë vesh se si ia kishte bërë autori për të dalë që aty më pat bërë edhe mua të lexoja çdo gjë të tij, aq më tepër që mënyra se si ai e përshkruante vetveten në marrëdhëniet me Don Huanin, shamanin, “nagualin”, gurun e vet, ishte fort simpatike dhe, siç shkrova, paskëshim patur interesa të përbashkëta psikedelikë atëbotë.
Në këtë kuptim, unë e dua Castaneda-n siç duam një mik të vjetër, thjesht mbase sepse më ka përshoqëruar në sa e sa netë mendjemjegullta e nostalgjike, mirëpo kjo nuk është arsye për t’ua rekomanduar atë të tjerëve.
Porse ndoshta mund t’i rekomandohej dikujt libri i tij i fundit “Efekti i pafundësisë” dhe jo për arsyen se ky është libër “i mirë”, apo se duhet lexuar me se s’bën. Ka libra më të bukurshkruar për këtë temë e më të shumëlexuar gjithashtu; përmend këtu Hesse-n, si i pari që më sjell ndërmend vendi ku jetoj, dhe lojën e tij të zarave prej qelqi, por edhe Joganandën që zura në gojë para ca kohësh.
Është një libërth i hollë, i këndshëm, jopretencioz dhe, kështu më duket mua, “i sinqertë”, i dikujt, që pasi ka lënë ca shenja modeste në këtë botë, tretet pa nam e pa nishan drejt pafundësisë, efektin e së cilës - më bëhet prapë - e ka ndier vërtet, pavarësisht se ca zëra të ligj të atyre që rrëmojnë gjithçka paskan vërtetuar se Don Huani është vetëm trillim i Castaneda-s e nuk paskësh ekzistuar vërtet.
Mua vetë aq më bën nëse i ndjeri Karlos më ka rrëfyer a jo biografinë e vet “prej vërteti”; nuk ishte asokohe e nuk është kjo as arsyeja e as motivi për ta lexuar atë a ndokënd, jo për mua të paktën.

@Arb Elo

1 Like

Më thuaj çka lexon të të them kush je…

CIla nga këto arsye:

  • shterpësia intelektuale e komunizmit të qëmotshëm,
  • zvjerdhja nga ballkanizimi i pocaqisur,
  • zhgënjimi nga filozofia arrogante judeokristiane,

shtyjnë lexuesin të kërkojë përgjgjet ndaj pyetjeve që luzmojnë në kokë pikërisht në ezoterizëm?

A thua Kina, India apo Peruja arrijnë të qetësojnë nënndërgjegjen?
Përfundimisht, sejcili në hallin e vet!

shtyjnë lexuesin të kërkojë përgjgjet ndaj pyetjeve që luzmojnë në kokë pikërisht në ezoterizëm?

A thua Kina, India apo Peruja arrijnë të qetësojnë nënndërgjegjen?
Përfundimisht, sejcili në hallin e vet!

xixe, dy pikat e para i perkasin kontestit shqiptar dhe deri diku ballkanik, gjeografi fare e pakonsiderueshme me çfare ja ka munduar autori ne paraqitje te 3 librave.

Mbetet pika 3; pse pak te duket “zhgënjimi nga filozofia arrogante judeokristiane” (ne fakt ka ndodh me keq, me sakte eshte “deshtimi i judeokrishterimit”) per te kerkuar gjetke pergjigjet e pyetjeve qe luzmojne ne koke? E njejta gje ndodh me sferen budiste, induiste, konfucianiste, qe, te deshtuara - laiçizmi radikal dhe pallimi universal eshte shenja -, kerkojne natyrshem ne kulturen perendimore pergjigjet e pyetjeve qe luzmojne ne koke orientale, te cilat jane te njejta me te kaptines oksidentale. Megjithse halli hallit nuk i gja, ne esence te njejtin hall dhe te njejtat halle kane njerzit ngado ne planet.

Pa u fut ne te thella per dy librat e tjere: Tao Te King nuk eshte ezoterizem, ndryshe duhej te ishte ezoterizem Bibla dhe Kurani. Tao Te King eshte bibla e Orientit te Larget. E per me teper eshte liber komplementar me Librin, ose me Librat, meqe gjithsekushi edhe ne Oksident shef hallin e vet (ne epoken ngambrapa duhet thene shprehja shef bythen e vet!, dmth sekush ja fut bythes se vet!)

Per rrjedhoje leximi i orientaleve per nje oksidental plotson mozaikun planetar, pra eshte i domosdoshem per te mos mbetur nje katunar ngambrapamodern qe shef vetem bythen e vet ngambrapa. Impresioniste dhe postimpresionistet pariziane nuk e bene kete, por pane edhe bythen orientale, dhe per kete arsye merita e tyre, vlera e tyre dhe pasuria dhe grander e Frances. Pa njohur artin kinez dhe grafikat japoneze impresionistet nuk do ta benin kurre hopin qe solli midis tënë artin modern (ndikoi jo vetem pikture, por ne çdo fushe te artit, letersi, muzike etj) dhe per pasoje stimuloi çdo fushe te kultures dhe çdo veprimtari dhe ndermarrje konkrete perendimore.

per me teper sqarim mund te lexosh ketu, nese nuk e ke lexu akoma ne epoken e Peshkut Vjeter:

http://arkivi.peshkupauje.com/2015/10/lind-andej-nga-lind-e-perendon-nga-perendon

ka edhe nje pjese tjeter te meparshme, akoma me interesante si komente:

http://arkivi.peshkupauje.com/2015/07/lind-andej-nga-lind-e-perendon-nga-perendon-pj-ii

1 Like

Inkuizit,

dy pikat e para i përkasin rrugëtimit personal të atij që shkruan (qoftë takstin mbi të cilin komentojmë, qoftë edhe vetë komentet tona). Pra, kondicionimin fillestar të gjithkujt në PPU.

E treta pasqyron zymtinë e mjedisit ku gjendemi sot: dyzimin absurd të konceptit të lirisë oksidentale - liri intelektuale (të zotërosh gjithçka - mendimin, shprehjen, leximin, shkrimin…), robëri materiale (të të mungojë gjithçka - parja, relacionet, pushteti…). Ja përse edhe e famshmja “arratisje drejt Lindjes”!

Lidhja mes dy të parave dhe të tretës qëndron në dyzimin tjetër thelbësor: si shqiptar dhe ballkanik nuk e dimë mirë ku gjendemi - në Lindje apo në Perëndim. Pra, mendojmë dhe veprojmë ndryshe, përjetojmë dhe shprehemi ndryshe,

P.S: pasi lexova (për të disatën herë) tekstin që më propozon në atë lidhjen tënde të mësipërme, i bëj pyetje vehetes: ku kam qenë në atë kohë që kam munguar gjatë komenteve mbi një të tillë shkrim? Sigurisht, në zyrat e Shtëpisë Botuese, duke i përgatitur për shtyp librin tim…

mire, po si eshte e mundur qe ndeshet i njejti fenomen edhe jasht gadishullit ballkanik? Pra pare ne pergjithsi, nuk ka te beje rrugtimi, por kerkesa e brendeshme dhe e natyrshme per universalizem. Vetem snobat e bejne artificjale kerkesen per “arratisje drejt Lindjes”, per tu duk ndryshe.

Per vete e quaj fat qe ne jetojme midis Lindjes dhe Perendimit, pavarsisht nga vuajtjet, jane pikerisht keto vuajtje qe sherbejne si kusht per te realizuar natyrshem universalizmin. Frytet do te duken me siguri me vone, un kam fatin t’i shoh qe tani.

Përtej Ballkanit gjendet edhe gjetkë, natyrisht.
Ti e thua edhe vetë dhe e përjeton, gjithashtu.

Nryshimi është tek përmasat e ndjenjës:
të tjerët e kanë mendore - shpirtërore, ne e kemi trupërore - gjenetike.

nuk e kuptoj shume ne kete rast ndarjen trupore (gjenetike) dhe shpirterore. Megjithse ne tym sugjeroj nje ide, qe perplasja e dy shpirterave orient-oksident ka axeruar shpirtin duke lene vetem trupin pa shpirt.

E megjithate figura universale madhor gjeniale si Nene Tereza, Kadareja dhe Noli (jo me pak madhor dhe universal, megjithse pak i njohur ne bote) jane produkt i kesaj perplasje, produkt i kesaj vuajtje shqiptare qe nxjerr koken ne pak persone. Ky eshte nje fenomen oriental, me i dukshem ne kulturen ruse, qe te lindej nje gjeni si psh Tolstoi dhe Dostojevskij eshte paguar nje haraç i madh vuajtjesh muzhike te paditura.

Po ta them ndryshe. Është e njejta diferencë si ajo mes artit të kultivuar dhe folklorit.

  • e para është çështje moshe - produkt i arsyes.
  • e dyta ngjizet që në barkun e nënës - çështje geni.

Me që ra fjala, ç’ndjesi të krijon ty personalisht një grimcë kënge labe apo tironse, që hyn papritur në oqeanin e muzikës të përditshme ku ti noton?

aha, tani e kuptova per çfare e ke llafin. Kisha kuptu gje krejt tjeter.

Une tani degjoj pak muzike (dhe te tjera arte), e me teper te rekomanduar nga te tjere, dmth nuk ndjek mbrapa asgje, rri i qete mbas ferre, pushken gati, po kaloi lepri i gjuj.

Megjithse e kam te veshtire te shprehem ne kete pike, hajt s’po ta prish qefin. Kenga labe dhe tironse me shkaton vetem shqetsim, me kujton kohen e altoparlanteve ne zbor. Eshte nga pak gjera te vuajtura qe nuk e harroj dot. Dmth zonen e folklorit e kam te prishur si atebote. Per mu, e theksoj per mu, ishte e vetmja menyre per te mbajte integritetin si shqiptar :stuck_out_tongue:, nuk mundja ndryshe. E kam thene dhe here tjeter: mu me ka shpetu snobizmi, lexoja vetem perkthime dhe shifja vetem filma italo-franceze. Kurre ne teater, festival, orkester, etj, kur gjemonte altoparlanti tapa ne veshe.


image

1 Like